300 persona çdo vit humbin jetën në Shqipëri si pasojë e aksidenteve rrugore, ku një nga shkaqet kryesore është vjetërsia e automjeteve në qarkullim.
Në këtë konluzion kanë dalë Automobile Club Albania dhe shoqata e “Distributorëve e Importuesve Zyrtarë të Mjeteve Automobilistike të Reja”, të cilat në një konferencë për shtyp kanë deklaruar se mosha mesatare e makinave në Shqipëri është 18.4 vjet, shumë larg mesatares europiane që është 8 vjet.
Eno Zeneli, përfaqësues i Automobile Club Albania, ka paraqitur dhe një tjetër problem, atë të uljes së numrit të kilometrave në mjetet e përdorura. “Është problem i madh jo vetëm për humbjen financiare, por për faktin sepse këto mjete janë shumë të rrezikshme në rrugë. Tjetër mirëmbajtje kërkon një automjet që ka bërë 1 mijë apo 2 mijë KM, dhe tjetër kërkon një që ka bërë 60 mijë KM”, deklaroi Zeneli.
Albi Kuzmi, përfaqësues i shoqatës së “Distributorëve e Importuesve Zyrtarë të Mjeteve Automobilistike të Reja”, ka kërkuar futjen e normativës “Euro 5” si kusht për importin e mjeteve, duke shmangur në këtë mënyrë një sërë problemesh që sjellin mjetet e vjetra.
“Ajo për të cilën ne kemi shtyrë gjatë gjithë kohës është rritja e standardit të emisionit për Shqipërinë. Aktualisht jemi në standardin Euro 3 dhe kërkojmë që të jetë minimumi Euro 5”, sqaroi Kuzmi.
Me anë të një video-mesazhi, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare Automoblistike (FIA), Zhan Tod, u ka bërë thirrje shqiptarëve për më shumë kujdes në rrugë.
“Në Shqipëri mbi 300 persona vdesin çdo vit në rrugë. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë, ne duhet të veprojmë. Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur. Siguria rrugore është një përgjegjësi e të gjithëve. Si drejtues mjeti, vendosni rripin e sigurimit, respektoni limitin e shpejtësisë dhe kurrë mos konsumoni alkool kur jeni në drejtim”, apeloi Tod./TCH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.