Aspak frikë, pas tërmetit të shtatorit, ulen sigurimet nga katasrofat

05/01/2020 11:03 PM 0 komente

Sjellja të siguruarve ka qenë në kahun e kundërt nga sa pritej pas tërmetit të 21 shtatorit. Ulen me 15 për qind shuma e siguruar dhe 23% dëmet e paguara. Shifrat e dëmeve janë shumëfishuar pas tërmetit të 26 nëntorit

Tërmeti i parë i fuqishëm i 21 shtatorit nuk pati dëme në njerëz dhe në shifra të mëdha të pronës dhe banesave krahasuar me tërmetin e 26 nëntorit që mori 51 jetë dhe shkaktoi qindra milionë euro dëme. Sjellja tipike konsumatore nënkuptonte një rritje të interesit për të siguruar banesat dhe pronat nga fatkeqësitë natyrore e sidomos tërmetet por shifrat zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë të kundërtën.
Primet bruto për sigurimin nga katastrofat kanë rënë me 15 për qind për periudhën janar-nëntor 2019 me janar-nëntor 2018 dhe thuajse të gjitha kompanitë e sigurimit kanë mbledhur më pak prime këtë vit.
Fushata promocionale e disa prej shoqërive të sigurimit për të ofruar mbulim në raportin 1(prim-pagesë) me 1000 (dëmi, pra 100 eur prim për dëme deri në 100 mijë euro) duket ka qenë e pasuksesshme madje të tre kompanitë që marketuan më së shumti sigurimin nga tërmetet kanë patur rënie të fortë të primeve të arkëtuara.
Një nga drejtuesit e shoqërive në treg i tha Monitor se interesi për tu siguruar nga tërmeti zgjati vetëm pak ditë pas ngjarjeve natyore të 21 shtatorit dhe askush nuk priste një tërmet të dytë që do të ishte katastrofik për dëmet që ka sjellë në Durrës, Fushë-krujë, Lezhë, Kavajë, Vorë etj., ku janë për tu rindërtuar qindra pallate më vlera të konsiderueshme.
Sa i përket ndarjes së tregut prej rreth 1.6 miliardë lekë (rreth 15 milionë dollarē) për këtë produkt Sigal Uniqa zë vendin e parë me rreth 42 për qind të tregut ndjekur nga Albsig me 21 % ndërsa pjesa tjetër e tregut ndahet mes shoqërive të tjera.
Por edhe dëmet e paguara deri në nëntor 2019, sigurisht pa përfshirë dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, janë ulur me 23 për qind për sigurimet nga forcat e natyrës. Por bilanci i kompanive të sigurimit do të përkeqësohet me të dhënat për gjithë vitin 2019 dhe muajt në vijim kur të shlyhen dëmet e tërmetit të 26 nëntorit e në vijim që kapin shifra disa herë më të larta dhe arrijnë disa dhjetra milionë euro.
Si rregull dëmet e marra përsipër nga shoqëritë shqiptare të sigurimit janë të siguruara pranë kompanive të mëdha botërore të risigurimit dhe vetëm 10 për qind e dëmeve paguhet nga kompanitë që veprojnë në Shqipëri ndërsa 90 % e tyre nga risiguruesit.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of