Asgjë e re nga anti-informaliteti

24/07/2019 4:01 PM 0 komente

Anti-informaliteti është kthyer sërish katër vite më pas si “shpata e Demokleut” mbi kokën e biznesit. Kryeministri ka nënvizuar se do të ketë zero tolerancë ndaj atyre që kapen në shkelje, duke sjellë në vëmendje kuponin. Biznesi i vogël mendon se kambanat bien pikërisht për të, ashtu si katër vite më parë kur u gjobitën, çuan në faliment dhe “dënuan” vetëm ata. Për këtë grup nuk ka asgjë të re në betejën e radhës.
Organizmat e bizneseve, nga ana tjetër, e mbështesin synimin për të ulur informalitetin dhe për të rritur konkurrencën e ndershme, por nënvizojnë se kjo nuk arrihet me aksione sporadike. Bashkë me këto masa duhet të merren edhe të tjera, si ulja e taksave apo lehtësimi i mëtejshëm i procedurave tatimore, duke nënvizuar se gjobat nuk janë zgjidhja.

 

Nga Nertila Maho

 

Fillimisht, largimi i beftë i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Enton Duro, dhe më pas një dalje e menjëhershme e Kryeministrit me Drejtoren e re në këtë detyrë, lajmëruan furtunën e radhës tek biznesi. Anti-informaliteti dhe kuponi tatimor do të ishin dy epiqendrat ku do të rrotullohej diskutimi, duke risjellë edhe një herë para publikut panoramën e vitit 2015. Deklaratat njëlloj, tonet njëlloj, edhe koha njëlloj, fiks pas zgjedhjeve, veçse atëherë ishte gusht, këtë herë korrik.

Këtë herë kishte edhe një arsye të re se pse ka lulëzuar informaliteti dhe së pari ju faturua situatës së trazirave politike, që kanë pasur ndikim negativ sipas Kryeministrit mbi sipërmarrjen dhe administratën. Por Kryeministri Rama nuk tha se pse “jemi në kushtet kur dhënia dhe marrja e kuponit është rikthyer në nivelet më të ulëta përpara sesa të niste lufta shumë e vështirë, por e domosdoshme, kundër informalitetit. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e administratës tatimore për t’u adresuar në mënyrë sistematike dhe pa asnjë tolerancë, ashtu sikundër është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e administratës tatimore që në këtë drejtim të mos kthehet mbrapa në praktikat dhe sjelljet e shëmtuara agresive të së shkuarës”.

E fill pas kësaj, ajo që ka pasuar, kanë qenë raste të tëra biznesesh të fotografuara me shirita pezullim aktiviteti dhe të postuara me radhë në rrjetet sociale nga përfaqësues të qeverisë.

 

Tatimet: Ja çfarë përfshin plani kundër informalitetit, sektorët në fokus

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila bashkë me Inspektoratin e Punës do të jenë udhëheqëset e aksionit, po punojnë në bazë të një plani operacional. Në një prononcim për “Monitor”, vetë DPT thotë se ky plan parashikon se lufta ndaj informalitetit do të jetë sistematike bashkërenduar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mes institucioneve të linjës, në të gjithë territorin e vendit, me vëmendje të veçantë zonën bregdetare dhe pa kompromis ndaj të gjitha bizneseve, të cilat punojnë në të zezë apo në kushtet e mashtrimit tatimor.

“Plani operacional nënkupton kontrollin, konstatimin dhe marrjen e masave ligjore në të gjitha ato subjekte, të cilat në analizën e riskut kanë elemente të evidentuara për mosdeklarim korrekt; ato subjekte që ushtrojnë aktivitet në të zezë, duke mos deklaruar punonjësit, apo duke fshehur të ardhurat.
Prej disa muajsh, Administrata Tatimore ka realizuar një fushatë intensive ndërgjegjësimi ndaj subjekteve në të gjithë vendin, duke dhënë të gjithë informacionin e nevojshëm orientues për deklarimin tatimor, në përputhje me ligjin dhe procedurat tatimore.

Masat e këtij plani operacional mbrojnë biznesin e ndershëm nga konkurrenca e pandershme, e atyre subjekteve që kanë zgjedhur të punojnë në të zezë, duke sfiduar me dashje ligjin dhe institucionet ligjzbatuese.

Strukturat e Monitorimit në Terren, në bashkërendim edhe me institucione të tjera, do të kontrollojnë subjektet në të gjithë vendin, me vëmendje të veçantë në zonat turistike, për deklarimin e punonjësve, lëshimin e kuponit tatimor, ndërsa verifikohen për regjistrimin dhe deklarimet në organet tatimore. Në fokus mbeten sektorët e evidentuar me risk të lartë si turizmi, ndërtimi, karburantet, por lufta kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurrencën e ndershme në treg, gjë që dëmton bizneset e rregullta, qytetarin punëkërkues, konsumatorin fundor dhe buxhetin e shtetit”, shprehen Tatimet.

 

Biznesi: Lufta të mos jetë sporadike apo me fushata

Biznesi e ka mbështetur idenë për një luftë ndaj antiinformalitetit por ata e shohin këtë në dy aspekte. Së pari, kjo nuk mund të bëhet me fushata sporadike dhe aksione që zgjohen një herë në ca vjet. Luan Bregasi, nga Business Albania, nënvizon se duhet të jetë një punë periodike që t’i imponojë biznesit mentalitetin e të qenët korrekt me organet tatimore. Edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se aksionet nuk duhet të jenë sporadike dhe gjoba nuk mund të shihet si zgjidhja e vetme.

Së dyti, përfaqësuesit e këtyre organizmave të biznesit nënvizojnë se qeveria duhet të ketë një qasje të re karshi politikave të saj. “Shqetësuese për ne mbetet hartimi dhe menaxhimi i sektorëve prioritarë të ekonomisë, një zhvillim menaxherial i territorit, e parë kjo në kuadër të luftës kundër informalitetit që mund të cenojë zhvillimin ekonomik apo qëndrueshmërinë e tij. Përqasja graduale për formalizim kërkon një strategji të integruar kundër informalitetit” shprehet Jaka.

 

Të vegjlit, të frikësuar: Po favorizohen të mëdhenjtë

Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël, shprehet se fakti që theksi vihet tek kuponi do të thotë se edhe këtë herë, ashtu si në të kaluarën, ai që do të përndiqet është biznesi i vogël. Ai nënvizon se qeveria me dashje ka favorizuar informalitetin dhe se administrata tatimore nuk ka bërë punën e saj teksa ka qenë e fokusuar te politika. Ai e cilëson aksionin si një thikë me dy presa që do të ketë efekte negative te biznesi, pasi e frikëson atë teksa thekson se po favorizohen të mëdhenjtë.

“Do të tkurrë biznesin nga njëra anë dhe do të shtojë frikën, sepse jemi në një situatë kur biznesi i vogël është më i godituri. Edhe vetë kryeministri, në fjalën e tij, doli e foli për kuponin, që e lëshon kryesisht biznesi i vogël. Më shumë sesa një aksion ngjan me një strategji që po ndjek kryeministri për të favorizuar monopolet dhe të mëdhenjtë.

Që nga 2014 e në vazhdim kanë falimentuar 98 mijë biznese, 18,300 biznese në vitin 2018 dhe në 6 muaj të këtij viti, gati 9 mijë biznese. Pse nuk bëhet një analizë ku të jepen arsyet, por zgjidhja është gjithmonë një aksion që në fund tremb, korrupton apo detyron biznesin për të votuar atë që është në qeveri. Këto nisma janë të paefektshme dhe nuk kanë efekt afatgjatë në rregullimin e ekonomisë”, shprehet Nasto.

 

KE: Informaliteti mbetet i lartë, deri 40% vetëm tek TVSH-ja

Komisioni Europian, në raportin e tij, për programin ekonomik të Shqipërisë nënvizonte informalitetin si një nga pengesat më të mëdha të ekonomisë. Duke u ndalur në disa zëra të taksave, ky raport tregonte se shifra e informalitetit tek TVSH-ja arrin deri në 40% të potencialit të saj.

“Edhe pse është bërë progres domethënës në mbledhjen e taksave dhe administrimin të ardhurat si përqindje e GDP-së mbeten poshtë mesatares rajonale dhe sistemi i sigurimeve shoqërore vuan nga një deficit i lartë. Mobilizimi i ulët i të ardhurave është kryesisht si efekt i nivelit të lartë të ekonomisë informale, por edhe si efekt i evazionit fiskal te sigurimet shoqërore edhe në ekonominë formale (për shembull deklarimi i pagave të ulëta).

Evazioni tek TVSH-ja vlerësohet në 30-40% të potencialit të kësaj takse dhe rreth 30% e atyre që punësohen mbeten të padeklaruar. Për më tepër, prezantimi i përjashtimit nga taksat për të lehtësuar investimet minon arkëtimin e të ardhurave dhe promovojnë mashtrimin me taksat, sepse komplikojnë sistemin e taksave dhe e bëjnë më pak transparent” thuhet në raport.

 

FMN: Shqipëria ka efektivitetin më të ulët të grumbullimit të TVSH-së

Shqipëria rezulton të ketë efektivitetin më të ulët të grumbullimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në rajon. Sipas një analize të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e dytë të marrëveshje së re, kjo renditje e dobët e Shqipërisë vjen për shkak të intensitetit të lartë të përjashtimeve, normave të reduktuara dhe grumbullimit të dobët të saj.

“Masa e fundit për uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 lekë 2 milionë duhet të rishqyrtohet” rekomandoi FMN në kuadër të disa rekomandimeve që synojnë të përmirësojnë efektivitetin e tatimit.
Në 13 vende të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, FMN e renditi Shqipërinë të parafundit për efektivitetin e një prej tatimeve më të rëndësishme që furnizojnë arkën publike të të ardhurave.
Vlerësimi i efektivitetit të TVSH-së në Shqipëri dhe masat për ta përmirësuar atë varen shumë nga hartimi i politikave dhe suksesi zbatimit të tyre, raportoi Fondi.

FMN i ka kushtuar vëmendje uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që filloi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar, për të cilën Fondi u shpreh që në fillim kundër, pasi do të rriste barrën tek administrata tatimore dhe nuk pritej të ndikonte në uljen e evazionit. Sipas analizës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e zgjerimit të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut. Reduktimi futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo rriti me gati një të tretën bizneset në TVSH.

Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi krijon një barrë të shtuar në DPT, kundrejt një kthimi të ulët, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of