Edhe këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit, ngase Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka vlerësuar se buxheti është planifikuar mirë dhe nuk ka nevojë të rishikohet. Rishikim të buxhetit nuk ka pasur as në vitin e kaluar. Buxheti për këtë vit është 2.3 miliardë euro.
Buxheti i Kosovës për vitin 2019 nuk do të rishikohet këtë vit, siç ka qenë gjithmonë praktikë. Qeveria ka vlerësuar se buxheti është i planifikuar mirë dhe s’ka nevojë për rishikim.
Në Ministrinë e Financave kanë thënë se bazuar në afatet kohore një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Madje në këtë institucion thonë se gjithçka është në përputhje me objektivat zhvillimore.
“Duke u bazuar në afatet kohore Rishikim të Buxhetit nuk do të ketë, por njëherit vlen të theksohet se Rishikimi i Buxhetin nuk është obligim ligjor. Buxheti për vitin 2019 është përgatitur në përputhje me planin e Qeverisë dhe në harmoni me prioritetet dhe objektivat zhvillimore duke u bazuar në dokumentet strategjike”.
Kurse sa i përket shpenzimeve shtesë, në këtë institucion thonë se kanë të drejtë ligjore që të marrë veprime sipas kërkesave për rialokim të mjeteve.
“Sa i përket shpenzimeve shtesë sipas vendimeve të ndryshme apo edhe të cilat vijnë si kërkesa shtesë nga organizatat buxhetore atëherë sipas Ligjit të buxhetit për vitin 2019, Neni15, në tremujorin e fundit Ministri i Financave ka të drejtën ligjore për të marr veprime sipas kërkesave për rialokim të mjeteve, nëse kërkesat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj as gjatë vitit të kaluar nuk kishte bërë rishikim të buxheti.
Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës kishin thënë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë meqenëse “buxheti është planifikuar mirë, sa nuk ka nevojë për rishikim”
Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual të tij, ka vlerën 2.3 miliardë euro. Ky është buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Kosova.
Buxheti prej 2.3 miliardë euro, nga zyrtarët e qeverisë është konsideruar të jetë i realizueshëm, i qëndrueshëm dhe që ruan stabilitetin fiskal./Fatos Shala për Monitor.al./
I
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.