Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Fondin e Sigurimit të Depozitave të Turqisë.
Sipas njoftimit të ASD, marrëveshja u nënshkrua më 7 Tetor 2019, në Stamboll, Turqi, me rastin e mbledhjes vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI), nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Z. Genci Mamani dhe Z. Muhiddin Gülal President dhe Kryetar i Bordit Drejtues të SDIF.
Institucionalizimi i bashkëpunimit midis autoriteteve të sigurimit të depozitave të Shqipërisë dhe Turqisë, përfaqëson një hap të rëndësishëm për Agjencinë në zbatimin e prioriteteve strategjike të përcaktuara në planin afatmesëm të institucionit.
Marrëveshja zyrtarizon urat e bashkëpunimit institucional ndërmjet të dy autoriteteve përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
ASD vlerëson se marrëveshja është një zhvillim domethënës duke marrë në konsideratë eksperiencën e SDIF si një nga institucionet e para të krijuara për këtë qëllim (krijuar në vitin 1983) dhe që ka një mandat të gjerë që shtrihet nga sigurimi i depozitave, zgjidhja bankare, rimarrja, etj.
Drejtuesit e të dy institucioneve shprehën angazhimin reciprok për të zbatuar protokollet e marrëveshjes dhe për të shtirë bashkëpunimin në të gjitha disiplinat me interes të përbashkët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.