Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet në një nivel tejet të lartë. Autoritetet në Kosovë, thonë se gjatë vitit 2018 kanë orientuar politikat ekonomike zhvillimore drejtë uljes së papunësisë. Megjithatë, të dhënat për papunësinë të publikuara të martën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bëjnë të ditur se shkalla e papunësisë në Kosovë në vitin e kaluar ishte 29. 6 për qind.
“Sipas rezultateve të AFP-së, në vitin 2018 shkalla e papunësisë është 29.6%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 33.4%, krahasuar me meshkujt, 28.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.4%”, thuhet në publikimin e ASK.
Sipas rezultateve të AFP-së, në vitin 2018 fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.1%, me fokus të veçantë te femrat me 81.6 %, krahasuar me meshkujt me 36.7%.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.
“Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.9%. Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2018 është 28.8%”.
ASK ka bërë me dije se punësimi me i lartë është te meshkujt (45.3%), ndërsa punësimi te femrat është 12.3%.
“Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.9 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 43.0%”.
Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.0%; ndërtimtaria me 11.9%; arsimi me 11.3%; dhe prodhimi me 10.3%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
“Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 25.5% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 74.5% kanë kontratë të përkohshme”, thuhet në raportin e ASK-së.
Anketa ka pasur shtrirje në 1 047 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 570 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.
Për papunësinë në Kosovë gjatë ditës së sotme ka folur edhe Banka Botërore. Zyra e BB në Kosovë ka prezantuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Drejtori i kësaj zyre, Marco Mantovanelli, gjatë prezantimit të raportit ka theksuar edhe mangësitë e tregut të punës në Kosovë.
“Krijimi i vendeve të punës është ngadalësuar, nuk ka vende të reja të punës. Në Kosovë ka nevojë për rritje ekonomike që krijojnë vende të punës”, tha Mantovanelli duke shtuar se kjo rritje ekonomike është shtyrë nga investimet publike.
Sipas raportit të BB-së, mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur në vitin 2018, ndërsa shkalla e papunësisë është rritur gjatë vitit të kaluar. / Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.