Liqeni Hillier është një prej liqeneve rozë në Arkipelagun Recherche, në bregun e Esperancës.
I parë nga lart, ky liqen të krijon idenë e një flluske të madhe gjigante në ngjyrë rozë. Ai është rreth 600 metra i gjatë dhe rrethohet nga një shirit rëre me dendësi të lartë, pas të cilit vjen pylli me bimësi të shumëllojshme.
Një rrip shumë i ngushtë rëre e ndan atë nga Oqeani i Jugut.
Askush nuk e di me saktësi se përse liqeni ka marrë ngjyrën rozë. Shkencëtarët spekulojnë se kjo ngjyrë është krijuar nga bakteret e vdekura që jetojnë në kripën e ujit të oqeanit.
Këto liqene rozë datojnë që prej vitit 1802 dhe ju mund t’i shikoni nga lart nëpërmjet një udhëtimi me helikopter ose nëpërmjet një udhëtimi me anije nga Arkipelagu Recherche në Esperancë.
Liqeni Rozë është një tjetër liqen që shtrihet po në këtë zonë të Australisë, vetëm 7 kilometra larg nga qyteti i Esperancës.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare “BirdLife” ai është cilësuar si një prej zonave më të pasura me lloje të ndryshme zogjsh, të cilët rrallë gjenden edhe në vende të tjera.