Diferencat e mëdha në çmimet e energjisë elektrike mes tregut të lirë dhe atij të rregulluar po deformojnë konkurrencën mes bizneseve në tregun e qumështit.
Dy prej subjekteve më të rëndësishme të përpunimit të qumështit, në vend, kompanitë Erzeni dhe Gjirofarma, u janë drejtuar zyrtarisht Autoritetit të Konkurrencës, për t’u ankuar rreth trajtimit të pabarabartë në nivelin e tarifave të energjisë elektrike.
Këto ndërmarrje janë të lidhura në rrjet në nivel tensioni 35 kv dhe paguajnë tarifa energjie sipas tarifave të tregut të lirë, ndërsa pjesa tjetër e fabrikave janë të lidhura në nivele tensioni më të ulët 20 KV dhe po paguajnë tarifa fikse të subvencionuara pjesërisht nga qeveria, prej 18 lekë/kvh, më pak se gjysma e bizneseve në tensionin 35kv.
Pas vlerësimit të ankesës së ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të lidhura në nivel tensioni 35 kv, Autoriteti i Konkurrencës (AK) konstatoi se çmimi i energjisë në tregun e rregulluar është shumë herë më i ulët se në tregun e lirë.
Ky ndryshim iu lejon ndërmarrjeve që nuk kanë dalë ende në treg të lirë të kenë kosto energjetike më të ulëta se ndërmarrjet të cilat kanë dalë nga tregu i rregulluar. AK vlerëson se kjo situatë është krijuar për shkak të parashikimeve ligjore të cilat kanë lejuar operimin e tregut në kushte të pabarabarta.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë marrjen e iniciativës ligjore për rishikimin e ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar.
Kompania “Erzeni” është pjesë e grupit prej mbi 90 subjekte të lidhura në tensionin e lartë 35 kilovolt, të cilat, sipas ligjit, prej vitet 2018 sigurojnë energjinë në tregun e lirë.
Sipas të dhënave të deklaruara për “Monitor” nga Erzeni, para vitit 2021, çmimi i energjisë elektrike për këtë kompani ishte 8 lekë për kWh. Më pas, nga 1 korriku 2021, çmimi u rrit 62,5%, duke arritur në 13 lekë.
Në 1 janar 2022 çmimi i energjisë u rrit sërish, duke arritur në 34 lekë për kWh. Prej disa ditësh, fabrika u njoftua nga kompania private e furnizimit të energjisë se tarifa e shërbimit për periudhën 3-mujore, nga 1 tetori 2022 deri më 31 dhjetor 2022, do të jetë 59,5 për kWh.
Shtrenjtimi me ritme galopante i energjisë elektrike ka rritur ndjeshëm kostot e biznesit dhe është një nga arsyet që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij gjatë këtij viti.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e fabrikave të përpunimit të qumështit janë të lidhura në nivel të tensionit të mesëm. Në teori, edhe këto biznese duhet të dilnin në tregun e lirë të energjisë duke filluar nga viti 2022.
Por, për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike qeveria shqiptare u ka vendosur një mbrojtje të pjesshme tarifore, të paktën deri në fund të këtij viti.
Aktualisht, tarifa që pagujanë fabrikat e lidhura në tensionin e mesëm është pak më shumë se 18 lekë për kWh (pa TVSH), në rritje nga niveli 8.9 lekë për kWh i vitit 2021, por ende shumë më i ulët se ai që paguajnë për momentin e kompanitë të cilat blejnë në tregun e lirë.
Duke qenë se në sektorin e përpunimit të qumështit për disa fabrika aplikohen çmime të ndryshme të blerjes së energjisë elektrike, për administratorin e kompanisë “Gjirofarma” Piro Karanxha ky problem ndikon direkt në konkurrencën në treg, pasi disa kompani penalizohen dhe disa dalin të përfituara.
“Është shumë e rëndësishme që të unifikohen çmimet e energjisë elektrike për të gjitha kompanitë e sektorit, pasi situata aktuale krijon probleme në konkurrencën e ndershme. Në vazhdim dhe sipas situatës duhet parë dhe mundësia e subvencionimit të një pjesë të kostos së energjisë, por gjithsesi unifikimi i çmimit është i domosdoshëm dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.