Autoriteti i Konkurrencës ka zgjatur edhe me 5 muaj Hetimin e Përgjithshëm në Sektorin e Arsimit të Lartë, për shkak se mungojnë informacionet e kërkuara nga disa Universitete publike dhe private, të nevojshme për kryerjen e procedurës së hetimit të përgjithshëm në sektorin e arsimit të lartë.
Edhe për shkak të kohës së shkurtër të mbetur në dispozicion, nga momenti i depozitimit të informacionit të kërkuar, me qëllim përpunimin, vlerësimin dhe kryerjen e një analize të plotë të konkurrencës në sektorin e Arsimit të Lartë, Konkurrenca e ka vlerësuar të nevojshme zgjatjen e periudhës së hetimit të përgjithshëm, me qëllim kryerjen e procedurave hetimore dhe përgatitjen e raportit.
Autoriteti i Konkurrencës vendosi në fund të muajit nëntor që të hapte procedurën e “Hetimit të Përgjithshëm në Sektorin e Arsimit të Lartë”, për periudhën kohore nga 1 janari 2017 deri në përfundim të procedurave hetimore. Afati ishte 6 muaj dhe përfundonte në maj.
Hetimi u hap pas një studimi në sektorin e arsimit të lartë që kishte në fokus liberalizimin e arsimit të lartë dhe impakti në konkurrencë; Ligji i Konkurrencës në arsim; Mekanizmat për konkurrencë të lirë – tregu i studentëve.
Sipas studimit, diversiteti i Institucioneve Arsimore të Larta (IAL) publike dhe private ka krijuar një treg të larmishëm, ku studentët janë të lirë të zgjedhin. Zgjedhja e tyre mbështetet në informacionin e ofruar nga mekanizmat shtetërore, veçanërisht Ministria e Arsimit dhe vetë IAL-të publike ose private. Ky informacion duhet të jetë i dhënë saktë në mënyrë reale dhe transparente, sepse vetëm kështu ai krijon besueshmëri dhe mundësi më të madhe zgjedhje nga studenti.
Pas vlerësimit të gjetjeve, Konkurrenca vlerësoi se është e vështirë të konkludohet për konkurrencën në Sektorin e Arsimit të Lartë, pasi çështjet e mësipërme kanë nevojë për një trajtim më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës për të parë nëse ka elemente të cenimit të konkurrencës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.