Bazuar në gjetjet dhe analizën e bërë, rezulton se sistemi i administruar nga Star Broker krijon mundësi për ndarje të tregut dhe caktim në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve (primeve) të shitjes së produktit të policës së sigurimit për mjetet motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, pasi efekti i çdo veprimi në këtë treg me anë të këtij sistemi është i menjëhershëm dhe ka shtrirje në të gjithë tregun.
Tregu i sigurimeve është vënë sërish nën “lupën” e Autoritetit të Konkurrencës. Ky është hetimi i dytë i ndërmarrë nga ky institucion, pas atij të tetorit të vitit 2012, ku si rezultat u gjobitën tetë kompani pasi kishin fiksuar çmimin e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (TPL). Këtë herë, në hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, janë vënë nëntë kompani, përkatësisht: “Sigal Uniqa Group Austria”, “Sigma Vienna Insurance”, “Atlantik”, “Intersig VIG”, “Interalbanian VIG”, “Alb – Siguracion”, “Instituti i Sigurimeve”, “Eurosig” dhe “Ansig”. Mësohet se inspektorët e Autoritetit kanë ndërmarrë kontrolle të befasishme dhe kanë kërkuar informacione nga: Byroja Shqiptare e Sigurimeve, shoqëritë e brokerimit që veprojnë në këtë treg, si dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Gjatë procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimeve të detyrueshme, Autoriteti i Konkurrencës ka evidentuar disa konstatime për mungesën e zgjedhjes konsumatore nga sistemi MSHM i administruar nga Star Broker të policës së sigurimit për mjetet motorrike, si dhe kompanitë e sigurimit rreth 94% të tregtimit të policës në tregun e MTPL e tregtojnë nëpërmjet sistemit MSHM të administruar nga Star Broker.
Ndërkohë pa u shqyrtuar raporti i hetimit paraprak nga Komisioni i Konkurrencës, duke marrë shkas nga mediat e shkruara në lidhje me një rritje të primeve të policave të sigurimit të MTPL-së më datë 11 shkurt 2014, inspektorët realizuan një monitorim në tregun e sigurimeve në lidhje me primet e aplikuara për këto lloje policash sigurimi sipas parashikimeve. Nga monitorimi rezultoi se më datë 11 shkurt 2014, primet e aplikuara janë rritur në mënyrë të menjëhershme dhe në të njëjtin nivel nga të gjitha shoqëritë e sigurimit për të gjitha kategoritë e kësaj police sigurimi.
“Duke marrë parasysh që në bazë të ligjit nr. 10 455, datë 21.07.2011, ‘Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 076, datë 12.02.2009 ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit’, neni 10, pika 2 ‘shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut’, caktimi i çmimeve nga të gjitha kompanitë e sigurimit (9 shoqëri) në mënyrë të menjëhershme dhe në të njëjtin nivel mund të përbëjë shkelje të nenit 4, pika 1, germa a të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar.
Bazuar në gjetjet e mësipërme, në bazë të nenit 24, shkronja d, dhe nenit 42 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 305, datë 14.02.2014 vendosi për zgjatjen e periudhës hetimore të hetimit paraprak për tregun e sigurimeve të detyrueshme për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, deri më datë 28.02.2014.
Në bazë të nenit 35 dhe 36 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, autorizimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 69, datë 14.02.2014, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës ka realizuar inspektime për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një marrëveshje bashkëpunimit të mundshme midis konkurrentëve ose të një praktike të bashkërenduar mes kompanive”, bën të ditur Autoriteti.
Nga inspektimet e befasishme pranë ndërmarrjeve të sigurimit, Byrosë Shqiptare të Sigurimit, Star Broker Albania dhe Shoqatës së Siguruesve, janë administruar evidencat si vijon:
a) Vendimi nr. 12, datë 07.02.2014 “Mbi miratimin e Shoqërisë Anonime Star Broker sh.a.” i Asamblesë së Përgjithshme të Anëtareve që përcakton të gjitha shitjet e policave të sigurimit të detyrueshëm TPL nga çdo shoqëri sigurimi do të kryhen përmes sistemit Star Broker;
b) Vendimi nr. 36, datë 21.11.2013 “Mbi arkëtimin e primeve të produktit policë kufitare”, sipas të cilit të gjitha shitjet nga çdo shoqëri sigurimi do të kryhen përmes sistemit Star Broker, si dhe do të arkëtohen në një llogari të vetme qëllimore bankare dhe të njoftohet BKT se kjo llogari bankare do të administrohet nga Star Broker;
c) Vendimi nr. 34, datë 21.11.2013 “Mbi miratimin e Shoqërisë Anonime Star Broker sh.a.” me anë të të cilit është vendosur miratimi i Shoqërisë Anonime Star Broker sh.a. për shitjen e policave karton jeshil;
d) Vendim i Asamblesë nr. 25, datë 26.06.2013 “Mbi prodhimin, administrimin, tregtimin e policës për sigurimin e detyrueshëm kufitar dhe kartonin jeshil”, sipas të cilit primet e sigurimit të policës së sigurimit kufitar dhe kartonit jeshil të shoqërive të sigurimit derdhen në një llogari qëllimore nën administrimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, ose të një personi juridik të autorizuar prej saj;
Këto vendime mund të krijojnë kushte për një kufizim të konkurrencës referuar nenit 4 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Nga analiza e evidencave ekonomike të realizuara nga Autoriteti u konstatua se:
1) Gjatë muajit janar 2014, volumet e shitjeve të produktit MTPL nëpërmjet sistemit Star Broker, krahasuar me volumet e shitjeve të pasqyruara nga AMF, përbëjnë 96,9% të vlerës totale të primeve të shitjes së këtij produkti.
2) Të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregun e MTPL-së së brendshme, më datë 11 shkurt 2014 kanë aplikuar prime të shitjes pothuajse të njëjta, për të njëjtën klasë, për të gjitha kategoritë. Këto tarifa janë mbajtur të fiksuara (tri ditë) deri më datë 13 shkurt 2014. INSIG, në datë 13 shkurt 2014, reagon duke ulur tarifat, si dhe më datë 14 reagojnë të gjitha ndërmarrjet e tjera duke aplikuar tarifa të ulëta.
3)Nga inspektimi i sistemit MSHM është konstatuar se reflektimi në sistem i ndryshimit të tarifave për kategoritë MTPL është kryer në të njëjtën kohë, pavarësisht nga momenti i kërkesave për ndryshim të ndërmarrjeve respektive. Në disa raste, thjesht kërkohet të ndryshohen tarifat pa përcaktuar se kur; në disa raste të tjera, kërkesa është paraqitur pranë Star Broker, pasi tarifat janë ndryshuar në sistem; në disa raste tarifat janë ndryshuar me një apo dy dite vonesë referuar datës së kërkesës. Pavarësisht nga momenti i kërkesave për ndryshimin e tarifave, në sistemin MSHM, ato janë ndryshuar në të njëjtën ditë për të gjitha shoqëritë, me përjashtim të shoqërisë INSIG e cila në momentin e dytë të ndryshimeve ka ndryshuar tarifat që më datë 13.02.2014 (pothuajse në fund të ditës së punës).
4) Duke marrë parasysh që në bazë të Ligjit nr. 10455, datë 21.7.2011 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 076, datë 12.2.2009 ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit’”, neni 10, pika 2 “shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut”. Aplikimi i çmimeve të produktit policë e brendshme të sigurimit motorik MTPL nga të gjitha kompanitë e sigurimit në mënyrë të menjëhershme, dhe në të njëjtin nivel, mund të ketë ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të ndaluar, e cila përbën shkelje të nenit 4, pika 1, të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar.
5) Bazuar në gjetjet dhe analizën e bërë, rezulton se sistemi MSHM i administruar nga Star Broker krijon mundësi për ndarje të tregut dhe caktim në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve (primeve) të shitjes së produktit të policës së sigurimit për mjetet motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, pasi efekti i çdo veprimi në këtë treg me anë të këtij sistemi është i menjëhershëm dhe ka shtrirje në të gjithë tregun.
6) Star Broker duket qartë se nuk luan rolin e mirëfilltë të një brokeri ose një shoqërie të mirëfilltë brokerimi në sigurime, pasi luan rolin e ofruesit të shërbimit të administrimit të sistemit të tregtimit të policave TPL praktikisht për të gjitha shoqëritë e sigurimit dhe rolin e shpërndarësit të policave të prodhuara nga BSHS.
Autoriteti i Konkurrencës në raportin e tij bën me dije edhe përgjigjen e marrë nga shkresa e dërguar AMF-së, ku argumentohet se: “lidhur me çmimet që shoqëritë e sigurimit kanë zbatuar së fundmi, bazuar në ecurinë rezultateve të vitit 2013, në përllogaritjen e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, janë shtuar edhe dy faktorë të tjerë përcaktues, që janë data e prodhimit të automjeteve që sigurohen dhe kohëzgjatja e patentës së përdoruesve të këtyre automjeteve. Shtimi i këtyre dy faktorëve të riskut ka ndikuar në ndryshimet që kanë pësuar tarifat aktuale”.
Autoriteti i Konkurrencës gjykon se këta dy faktorë primesh të diferencuara duhet të sillnin ndryshime në tarifat që do të aplikoheshin për primin fundor.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është shprehur se do të ishte në interes të stabilitetit financiar të tregut të sigurimeve që Autoriteti i Konkurrencës të mbajë parasysh karakteristikat dhe brishtësinë e ekuilibrit të sistemit financiar të sigurimeve veçanërisht sigurimeve të detyrueshme”.
Ndërmarrjet gjatë realizimit të procedurës së hetimit paraprak janë shprehur nëpërmjet një shkrese të hartuar nga Shoqata e Siguruesve Shqiptarë se:
– Deri në funksionimin e plotë të sistemit “Bonus Malus” do të vendosin marrëdhënie tregtare të rregulluara sipas legjislacionit në fuqi me çdo broker, bankë apo agjent sigurimesh për t’i ofruar të siguruarit shërbimin, për t’i garantuar sigurinë dhe standardin e policave të sigurimit dhe pagesën e dëmeve në rastet e ngjarjeve me pasojë shkaktimin e dëmit; dhe
– Në një periudhë 12-mujore nga data e marrjes së angazhimeve dhe e fillimit të zbatimit të kontratës së shërbimit, shoqëritë angazhohen të bëjnë funksional sistemin e sigurimeve të detyrueshme motorike në bazë të sistemit “Bonus Malus” dhe si deri më tani kanë vepruar, nuk do të bëhen pjesë e asnjë marrëveshjeje, apo praktike të heshtur që do të binte në kundërshtim me ligjin e Konkurrencës dhe ligjin “Për sigurimet e detyrueshme në sektorin e transportit”.
“Monitor.al”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.