Ka shpesh një moment kur mbetesh pa fjalë, pavarësisht arsyeve. Shqipëria po e jeton pa frymë këtë moment, edhe pse ka shumë për të thënë.
Nuk kishim asnjë iluzion nga Samiti i fundit i Berlinit.
Shqipëria sërish gjeti një derë që nuk hapet për të çelur negociatat. Ndodhi sepse, që nga viti i kaluar, kur u premtua një datë e afërt dhe e sigurt, asgjë nuk ndryshoi. Madje, gjërat rrodhën më keq.
Reforma në Drejtësi ka zënë në rrjet peshq të vegjël dhe rezultatet e pritshme nga publiku, por edhe Bashkimi Europian, janë ende larg.
Vendi po jeton një krizë politike të rëndë, ku palët nuk kanë gjetur ende një pikë kontakti. Ndërkohë në vend, krimi sipas shifrave zyrtare, ka njohur rritje. Nuk është krimi i rëndomtë i rrugës, por shpërthimi i krimit më të organizuar që shfaqet në skenë sa herë institucionet janë në krizë profesionale, besimi e angazhimi për detyrat që duhet të përmbushin.
Edhe shpirti sipërmarrës po mpaket. Jo vetëm se ekonomia parashikohet që të ulë ritmet, por sepse në treg ka pak besim dhe optimizëm. Në këtë klimë gri dhe ku asgjë nuk ndryshon, po zhvillohet çdo ditë drama e qytetarit. Ja se çfarë thonë telegrafikisht të dhënat e fundit zyrtare:
Papunësia është ulur vetëm për individët me arsim bazë, praktikisht të pakualifikuar dhe të keqpaguar, ndërkohë që papunësia afatgjatë është rritur me 2.6% në vitin 2018.
Gati 33 biznese në ditë janë mbyllur në muajin prill, rezultati më i lartë i viteve të fundit.
Ndërmarrjet e vogla raportuan rënie të nivelit të shitjeve me një balancë neto negative prej -5.6% dhe ulje të fitimeve me 3.3% gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018.
Tatimeve u mungojnë në arkë rreth 13 milionë euro vetëm për tre muajt e parë të vitit, duke na bërë pesimistë për të ardhmen e investimeve publike, në mos në pritje të shtrëngesave fiskale.
Borxhi që qeveria u ka bizneseve dhe individëve deri në fund të 2017 arriti 1,5 miliardë, shifër kjo më e lartë se të tretët u detyrohen qeverisë. Kjo është hera e parë që ndodh së paku pas 2013-s. Praktikisht jemi duke sponsorizuar qeverisjen në paaftësinë e saj.
Edhe procesi i integrimit, i cili mund të ishte një çelës potencial për të ringjallur optimizmin dhe tregjet, për momentin nuk po funksionon. Komisioni Europian, në raportin e fundit “Cilësia e jetës – Cilët janë fituesit dhe humbësit”, ku përfshihet edhe Shqipëria, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, vëren se kënaqësia e jetës ka pësuar rënie dramatike sidomos te grupmosha më vitale dhe më me përvojë e popullatës.
Javën e kaluar, zëra racionalë të ekonomisë, duke bërë një apel publik, parashtruan se, nëse kriza politike do të zgjasë, vendi do të ballafaqohet me probleme serioze e të mëdha ekonomike dhe sociale. Pra jemi keq dhe përpara nuk po shikojmë më mirë.
A jemi të gjallë apo thjesht marrim frymë?! Për momentin, asgjë nuk po ndryshon… Ky është ai momenti kur mbetesh pa fjalë, por, pas tij, nis revolta.
Shpesh ne shqiptarët jemi revoltuar gjatë historisë sonë të vjetër e të re në demokraci. Herë duke e braktisur masivisht vendin si emigrantë e herë duke u shfaqur me kryeneçësi vrastare ndaj jetës. Në të gjitha herët, kjo ka ndodhur kur timonin e ka marrë në dorë vetëm një njeri dhe kur të gjithë të tjerët janë ndier të përjashtuar. Në po këto herë, të gjitha kostot i kanë paguar Shqipëria dhe shqiptarët, asnjëherë timonieri. Prandaj është koha të përfitojmë, qoftë edhe nga qetësia përpara furtunës, që pjesa më e përgjegjshme e politikës vendase me peshë dhe integritet te publiku të angazhohet, pa e abstenuar situatën dhe të veprojë që momente të tilla të dhimbshme të historisë sonë, të mos përsëriten më.
Nga Berlini u kuptua se asgjë nuk ka për të ndodhur…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.