Artan Peqini është një ndër artistët më aktivë në artet figurative në vend dhe jashtë gjatë tridhjetë viteve të fundit.
Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve në vitin 1989, menjëherë ai merr pjesë në ekspozitat e kohës, si ajo e Pranverës dhe e Nëntorit.
Duke pasur një formim si skulptor, ai përfitoi njohuri të shumta në trajtimin e vëllimit në hapësirë. Në të njëjtën kohë, specializimi në mediumin e qeramikës e bëri që të zhvillonte shqisat në trajtimin koloristik të këtyre vëllimeve, të cilat do t’i shfrytëzonte si elemente artistike në dekadat në vazhdim.
Vajtja e tij në Itali përkoi me vendosjen në Savona, ku teknikat e qeramikës janë një lloj krenarie rajonale.
Pas disa vitesh kontributi artistik në këtë zonë, e cila pasoi me një sërë ekspozitash në mediumin e qeramikës, ku përveç ndërtimit të formave metafizike prevalon dhe tentativa e ndërtimit të raporteve koloristike përmes kombinimit të llojeve të baltës, si dhe teknikave të pjekjes së saj, Artan Peqini filloi të vlerësohet si një artist me një përqasje ambigue, duke mos respektuar konvencionin tradicional të këtij mediumi, porse në ndërtimin e një narrative personale, ku të gjitha mjetet viheshin në shërbim të metaforës.
Kthimi në atdhe përkoi dhe me fillimin e një kontributi në jetën akademike si profesor i skulpturës, ku është aktiv për mbi njëzetepesë vjet.
Gjatë kësaj kohe, ai ka krijuar disa nga monumentet më të rëndësishme të eksterierit, si ai i Hasan Prishtinës brenda dhe jashtë vendit, Fan Nolit, Isuf Myzyrit, etj.
Por ndërkohë, ai arrin të ruajë balancën e krijimeve intime, e cila përbën dhe ADN-në e krijimtarisë së tij.
Pas një përvoje të gjatë në trajtimin e vëllimeve skulpturore në teknikën e qeramikës, ku intensiteti koloristik ka një lloj velloje misterioze, Peqini fillon të hulumtojë mundësi të reja në transmetimin e narrativës që për të është tejet e rëndësishme.
Artan Peqini e sheh veten jo si një ilustrator të ngjarjeve, porse si një narrator dhe interpretues i historive personale të shtresëzuara në historitë familjare të disa brezave. Ndaj, për ta hulumtuar në mënyrë sa më efikase këtë sfidë, që për të është tejet personale, Peqini tashmë i është kthyer dydimensionalitetit të pikturës.
Përmes këtij mediumi, i cili ka qenë një mjet i pranishëm për Artan Peqinin, ai gjen mundësinë e zhvillimit të rrëfenjave intime në dekodimin e ngjarjeve të jetuara, por dhe ato irreale, ku dallimi mes realitetit dhe ëndrrës e humbasin kufirin mes tyre, duke u kthyer në një të vërtetë magjike, ku shikuesi ftohet të udhëtojë me personazhet të cilët kanë një vello sa të mistershme, por dhe një familjaritet që koha e ka mjegulluar, duke u kthyer në një lëndë magjike.
Të gjithë veprat lidhen me një fill njerëzor ku dashuria për subjektin konvertohet në një lloj çmalljeje me fëmijërinë e hershme, ku rrëfenjat e gjysheve filluan modelimin e koshiencës personale. Ndërtimi kompozicional, i cili duket se është jo më lëvizje dinamike, na bën që të përqendrohemi te mesazhi që personazhet po mundohen të na ofrojnë dhe na ftojnë të bëhemi pjesë e interpretimit të tyre.
Qëllimisht ngjyrat mbahen të përmbajtura, duke u orientuar nga organizimi i dritës dhe duke mos kërkuar të marrin protagonizëm.
Protagonisti në pikturat e Artan Peqinit është vetë historia, e cila flet me një gjuhë lakonike dhe tejet të sofistikuar, ku çdokush vendoset në hapësirën që i takon, duke u përpjekur të na transmetojë atë që ai përfaqëson.
Dhe një nga elementet që nuk mund të anashkalohen nga kompozimet e Artan Peqinit është dhe dashuria që ai na transmeton për këto personazhe, që na shohin përtej telajos me nostalgji, duke na bërë t’i rikthehemi një kohe që mendonim se nuk do ta përjetonim më.
Ajo që e bën më interesante ndërtimin piktorik të Artan Peqinit është uniteti i një harmonie stilistikore mes vizatimit, kompozimit dhe ndërtimit koloristik në ciklin e sapondërtuar prej tij, i cili së shpejti do t’i prezantohet publikut në një ekspozitë.
“Monitor” ofron disa nga krijimet më të fundit të Artan Peqinit në pikturë, si dhe një vepër skulpturore në mediumin e qeramikës. Veprat janë të përshtatshme veçanërisht për koleksionistët e artit, në kërkim të pikturave mira e të sofistikuara, që janë në kërkim të metaforave.
Genci Përmeti
Piktura e parë: “Dusk of Time” (Në muzg të kohës) – Teknikë vaj në kanavacë, 100 x 80 cm, 3,500 euro
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.