Autoriteti i Konkurrencës mbyll pa ndëshkime hetimin ndaj katër bankave më të mëdha në vend

20/01/2021 10:00 AM 0 komente

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj katër bankave më të mëdha në vend.

Hetimi është mbyllur pa provuar shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, megjithatë në vendimin final, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur disa kushte dhe detyrime për bankat në fjalë. Ndërmarrjet do të monitorohen lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi për një periudhë njëvjeçare.

Megjithëse vendimi është marrë pothuajse dy muaj më parë, më datë 24 nëntor, ai ende nuk është bërë publik nga Autoriteti i Konkurrencës, përfshi detyrimet e detajuara vendosura ndaj ndërmarrjeve. Sipas ligjit të funksionimit të AK dhe informacionit në programin e transparencës së institucionit, vendimet duhet të publikohen pas miratimit të tyre nga Komisioni i Konkurrencës. Përjashtim mund bëjnë rastet kur publikimi i vendimit për hetim mund të dëmtojë procesin hetimor, siç mund të jenë rastet e hetimeve paraprake apo inspektimeve. Në praktikë, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës shpesh publikohen me vonesë dhe pa afate apo kritere objektive. Në rastin e hetimit për bankat, shkaku i mospublikimit mund të jetë pritja e reagimeve nga Banka e Shqipërisë ose nga vetë ndërmarrjet nën hetim.

Në datë 31 janar 2019, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim të thelluar ndaj Bankës Kombëtare Tregtare, Bankës Raiffeisen, Bankës Credins dhe Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri. Në veçanti, tregjet e produkteve në hetim ishin ato të llogarive rrjedhëse, depozita me dhe pa afat, kredia konsumatore, kredia hipotekore dhe transfertat bankare të ofruara nga bankat e nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga analiza e bërë në vendimin për hapjen e hetimit të thelluar, AK ka konstatuar qëndrueshmërinë e pjesëve të tregut lidhur me depozitat dhe kreditë, shkallë të lartë përqendrimi në segmente të produkteve, norma shumë të ulëta dhe të ngurtësuara të interesave të depozitave, norma të larta të interesit të kredive, spread disa herë më i lartë krahasuar me normën e interesit të depozitave, komisione dhe penalitete bankare të larta për ndërrimin e bankës, komisione të larta për transfertat bankare në monedhë të huaj dhe norma të larta fitimi. Këto konkluzione motivuan hapjen e hetimit të thelluar, që përfshiu periudhën mes viteve 2016 dhe 2018.

Sipas të dhënave më të fundit, të shtatorit 2020, katër ndërmarrjet objekt hetimi zotërojnë 69% të tregut bankar shqiptar sipas totalit të aktiveve. Pjesa e katër bankave së bashku është e ngjashme edhe në tregun e depozitave, ndërsa paraqitet ndjeshëm më e ulët në tregun e kredisë, ku zotërojnë më pak se 59% të portofolit total./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of