Susan Logoreci është një artiste Amerikane me origjinë Shqiptare lindur dhe rritur në Monterey të Kalifornisë.
Ajo është një pinjolle e familjes Logoreci nga Shkodra, ku babai i saj Zefi i ushqeu fëmijëve të tij dashurinë për artin dhe historinë e vendit të tyre.
Susan u rrit duke vizatuar në mjedisin magjepsës të Kalifornisë dhe pasi kreu shkollën e mesme arriti të fitojë bursë studimi në Institutin e Artit të San Franciskos.
Krijimet e Susan konsistojnë në vizatime me laps me ngjyra të qyteteve nga një këndvështrim ajror.
Veprat i pasqyrojnë hapësirat që ne krijojmë, ndajmë si dhe infrastrukturën e cila i lidh njerëzit me peizazhin, duke i frymëzuar ata që t’i përjetojnë këto vende në mënyra të reja.
Në krijimtarinë e saj ajo modelon gjeometrikisht për të krijuar një imazh themelor që është njëkohësisht i organizuar dhe kaotik, duke krijuar një formalizëm konceptualist dhe psikologjik.
Veprat e saj me laps me ngjyra në dimensione të mëdha përshkruajnë peizazhin e Los Anxhelosit me mjaft detaje deri në kondicionerët anash dritareve, dritat e rrugëve, palmat dhe dritaret e errëta. Mospërdorimi i vizoreve e bën që të evitojë vijat e drejta, duke e thyer këndvështrimin nga shikimi drejt poshtë në një këndvështrim të zhdrejtë. Ajo e riprodhon imazhin e qytetit jo ashtu siç duket, por me një këndvështrim të sajin.
Duke vëzhguar bulevardet e gjata që shkonin për kilometra të tëra, si dhe detajet e ndërtesave të mëdha dhe të vogla, makinat e parkuara, oborret, mënyrën se si e rastësishmja përshtatet në të tërën ajo filloi të eksperimentonte me këto imazhe përmes një këndvështrimi ndryshe.
Fillimisht Galeria Cirrus në Los Anxhelos ekspozoi vizatimet e Susan deri sa tërhoqi vëmendjen e prestigjozeve “L.A. Times” dhe “Art in America”. Më pas, krijimet e saj filluan të blihen nga shumë kompani private. Në verën e vitit 2005, ajo merr porosinë e parë të rëndësishme për një triptik në Selinë e Bankës Kombëtare të Los Anxhelesit.
Krijimet e saj u bënë joshëse për institucionet me hapësira publike, duke filluar me stacionin e trenit të LA. Nuk kaloi shumë kohë dhe do të vinte porosia e cila e vuri në qendër të vëmendjes për komunitetin e artistëve të Los Anxhelesit me një murale prej 30 metra katrorësh në terminalin e Aeroportit LAX.
Mënyra e kompozimit dhe trajtimit origjinal të kësaj muraleje zbërthen qytetin dhe rrugët e tij përmes një drite magjike. Shtëpitë dhe ndërtesat e larta krijojnë një larmi ngjyrash të pafundme.
Pas suksesit të murales në Aeroportin LAX, i cili vendosi ta mbajë si një vepër të përhershme, një tjetër aeroport, kësaj radhe Phoenix në Arizona, ka kërkuar për të projektuar një dysheme ‘terrazzo’ prej 1,500 metrash katrorë në Aeroportin Phoenix Sky Harbor, si dhe 28 vizatime të mëdha në mënyrë që të krijojë një përvojë përjetuese artistike për ambientet e brendshme.
Së fundmi Logoreci është përzgjedhur për të krijuar vepra që do të fabrikohen në një material të qëndrueshëm dhe do të vendosen në pjesën e jashtme të një stacioni të ri zjarrfikësesh në San Diego.
Për vitin e ardhshëm Susan Logoreci është duke planifikuar një ekspozitë personale në Tiranë.
Në bashkëpunim me “Monitor” Susan Logoreci ofron disa nga vizatimet e saj për tregun e artit në vendin tonë.
Përgatiti: Genc Përmeti
Rubrika “Arti në Monitor”
Për artdashësit lexues të “Monitor”, prej kohësh kemi publikuar rubrikën “Arti”, në të cilën kemi sjellë artistë të ndryshëm të artit pamor, me disa nga veprat e tyre. Kemi zgjedhur të njohim lexuesin me artistë, që kanë bërë emër në Shqipëri, por edhe me artistë të cilët janë në rrugën e tyre të zhvillimit. Kjo rubrikë na ka ndihmuar si ne, ekipin e “Monitor”, dhe besojmë edhe lexuesin e revistës, të përfshihemi për disa minuta në bukuritë e ngjyrave, formave, peizazheve për të kënaqur syrin, mendjen dhe shpirtin.
Në këtë periudhë pandemie, vendosëm të rijetësojmë rubrikën e artit, në bashkëpunim me z. Genc Përmeti, duke sjellë këtë numër një veprat e Susan Logorecit, një artiste që na shpërfaq shumë dimensione vëmendjetërheqëse; është e re, e lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë, me origjinë shqiptare siç e rrëfen mbiemri i saj, e cila po ndërton karrierën e saj në SHBA me një profil të veçantë: peizazhet e qytetit të sotëm në këndvështrimin aerial, një këndvështrim i cili të grish të zhytesh në qytetin që Susan na e ofron.
Por si një revistë e profilit ekonomik, i kemi sjellë lexuesit edhe diçka më tepër, kuptimin e tregut të artit, lidhjen e cilësisë artistike me vlerën e saj, sepse edhe arti ka nevojë të vlerësohet, sa me denjësisht, dhe të përftohet nga adhuruesit e tij në formën klasike të përftimit të gjithçkaje apo të kryerjes së investimit: përmes transaksionit të blerjes. Siç është shprehur dhe me shumë sinqeritet vetë autorja: “Nëse ju pëlqen ajo çka bëjnë artistët, gjeni një mënyrë për t’i mbështetur. Blerja e veprave të tyre është mënyra më e drejtpërdrejtë dhe më e mirë, por mbështetja mund të jepet në shumë forma dhe mund të jetë diçka e vogël si promovimi i punës së tyre në media sociale, ose madje edhe duke i dërguar thjesht një email përkrahjeje”. Ne në “Monitor” besojmë se e kemi gjetur mënyrën tonë dhe mendojmë se po kontribuojmë sado modestisht në mbështetjen e artistëve dhe në përhapjen e artit e të kulturës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.