Prej sulmit të 7 tetorit, 2023, të gjithë sektorët e ekonomisë në Izrael kanë pësuar rënie të konsiderueshme.
I njohur ndryshe si “Kombi i Start-up”, lufta nuk e ka penguar Shtetin e Izraelit të vijojë zhvillimin ekonomik, nëpërmjet zgjerimit të raundeve financiare, çeljes së start-up të rinj, fondeve të shtuara dhe blerjes së aseteve të huaja, të gjitha këto gjatë luftës.
Në një letër publike, Dror Bin, CEO i Autoritetit të Inovacionit të Shtetit të Izraelit, shprehet pozitiv për rolin e teknologjisë në rimëkëmbjen e plotë të ekonomisë së vendit.
“Autoriteti i Inovacionit të Shtetit të Izraelit është plotësisht i përkushtuar për të siguruar që shumë nga sipërmarrësit tanë të talentuar, start-up premtuese dhe kompanitë e teknologjisë së lartë do vijojnë të shkëlqejnë fort në të ardhmen.
Për këtë arsye, kemi çelur një plan emergjent financimi prej $100 milionë. Ky buxhet do të përdoret për zgjerimin e start-up që ishin në mes të fazës së mbledhjes së fondeve, në kohën kur nisi lufta” – shprehet Bin.
Më tej në letrën e tij, Bin sqaron se ky plan financimi është thjesht hapi i parë, pasi Autoriteti do të marrë masa shtesë për të plotësuar nevojat e sektorit të teknologjisë.
Ky autoritet është strukturë shtetërore, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë së Izraelit. Kujtojmë se për vitin 2022, The Economist e renditi Shtetin e Izraelit të katërtin ekonomikisht, në rang botëror.
Teknologjia luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Shtetit të Izraelit, kur vetëm në atë vit, sektori i teknologjisë së lartë përfaqësonte 48.3% të eksportit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.