Veprimtaria sipërmarrëse bujqësore dhe blegtorale e z. Artur Dojaka shtrihet në një rrafsh kohor prej 15 vitesh dhe specializohet në produkte organike. Për atë të merresh me këto dy sektorë është çështje pasioni por kërkon mbi të gjitha edhe një plan të duhur biznesi. “Të jesh pjesëmarrës në aktivitetin e bujqësisë dhe blegtorisë e rëndësishme është që të jesh i pasionuar mbas kësaj fushe por ajo nuk mjafton nëse ne flasim për kryerjen e një biznesi. Pra duhet bërë një plan biznesi i mirëfilltë, i detajuar në përmbushjen e një sipërmarrje me një produktivitet të caktuar, që të justifikojë investimet përkatëse”, – shprehet ai.
Në fushën bujqësisë sipërmarrja e Dojakës është e fokusuar në mbjelljen e ullirit dhe përpunimit të vajit të ullirit. Për sa i përket blegtorisë, fokusi është si tek mbarështimi i gjedhit ashtu edhe tek ai i të imtave. Llojet e kafshëve të zgjedhura për veprimtarinë blegtorale janë lopët xherzi nga Danimarka dhe brunalpine nga Zvicra, delet lumiane, të cilat janë një racë autoktone, dhe dhi të racës alpine franceze.
Për sa i përket tregtimit të produkteve brenda dhe jashtë vendit, Dojaka shpjegon se vaji i ullirit mund të eksportohet, për arsye se prodhohet një sasi e konsiderueshme. Ndërsa për produktet e fermës, ai shprehet se ato janë të shitura në tërësi në tregun vendas. Në lidhje me këtë pjesë, ai vë në dukje nevojën që në një të ardhme të shtohet edhe kapaciteti i prodhimit të produkteve të fermës, duke theksuar se për të shtuar kapacitetin për produkte cilësore nevojiten jo vetëm investime financiare por edhe investim në kohë.
Sektorët bujqësor e blegtoral kanë nevojë për mbështetje nga shteti për të përparuar. Në lidhje me skemat që qeveria planifikon të ndërmarrë për të ndihmuar këto sektorë, Dojaka shprehet se është e rëndësishme që cilado skemë që aplikohet, duhet t’i shkohet deri në fund dhe të ketë vazhdimësi. “Është e rëndësishme që skemat që miratohen nga ekspertët dhe vendosen nga Ministria e Bujqësisë, t’u shkohet deri në fund, pra ai financim duhet të kryhet. Gjithashtu duhet të kenë edhe vazhdimësi”, – thotë ai.
Për sa i përket të ardhmes, Dojaka shprehet se ekonomia e vendit mund të rimëkëmbet nëse investohet në sektorë prodhues, siç janë bujqësia dhe blegtoria. Sipas tij investimi në këto sektorë është i sigurt dhe afatgjatë dhe si rrjedhojë nevojitet mbështetje për të gjithë ata që ndërmarrin veprimtari bujqësore dhe blegtorale. “Nëse pretendojmë që Shqipëria të eci përpara, pra të dalim nga një situatë e një varfërie të dukshme, që i gjithë vendi ka, është pa diskutim investimi në sektorin prodhues në Shqipëri. Unë vetë, duke qenë se jam i sektorit të bujqësisë mbështes dhe do të loboj fuqimisht për bujqësinë, pasi jo më kot ne kemi një kapacitet tejet të madh edhe profesional për sa i përket aktivitetit bujqësor. Shqipëria njihet që ka qenë një vend bujqësor në vite dhe kryesisht vend me një bujqësi të spikatur. Kjo falë një klime të përkryer që ne kemi. Ndërkohë në këto 3 vitet e fundit të paktën, duket gjithmonë e më në rritje, që jo vetëm fshatarët por edhe shumë investitorë i janë kthyer punës dhe e shohin të ardhmen e tyre tek bujqësia dhe blegtoria, gjë e cila iu garantoj se është një gjë shumë e sigurt por afatgjatë, prandaj duhet një mbështetje hap pas hapi e kujtdo, i cili riskon për t’u marrë me bujqësi dhe blegtori”, – thekson Dojaka.
Ekonomia e vendit mund të rimëkëmbet nëse investohet në sektorë prodhues, siç janë bujqësia dhe blegtoria. Investimi në këto sektorë është i sigurt dhe afatgjatë dhe si rrjedhojë nevojitet mbështetje për të gjithë ata që ndërmarrin veprimtari bujqësore dhe blegtorale
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.