Automatizimi do të ulë vendet e punës

08/06/2018 10:06 PM 0 komente

Flet Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

 

Megjithëse kompanitë shqiptare nuk shquhen për novacion dhe investime në kërkim zhvillim, sërish revolucioni teknologjik do e prekë dhe vendin tonë. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë pohon se ne kopjojmë çfarë krijojnë dhe zhvillojnë kompanitë nëpër botë.

Nga ana tjetër, do të kemi dhe transferim të teknologjive nga industri të caktuara, si rrjedhojë e partneriteteve që kanë jashtë vendit. Por, ai paralajmëron se Shqipëria nuk është e përgatitur nga ana e edukimit për t’u përballur me tendencta globale. Shqipëria nxjerr studentë shumë të dobët, se e fillojnë mësimin me mënyrën e vjetër dhe e vijojnë deri në universitet me të njëjtën mënyrë.

Si po e ndryshon tregun e punësimit zhvillimi teknologjik?

Kur flasim për ndryshimet teknologjike duhet të ndalemi në dy momente: Çfarë po ndodh në botë dhe çfarë po ndodh në Shqipëri. Pse ne e lidhim me botën? Tashmë industritë tona, ose ekonomia jonë, janë të orientuara drejt rajonit dhe botës. Gjithçka që ndodh në ndryshimet teknologjike, në mos për dy apo tre muaj, brenda gjashtë muajve fillon të adoptohet edhe në Shqipëri. Këtu, ndikon edhe lëvizja e lirë e njerëzve, bizneset janë më të pranishme nëpër panairet e teknologjisë, shkojnë dhe nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse kopjojnë. Ne kemi mangësi të mëdha, nuk kemi kërkim shkencor, nuk kemi “research and development”.

Kompanitë tona nuk e kanë ende këtë qasje, që të kërkojnë dhe të zhvillojnë. Ne kopjojmë çfarë krijojnë dhe zhvillojnë kompanitë nëpër botë. Ne kemi edhe partneritete me jashtë. Industri të caktuara, që kanë partnerët jashtë, shkojnë marrin teknologjitë që përdorin. Pra, ndryshimi teknologjik botëror do të sjellë dhe këtu ndryshim. Vështirësitë e zbatimit tek ne janë pak më të mëdha, sepse nuk kemi subvencione apo financime të buta nga shteti për këto ndryshime teknologjike. Megjithatë, biznesi shqiptar po mundohet me aq fuqi sa ka nga ana ekonomike, që të adoptojë teknologji të reja.

Frika më e madhe (jo vetëm në Shqipëri, por edhe nëpër botë) është që automatizimi i proceseve të punës do të krijojë papunësi masive. Cilat janë pasojat që mund të ketë për ekonomi si e jona?

Ndryshimet teknologjike na çojnë automatikisht në dixhitalizim. Davos ishte pikënisja e industrive botërore, për të ndryshuar njëherë e mirë, për të dalë nga era e revolucionit të tretë industrial, për të përqafuar revolucionin e katër industrial. Kjo do të thotë, se po kalojmë nga mekanikë + elektronikë, në erën e elektronikës. Shumë gjëra do të ndryshojnë. Do ta përmend vazhdimisht, qasjen që kanë industritë shqiptare ndaj automatizimit. Disa industri shqiptare po e mendojnë automatizimin për dy arsye.

Së pari, se kemi krahun e punës joprofesional dhe pamundësia për të gjetur krahun profesional, që të bëjë proceset e punës me një kosto të mirë dhe me cilësi të mirë, është e vështirë. Kompanitë shqiptare duke qenë se kanë partnerë nëpër botë, marrin pjesë nëpër panaire. Aty kanë filluar të shohin se për atë industri të caktuar dikush ka menduar dhe ka krijuar robotin, ka bërë një makineri prerje, qepje, paketimi, ambalazhimi, etj., e gjitha e dixhitalizuar.

Sigurisht ka një kosto fillestare, e cila do të përballohet nga vetë bizneset. E thamë dhe më parë që nuk kemi financime të buta që të mundësojmë sa më shpejt qasjet ndaj automatizimit dhe robotizimit, por kanë filluar tashmë. Ne kemi industritë e para që kanë nisur të përshtaten me këtë situatë. Kishim një industri, e cila kërkonte 300 vende të lira pune, por nuk arriti dot për shumë arsye që të gjente krahë pune të specializuar, mori një vendim të madh.

Tashmë ka nisur implementimin e automatizimit e shumë proceseve brenda fabrikës. Kjo do të thotë ta përqafosh revolucionin industrial jo në mënyrë teorike, por në mënyrë praktike. A do të çojë automatizimi në uljen e vendeve të punës? Natyrisht që po. Ju kujtoj shprehjen, pak me shaka dhe pak me të vërtetë, që thotë: Duhet të fillojmë të mendojmë që duhet të taksojmë robotët. Miliarderi kinez e ka thënë vazhdimisht që baza e një zhvillimi është edukimi, qasja në botën dixhitale me automatizimin dhe robotizimin do të thotë që, shumë nga zanatet që ne kemi sot, nuk do të jenë më, sepse do të zëvendësohen nga robotët. Ai thotë se duhet t’i edukojmë brezat e ardhshëm, të mos mësojnë që të bëjnë atë punë që mund ta bëjnë robotët nesër, sepse njerëzimi do të jetë në shuarje. Do të mësojmë të bëjmë ato gjëra që kanë frymë, kanë shpirt, emocion, kreativitet që roboti nuk i bën dot.

Natyrisht një qeveri e përgjegjshme nis ta mendojë edukimin që në klasën e parë, se si do të jetë. Nuk duhet t’ju mësojmë fëmijëve vetëm 1+1 gjatë gjithë kohës. Duhet t’u mësojmë që të jenë krijues, të kenë emocion brenda punës. Ne nxjerrim studentë shumë të dobët, se e fillojnë mësimin me mënyrën e vjetër dhe e vijojnë deri në universitet me të njëjtën mënyrë. Shkollat profesionale dhe universitetet janë pjesa fundore e arsimimit. Ato nuk përgatisin punonjës të kualifikuar, janë lëshues diplomash. Kemi një çudi me universitetin, ku universitetet që duhet të ishin të profilizuara kanë filluar që të bëjnë gjithçka që bëjnë universitetet e tjera, sepse janë në garë për studentë dhe për të ardhura.

Cilët janë sektorët ku ndryshimi është më i prekshëm?

Sektorët që do të preken kryesisht do të jenë industritë. Një anëtar, pjesë e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, më tregoi me krenari se kishte bërë krahë të robotizuar për një industri plastike në Itali dhe i përdornin në industrinë e vet. Krahu robotik zëvendësonte së paku tre vende pune nga kjo shpikje. Sektorët që do të preken do të jenë kryesisht industria, por edhe shërbimet. Për shembull, në shërbimin call center do të përgjigjet një robot se pse ka në databazë çdo gjë që duhet të thotë, duke konvertuar të dhënat në zë. Bankat do të frekuentohen më pak dhe do të ketë më shumë automatë.

Shumë nga zanatet në industritë prodhuese do të zëvendësohen nga krahu robotik. Ekonomitë tona që nuk e mbështesin rritjen në “smart growth”, por vetëm në rritje ekonomike, do të mbeten prapa, nuk do të kenë eficencë, kostot do të jenë më të larta etj., dhe njerëzit do të jenë më të palumtur. Kompanitë do të jenë të parat që do të ndryshojnë mënyrën e qasjes, duke qenë se janë organizma private.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of