Statistikat e ecurisë ekonomike për vitin 2020 habitën shumëkënd. Pas një tkurrje prej -5.5% për 9-mujorin, ekonomia bëri një kthesë të papritur, duke u zgjeruar me gati +3% në3-mujorin e fundit.
Ecuria pozitive, që në fakt nuk ishte konstatuar as në dy 3-mujorët e parë të 2019-s, kur vendi ishte në një situatë normale, zvogëloi ndjeshëm treguesin e rënies vjetore në vitin 2020, në -3.31%, të paktën dy herë më të ulët sesa pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikonte një tkurrje deri në 9%, si rrjedhojë e varësisë së vendit nga turizmi).
Në3-mujorin e dytë të 2020-s, kur vendi ishte në karantinë totale, rënia ekapërceu -10%, por përmirësimi në pjesën e dytë të vitit ua kaloi dhe pritshmërive më optimiste.
A tregojnë këto shifra, pozitive në pamje të parë, se ekonomia arriti ta përballojë me sukses krizën që shkaktoi Covid-19 në ekonomi? Për t’i dhënë përgjigje pyetjes duhet parë se nga cilët sektorë erdhi përmirësimi dhe sa u përkthye në punësim dhe të ardhura për individët.
Rezultati është zhgënjyes. Dy janë sektorët që kanë udhëhequr rritjen; I pari, që nuk e ka ndier pandeminë në asnjë moment është aktiviteti i pasurive të paluajtshme, me rritje reale vjetore prej gati 7%. Asnjë logjikë ekonomike, përveç informalitetit, nuk e shpjegon se pse duhet të rritej ai, ndërkohë që konsumi u tkurr, bankat u stepën për të dhënë hua. Sektori i dytëështë ndërtimi, sidomos në 6-mujorin e dytë të vitit. Është i dukshëm shtimi i volumeve të tij, mjafton të ngresh kokën në çdo rrugë të kryeqytetit.
Është e vërtetë që edhe rindërtimi ka dhënë efekt, por pesha e tij ishte e ulët, pasi pandemia e vonoi procesin, duke bërë të mundur vetëm realizimin e 50% të planit të planifikuar në buxhet. As kredia e dhënë nga sistemi bankar nuk e shpjegon këtë hov të ndërtimit, me huanë e re për këtë sektor,e cilara me gati 10% në vitin 2020.
Përtej shifrës së ecurisë në makro, sa e kanë nxitur dhe zbutur realisht krizën aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit?! Sidomos i pari ka një efekt pothuajse zero, me numrin e të punësuarve qëështë më pak se 1% e totalit. Përkundrazi, fryrja e flluskës vetëm sa i ka shtrenjtuar çmimet e apartamenteve, ndërkohë që pagat kanë qëndruar pothuajse në vend prej vitesh. Ndërtimi ka një efekt pozitiv afatshkurtër, sinë punësim (me gati 10% të totalit) ashtu dhe në nxitjen e zinxhirit mbështetës, por në afat të gjatë, nuk isjell asnjë vlerë të shtuar ekonomisë.
Gjeneratorët e vërtetë të punësimit në vend, tregtia, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor, si dhe industria, që së bashku punësojnë rreth 64% të totalit në sektorin privat jobujqësor, janë humbësit e vërtetë të krizës. Janë këta sektorë që tregojnë se vendi është goditur me të vërtetë nga pandemia, e cila kufizoi konsumin e ndërpreu turizmin, që po ecte realisht mirë, duke çuar në kufijtë e mbijetesës mijëra subjekte dhe mbylljen e shumë bizneseve. Punësimi u ul, sidomos ai informal.
Gjetjet e Anketës së Tregut të Punës të INSTAT tregojnë se në fund të 2020-s u shtuan 43 mijë të papunë, të cilët nuk arritën t’i “ndihmojnë” as aktiviteti i pasurivetë paluajtshme dhe as ai i ndërtimit dhe për më tepër, as qeveria, që i la jashtë radarit të punësuarit informalë.
Një tjetër debat është dhe ai i përparësive që ndoqi të zgjedhë qeveria. Tremujori i katërt shënoi dhe valën më të egër të krizës së pandemisë. Shumë shtete tëEuropësu mbyllën sërish në mënyrë të rreptë, pavarësisht kostove që kjo mund të sillte në ekonomi. Qeveria shqiptare zbatoi vetëm kufizime minimale në orare dhe moslejimin e grumbullimeve masive për festat.
Presioni i sipërmarrjeve ishte i lartë, për të mos dëmtuar aktivitetin e bizneseve nga njëra anë. Në tjetrën, qeveria i kishte ezauruar pothuajse të gjithë stimujt fiskalë dhe praktikisht nuk i kishte mbetur asnjë armë për të mbështetur dhe një mbyllje tjetër. Rezultati tashmë dihet. Muajt nëntor dhe dhjetor ishin fatalë, deri në dyfishim të jetëve të humbura në vend. Por, ekonomia vazhdoi e qetë, duke ndihmuar në treguesit e rritjes.
Nëse i vë në peshore sektorët që kishin ecuri më të mirë, ecurinë e punësimit, sidomos atij informal dhe, mbi të gjitha, pasojat fatale në shëndetin e qytetarëve, atëherë ecuria e mirë e ekonomisë në një vit të vështirë ekonomik mbetet vetëm një iluzion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.