Zvicerani fiton Grand Slam-in e 18
Mbreti u rikthye. Ai është Roger Federer. Në Melburn, zvicerani mposhti në finalen e Australian Open (Grand Slam-i i parë sezonal), spanjollin Rafael Nadal 3-2 me sete, me rezultatin 6-4, 3-6, 6-1, 3-6, 6-3.
Një betejë epike, që zgjati 3 orë e 37 minuta. Federer, 35 vjeç, nuk fitonte një Grand Slam që nga viti 2012 kur triumfonte për herë të 7 në Wimbledon. Ky është titulli i 5-të në Australi për tenistin helvet, i cili në vitin 2009 kishte humbur finalen pikërisht nga Nadal, sërish pas 5 seteve në Rod Laver Arena.
Pak muaj më parë ishte e paimagjinueshme një finale mes tyre, duke qenë se të dy ishin të detyruar të qëndronin jashtë fushave për shkak dëmtimi. Por ja që sërish spektakli i jashtëzakonshëm, që vetëm ky duel mund të dhurojë, u vu në skenë përsëri në Melburn.
Kjo ishte fitorja e tretë e Federer ndaj Nadal në një finale Grand Slam-i, dhe e para pas 10 vitesh (që nga Wimbledon 2007). Nga ana tjetër, spanjolli ka fituar 6 finale ndaj zviceranit. Të dy nuk ndesheshin në një finale Slam-i që nga viti 2011 (Roland Garros), dhe tani bilanci i përgjithshëm në 35 përballje shkon 12-23, gjithnjë në favor të tenistit nga Majorka.
Pas katër seteve të para dhe rezultatit të barabartë 2-2, filloi seti final, ai që të gjithë ëndërronin të shihnin. Ashtu si gjatë gjysmëfinales me Stan Wawrinka-n para fillimit të setit të 5-të, Federer shkoi në dhomat e zhveshjes për të marrë një medical time-out. Por si fillim nuk pati rezultat, pasi Nadal fitoi game e parë me shërbimet e kundërshtarit dhe më pas thelloi avantazhin në 3-1 me game. Në këtë moment fillon kthesa e pabesueshme e mjeshtrit zviceran. Janë pesë game radhazi, përfshirë dy me shërbimet e Nadal që i japin titullin e 18-të Grand Slam helvetit. Pika e fundit e ndeshjes ishte me të vërtetë emocionuese, pasi Nadal kërkoi rishikimin e pikës. Kur tabela e “syrit të fajkoit” tha “IN”, atëherë çdo gjë përfundoi dhe finales së mrekullueshme i erdhi fundi.
Federer është rikthyer të fitojë dhe të dominojë duke magjepsur botën me lojën e tij, thuajse perfekt. Kjo finale ishte përballja më e madhe e tenisit modern, mes dy rivalëve të përjetshëm, por njëkohësisht dhe dy miqve të mirë, të cilët së bashku tanimë numërojnë 32 tituj Grand Slam.