Në raundin e dytë të Australian Open, tenisti serb eliminohet nga Denis Istomin, ndërsa Rafael Nadal kalon lehtësisht Marcos Baghdatis.
Novak Djokovic, numri dy i renditjes botërore dhe njëkohësisht 6 herë kampioni i Australian Open, u eliminua në raundin e dytë nga numri 117 në botë Denis Istomin, tenist nga Uzbekistani, i cili fitoi në 5 sete (7-6, 5-7, 2-6, 7-6, 6-4) pas pothuajse 5 orësh lojë. Djokovic nuk humbiste në raundi e dytë të një Grand Slam-i që nga viti dal 2008, kur u mund nga rusi Marat Safin në Wimbledon.
Fitorja e Istomin është historike sepse ndërpret dominimin e Nole-s (fitues në dy edicionet e fundit të Australian Open) duke futur në krizë serbin, i cili ka filluar luhatjet qysh në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, i mbyllur me rënien nga froni i numrit 1 të Botës.
“Denis e meritoi të fitonte, luajti më mirë në pikët decizive – ishin fjalët e para të Djokovic pas ndeshjes – E përgëzoj për këtë fitore. Ishte një ndeshje e gjatë, nuk pata intensitetin e duhur”. Në setin final Djokovic u duk mjaft i lodhur: Istomin pati nga ana e tij si armë kryesore shërbimin duke e merituar plotësisht këtë sukses.
Në ndeshjet e tjera të ditës, asnjë problem për Milos Raonic, gjysmëfinalist vitin e shkuar, i cili eliminoi në 3 sete (6-3, 6-4, 7-6) tenistin nga Luksemburgu Gilles Muller. Në raundin e tretë kanadezi do të përballet me francezin Gilles Simon, një kundërshtar mjaft i fortë. Kualifikohet gjithashtu me lehtësi edhe 37-vjeçari Ivo Karlovic që mundi 6-4, 6-4, 6-4 australianin Andrew Whittington: kundërshtari i radhës për kroatin do të jetë belgu David Goffin, i cili eliminoi veteranin çek Radek Stepanek 3-0 me sete (6-4, 6-0, 6-3).
Detyrë e thjeshtë për spanjollin Rafael Nadal, i cili mundi lehtësisht qipriotin Marcos Baghdatis, finalist në vitin 2006 në Melburn: Nadal u imponua në tre sete me rezultatin 6-3, 6-1, 6-3. Në raundin e tretë do të përballet me 19-vjeçarin gjerman Alexander Zverev. Një kundërshtar me një të ardhme mjaft premtuese, i cili e ka vënë shumë në vështirësi numrin 9 të botës vitin e shkuar në turneun e Indian Wells: edhe pse fitoi, tenisti nga Majorka u detyrua të anulonte edhe një match point gjatë asaj ndeshjeje.