Flet Gjergj Bojaxhi, ekspert për çështjet e energjisë
Ndërtimet në zonat e mbrojtura apo parqe kombëtare kanë vite që vijojnë nga ana e atyre që kanë kontrata koncesionare për hidrocentrale por, së fundmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi për një fazë të re pezullimi. Ekspertë të fushës theksojnë se kjo praktikë e ndjekur shpesh ka rezultuar deri më tani me zero kontrata të prishura.
Gjergj Bojaxhi, në një intervistë për “Monitor” thekson se “ngrirja” e fundit e kontratave është thjesht një show mediatik dhe nuk pritet të ketë ndonjë rezultat konkret. Sipas tij, qeveria ka pasur pesë vite kohë të ndalojë kontrata në Parqe Kombëtare apo të mbyllë shtigjet ligjore që lejojnë këtë pjesë dhe nuk ka bërë asgjë. Nga ana tjetër, ai nënvizon se në një kontratë me një investitor, shteti është palë dhe jo mbret, çka nuk i jep të drejtën të marrë masa të tilla.
Së fundmi ka një ngrirje apo pezullim të kontratave për hidrocentralet që ende s’kanë nisur punë. A ka një bazë ligjore sot që mbështet këtë nismë që e kemi parë edhe më herët?
Do të thoja që nuk ka asnjë bazë ligjore për të ashtuquajturën ngrirje të kontratave. Ose ka një kontratë, ose nuk ka. Nëse ka kontratë, ka detyrime dypalëshe, që secila palë ose i ka respektuar, ose i ka shkelur. Kështu që deklarata për ngrirje kontratash është absurditet ligjor, i cili rrit kostot financiare të këtyre projekteve, për shkak të paqartësisë dhe pasigurisë ligjore që krijon për financimin për vazhdimin e tyre. Kjo kosto financiare në fund të ditës, përfundon si kosto më e lartë e energjisë elektrike dhe përfundon të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Ndryshimi ose përpjekjet për të treguar sikur diçka jashtëzakonisht e re do të ndodhë, që dikur merrej vetëm kur ndryshonte një qeveri, tani po ndodh nga një ministër te tjetri brenda së njëjtës qeveri. Kjo përforcon opinionin negativ që kanë investitorët e huaj për qëndrueshmërinë e politikave sociale dhe sektoriale dhe rrit pasigurinë për të investuar në Shqipëri.
A ekziston frika për implikime ligjore në kuptimin e gjykatës apo ankimit në arbitrazhe për ato kontrata që janë nënshkruar?
Çdo ngrirje apo bllokim i një kontratë ekzistuese është më se normale, që do të shoqërohet me kërkesë nga pala private për dëmin në biznes. Ministria nuk ka të drejtë të bllokojë një biznes që të ushtrojë një kontratë legjitime që ka. Edhe sikur kjo kontratë të jetë e firmosur nga ministria përkatëse. Në këtë rast s’mund të jesh vetë zot dhe vetë shkop. Ministria është palë, jo mbreti, në një kontratë dypalëshe.
Reagimi i fundit i ministrisë duket se erdhi pas situatës në kanionin e Holtës dhe një debati të gjerë lidhur me balancën mes turizmit dhe energjisë. A mendoni se ky është momenti i duhur për të marrë këto masa apo jemi vonë?
Qeveria shqiptare ka një mungesë koherence në mënyrë që të vendosë prioritetet sipas zonave, pra se cilat janë zonat ku do të ketë përparësi veçanërisht mjedisi dhe turizmi dhe cilat janë zonat në të cilat duam të kemi zhvillim, qoftë me investimet hidrike apo në ndonjë industri tjetër. Është shqetësuese që po shohim se dhe në Parqe Kombëtare jepen leje koncesioneve. Më shqetësuese është se kanë kaluar 5 vjet dhe kjo qeveri s’ka marrë asnjë veprim konkret për të qartësuar se në cilat zona të mbrojtura nuk duhen ndërtuar hidrocentrale apo të bllokojë shtigjet ligjore që janë përdorur si justifikim dhe si mënyrë për të ndërtuar në Parqe Kombëtare.
Deri tani, në 5 vjet vetëm retorikë kemi dëgjuar dhe zonat e mbrojtura vazhdojnë të dëmtohen. Shqetësimi nuk shkon që po ndërtohet në Valbonë apo Holtë, por që s’kanë marrë asnjë veprim për të mos u dhënë leje në zonat e mbrojtura. Ne e dimë nga komunikimet me specialistët e fushës që nuk është ngritur asnjë shqetësim tek ministrat në lidhje me procedurat dhe respektimin e kontratave nga sektori privat. Departamentet dhe drejtoritë përkatëse nuk kanë bërë asnjë raport ku të shfaqin shqetësimin dhe të kërkojnë ngrirjen e kontratave koncesionare. Përkundrazi, në bisedat e brendshme dhe private me punonjësit, nënqeshin dhe e kuptojnë show-n mediatik të radhës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.