Ashtu si makinat me motor termik, edhe ato me bateri harxhojnë gjithashtu energji kur ndalen në trafik. Dhe kondicioneri është elementi që konsumon më shumë. Por, jo në një mënyrë shqetësuese. Dhe këtë e konfirmojnë testet
A keni menduar ndonjëherë se sa harxhon një makinë elektrike kur është në momente që nuk lëviz? Çdo muaj analizohet efikasiteti i modeleve të reja, duke zbuluar kilometrazhin, emetimet dhe kostot e funksionimit. Por, kur jeni në trafik, ndoshta me kWh që po mbarojnë dhe me makinën të palëvizshme për dhjetëra minuta nën diell me kondicionerin ndezur, mund të keni dyshimin se nuk mund të arrini në destinacionin tuaj ose në stacionin më të afërt të karikimit. Për këtë është analizuar konsumi aktual i energjisë gjatë qëndrimit të palëvizshëm të Audi e-tron Sportback në testin e qëndrueshmërisë.
URI PËR ENERGJI
Edhe kur qëndron në trafik, makina ka nevojë për energji elektrike. Vetëm mendoni për të gjithë teknologjinë në bord, e cila duhet të fuqizohet për të funksionuar. Infotainment, sistemi audio, dritat, por edhe sensorët e Adas, të cilët qëndrojnë gjithmonë vigjilentë, janë vetëm disa nga komponentët elektronikë që harxhojnë energji. Këtyre i shtohen njësitë e ndryshme të kontrollit dhe klimatizatori. Sistemi i kondicionimit të kabinës – i cili në makinat elektrike përdoret gjithashtu për të menaxhuar temperaturën e baterisë – është aksesori më i uritur për vat (deri në 1,8 kW), siç tregohet nga të dhënat që dolën nga testet. Me përpikmërinë e zakonshme të Qendrës së Testimit të “Quattroruote”, u aplikuan sensorë të ndryshëm në makinat elektrike në Ingolstadt, duke vënë në dukje se, në fund të fundit, konsumi nuk është aq i lartë. Për ta mbajtur të freskët, kur dhoma e pasagjerëve ftohet për tre orë, “shpenzohet” ekuivalenti i rreth dhjetë kilometrave autonomi.
JA SA KWH DIGJEN NË TRE ORË
Grafiku tregon se sa energji harxhoi kondicioneri i e-tron Sportback gjatë testit tre-orësh, i cili u zhvillua në një ditë të nxehtë vere. Mjaftuan disa minuta për të ftohur dhomën e pasagjerëve, duke shkuar nga 41,8 në 27 gradë, gjatë së cilës u regjistrua fuqia maksimale e kërkuar, e barabartë me 2,2 kW. Në kohën e mbetur, sistemi mbajti temperaturën në nivelet e përcaktuara, duke thithur (së bashku me komponentët e tjerë elektronikë) një total prej vetëm 2.6 kWh. Në një radhë hipotetike, kjo do të ndikonte vetëm në 2.8% të ngarkesës së baterisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.