Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë kanë ndërmarrë prej disa javësh iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve. Kurse, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në një raport final kishte propozuar rritje prej 35 për qind të çmimit të sigurimit për automjete. Ndaj këtyre veprimeve ka reaguar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, duke thënë se kërkesa për rritje të çmimeve bie ndesh me politikat dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka reaguar ndaj kërkese së Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e çmimit të sigurimit të veturave.
Ky Autoritet ka konsideruar se kërkesa e BQK-se për të rritur çmimin e TPL-ve në 36.56% në mënyrë të një-trajtshme për të gjitha Kompanitë e Sigurimeve, bie ndesh me politikat dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
“Parimi themelor i ligjit dhe politikës së konkurrencës është të sigurojë qasje në treg të lirë për çdo ndërmarrje e cila i plotëson kushtet për të konkurruar në atë treg në interes të përdoruesve të produkteve/shërbimeve dhe të mund të konkurrojë me çmim dhe cilësi”, thuhet në këtë reagim.
Tutje në këtë reagim thuhet se Banka Qendrore e Kosovës si autoritet rregullator i industrisë së sigurimeve duhet të përkujdeset që Kompanitë e sigurimeve të konkurrojnë me çmime dhe cilësi të shërbimeve që ato ofrojnë.
“Të shmanget bashkëveprimi i kompanive të sigurimeve me njëri-tjetrin në procesin e përllogaritjeve të primeve, duke mos miratuar dhe orientuar një çmim të njëjtë, por ky proces të mbështetet në të dhënat e siguruara në mënyrë të pavarur nga kompanitë e sigurimit. Unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë. Banka Qendrore e Kosovës duhet të miratojë tabela të individualizuara mbështetur në analizën e riskut sipas strukturës/portfolit të Kompanive të Sigurimit, karakteristikave të produktit dhe strukturës së sigurimeve të secilit ofrues të sigurimeve. Pasi që kompanitë e sigurimeve në Republikën e Kosovës, aktualisht mbajnë çmime të njejta, Autoriteti sugjeron që të njejtat të jenë bazuar në kushtet e tregut, ofertë – kërkesë, e rrjedhimisht edhe përcaktimi i çmimit të bëhet nën këto kushte”.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës thotë se dallimet kryesore në përcaktimin e çmimit të primit të TPL-së ndërmjet kompanive të sigurimeve duhet të rezultojë mbi aftësinë e tyre për të parashikuar humbjet e ardhshme dhe aftësinë e tyre për të ngarkuar primin e duhur për secilën klasë nënshkruese, e cila gjithashtu duhet të jetë e mirëpërcaktuar dhe e saktë.
“Në varësi të strategjisë së shitjeve, kapaciteteve të kompanisë, si dhe një game të gjerë të parametrave të cilat mund të merren parasysh si mosha e shoferit, vjetërsia e automjetit, lloji i automjeteve, karakteristikave teknike, historiku i dëmeve dhe shumë arsye të tjera, përcaktimi i çmimeve gjithmonë duhet të bëhet në mënyrë të pavarur”.
Autoriteti i sugjeron BQK-se të shqyrtojë mundësinë e krijimit të grupeve të reja tarifore për mjete të cilat mund të kenë rrezikshmëri më të lartë, duke shmangur ngarkesën për grupet tjera tarifore te cilat nuk kane këtë nivel te rrezikshmërisë.
Çfarë kishte kërkuar BQK?
Një raport final i hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) propozon rritje prej 35 për qind të çmimit të sigurimit për automjete. Raporti i ishte dorëzuar kompanive të sigurimeve.
Shpetim Mehmeti nga BQK dhe Shefik Gërbovci nga industria e sigurimeve janë dy personat që së bashku e kishin arsyetuar bazën teknike për rritjen e çmimit të sigurimit TPL.
Një raporti i BQK-së ka sugjeruar rritjen prej 35 për qind të çmimit të sigurimit për vetura. Si rrjedhojë, varësisht prej fuqisë së motorit me rritjen e re qytetarët do të paguajnë prej 27 deri 210 euro më shtrenjtë për sigurimin e automjeteve.
Përmes kësaj rritjeje, po synohet që dëmet e mbetura nga kompania e falimentuar “Insig”, t’i paguajnë qytetarët e Kosovës. Kjo është njëra nga pikat përmes të cilës kompanitë e sigurimeve e kanë arsyetuar rritjen e çmimit prej 35 për qind të sigurimit të automjeteve.
Në raport përmenden në detaje detyrat e aktuarve karshi situatës se re të krijuar në tregun e sigurimeve, përfshirë këtu edhe kompaninë e falimentuar “Insig”.
Në kalkulimin e për rritjen e çmimit të këtij sigurimi janë marrë parasysh efektet që ka rritja e mbulesës sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, falimentimi i siguruesit n “Insig”, financimi i Fondit të Kompensimit pranë Byrosë Kosovare të Sigurimeve, dhe implemtimi i rregullores bonus-malus dhe inflacioni.
Ndryshe, muaj më parë Monitor.al pati raportuar se si kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve, në emër të detyrimeve financiare që u janë shtuar si pasojë e bankrotimit të kompanisë “Insig”.
Në atë kohë në Bankën Qendrore të Kosovës patën thënë se për çdo vendim të ri do të njoftohet publiku.
“Më lejoni të ju njoftoj se aktualisht nuk ka rritje të çmimeve të sigurimit të automjeteve. Ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, për çdo vendim të ri Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do ta njoftoj publikun”.
Kurse në Shoqatën e Sigurimeve patën bërë me dije se ndryshimin e çmimit të sigurimeve për vetura është individual e secilës kompani të sigurimit.
“Lidhur me ndryshimin e çmimit të sigurimeve për vetura, theksojmë se kjo çështje është individual e secilës kompani të sigurimit, e licencuar për të ofruar këtë lloj sigurimi. Sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht me Nenin 8 të këtij ligji, secili sigurues ka të drejtë të paraqesë kërkesë për aprovim/ndryshim të tarifave të sigurimit për të cilat, çdo përllogaritje e tyre duhet të jetë në harmoni të plotë me rregullat e përcaktuara nga Banka Qendrore e Kosovës”.
Sipas kësaj Shoqate këto rregulla përfshijnë përcaktimin e strukturës së primit, shumën minimale apo maksimale apo kufi tjetër brenda të cilit primi duhet të jetë, si dhe bazën teknike e cila duhet të përdoret nga siguruesit me rastin e llogaritjes së primit të sigurimit.
Kujtojmë se muaj më parë kompania e sigurimeve INSIG në Kosovë ka falimentuar. Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka marrë vendimin që kjo kompani të mos vazhdojë punën. Në vendimin e Bordit thuhet se Kompania e Sigurimit “INSIG” ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.
“Bordi Ekzekutiv i BQK-se merr vendim për revokim të licencës së kompanisë së sigurimeve së SH.A. “Insig” Dega në Kosovë. Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që rrjedhin nga neni 36 dhe 67 i Ligjit për BQK-në, si dhe në pajtim me nenin 16, nenin 99, nenin 100 dhe nenin 124 të Ligjit për Sigurimet, në takimin e mbajtur me datë 26 prill 2019, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, t’i revokohet Licenca Nr. 003 e datës 25 mars 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore e BQK-së”, thuhet në vendimin e BQK.
Në tregun e sigurimeve, aktualisht të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës janë 12 kompani të sigurimeve, nga të cilat 10 merren me veprimtarinë e sigurimeve jo-jetë dhe dy kompani me sigurimet e jetës. Numri i të punësuarve varion ndër vite, mirëpo nga të dhënat statistikore të fundit, të angazhuar në industrinë e sigurimeve janë mbi 2 mijë të punësuar.
Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet. /Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.