Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar një monitorim në tregun bankar, nga rezultoi se gjatë viteve të fundit tregu bankar paraqet karakteristikat e një tregu me norma relativisht të larta fitimi në kushtet e stanjacionit të kreditimit; interesa shumë të ulta të depozitave (deri në 0.55 % mbi bazë vjetore nën nivelin e inflacionit).
Gjate monitorimit u vunë re diferenca (spread) relativisht të larta mes interesave të kredive dhe depozitave; tendencës në rritje të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, kryesisht afatgjata (obligacione) në kushtet e një politike lehtësuese monetare dhe kur norma bazë e interesit të depozitave kanë tendencë në rënie; ka rritje të komisioneve për pagesat kryesisht brenda vendit etj.
“Këto rrethana të bëjnë të mendosh që konkurrenca në sektorin bankar mund të jetë kufizuar ose shtrembëruar si rezultat dhe/ose pasojë e shkeljes së nenit 4 (marrëveshje të ndaluara) dhe/ose nenit 9 (abuzim me pozitën dominuese) të Ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar. 3. Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës) vendosi hapjen e procedurës së hetimit të përgjithshëm në sektorin bankar për të vlerësuar nëse konkurrenca në këtë sektor është e kufizuar ose e shtrembëruar si pasojë e sjelljes së një ose disa bankave” thuhet ne deklaratën e Autoritetit.
Nga të dhënat e marra mbi portofolin e depozitave (e konvertuar në lekë për të gjitha monedhat) u vlerësua struktura e tregut të depozitave e cila tregon se tregu i depozitave (në total) është një treg mesatarisht i përqendruar.
Portofoli i depozitave në vlera absolute, në shtator 2015 ka reflektuar një rritje me rreth 20 miliardë lekë të vlerës së tij krahasuar me vitin 2014, rritje kjo e ndikuar nga rritja e vlerës së llogarive rrjedhëse në rreth 14%. Rritja e vlerës së llogarive rrjedhëse, është një fakt i cili tregon për rritje të vlerës së likuiditeteve monetare në qarkullim e cila mund të jetë pasojë e politikave për uljen e informalitetit dhe regjistrimin e bizneseve informale, gjë e cila çon edhe në formalizimin e qarkullimit të parave nëpërmjet sistemit bankar (derdhje detyrime fiskale, tatim taksa, sigurime, qarkullimi monetar nëpërmjet bankave për transaksione me vlera të larta, etj.). Ndryshe nga llogaria rrjedhëse, Depozitat me afat paraqiten me tregues në rënie krahasuar me vitin 2014, e cila mund të këtë ardhur nga ulja e normës së interesit të depozitave me afat, e shoqëruar kjo me zhvendosjet e kursimeve të individëve në investime në instrumente të tjerë financiarë.
Nga vlerësimi i strukturës së tregut të depozitave për vitin 2014/9M-2015 rezultoi se depozitat me afat zënë pjesën më të madhe të tregut të depozitave me rreth 71% të tyre, e shoqëruar nga llogaritë rrjedhëse me 22 % dhe më pas me depozitat pa afat me vetëm 7% të tregut. Nëse do t’i referohemi treguesve 9 mujor të vitit 2015 do të vëmë re një ulje të lehtë të depozitave me afat kundrejt një rritje të të llogarive rrjedhëse.
Kreditimi është procesi i dhënies hua të fondeve {burime financiare në formën e kapitalit të derdhur prej aksionerëve apo fondeve të grumbulluara nga depozitat) që banka disponon sipas kushteve të rëna dakord midis bankës dhe huamarrësit, i cili mund të jetë një individ, biznes apo korporatë. Nga të dhënat e BSH, pjesën më të madhe të kredisë e zë kredia e biznesit me rreth 50% të portofolit, overdrafti zë afërsisht 25% të portofolit, kredia hipotekore 20% dhe ajo konsumatore 4-6%.
Tregu i kredisë ka karakteristikat e një tregu mesatarisht të përqendruar. Tre bankat me të mëdha zënë 50% të tregut për vitin 2014 dhe 52% për vitin 2015, dhe pesë bankat më të mëdha zënë 66% të tregut si për vitin 2014 ashtu edhe për 2015. Në analizën sipas llojit të kredisë, produktet e kredisë konsumatore dhe overdraft-it për biznesin paraqiten në nivele të larta përqendrimi, ndërkohë që produkti i kredisë hipotekore tregu është më pak i përqëndruar.
Nga administrimi i të dhënave, u konstatua se lëvizshmëria e klientëve nga një bankë në tjetrën (transferimi i kredive) për produktin e kredive është i ulët, klientët përballen më kosto administrative dhe financiare, element pengues në lëvizshmërinë e klientit nga njëra bankë në tjetrin. Në një treg të maturuar, për të rritur nivelin e konkurrencës në treg dhe rritjes së mundësisë së zgjedhjes konsumatore, duhet të krijojnë lehtësira për lëvizshmërinë e klientëve duke ulur kostot “bllokuese” (kostot të cilat e detyrojnë klientin të qëndrojë pranë një banke si komisione për mbyllje llogarie, kosto shtesë në rast të transferimit të pagës nga një bankë në një bankë tjetër përsa i përket produkteve të lidhura me llogarinë rrjedhëse (karta elektronike dhe overdraft), komisione/ penalitete për mbylljen para kohe të kredisë humbjen e interesit në rast të mbylljes para afatit të një depozite me afat, kosto administrative për klientin si kohë, rimbushje formularësh, përgatitje dokumentacioni, etj.)
Rekomandimet
Pas hetimi AK vendosi t’i rekomandojë Bankës së Shqipërisë rishikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis BSH dhe Autoritetit të Konkurrencës, ku të përfshihet: Një kapitull i veçantë për rregullimin e konkurrencës në tregjet bankare, në të cilin të përcaktohet mënyra e bashkëpunimit midis dy institucioneve në lidhje me çështje të konkurrencës në tregun bankar.
-Riformulimin e pikës 4 të nenit 9 të Rregullores së Bankës se Shqipërisë “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare” si vijon: “Banka duhet të parashikojë në kontratën e llogarisë dhe të depozitës mënyrën e njoftimit të klientit për ndryshimin e kushteve të punës. Para se të aplikojë ndryshimin, në kushtet e rinovimit të kontratës, banka të marrë pëlqimin e klientit”.
-Identifikimin dhe adoptimin e masave të mundshme për uljen e kostove të transfertave në nisje dhe në mbërritje në monedhë të huaj, kryesisht euro dhe dollar amerikan, nga një bankë te një bankë tjetër brenda vendit. Kjo do të çojë në nxitjen e qarkullimit të monedhës së huaj në kanalet bankare, dhe do të ndihmojë në uljen e përdorimit të parasë cash në ekonomi.
-Stimulimin dhe promovimin e shërbimit E – banking nga BSH dhe bankat me qëllim nxitjen e aftësisë konkurruese të konkurrentëve më të vegjël si dhe të hyrësve të rinj në sistemin bankar dhe rritjen e përfitimeve të këtij shërbimi nga klientët.
-Identifikimin dhe marrjen e nismave për rregullimin e mëtejshme të kuadrit ligjor/rregullator, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera përgjegjëse, me qëllim uljen në të ardhmen të përdorimit të transaksioneve cash në ekonomi.
Rekomandime per Shoqatën Shqiptare të Bankave:
– Rishikimin e Memorandum it të Mirëkuptimit midis BSH dhe Autoritetit të Konkurrencës, ku të përfshihet: Një kapitull i veçantë për rregullimin e konkurrencës në tregjet bankare, në të cilin të përcaktohet mënyra e bashkëpunimit midis dy institucioneve në lidhje me çështje të konkurrencës në tregun bankar.
Rekomandime ndaj bankave të nivelit të dytë
-T’i mundësojnë klientit përzgjedhjen e vlerësuesit dhe të noterit në një listë të përzgjedhur të bankës, me qëllim rritjen e konkurrencës mes ofruesve të këtyre shërbimeve.
-Nxitja e kartave lokale, që nuk kanë kosto të larta si kartat që emetohen nga skemat ndërkombëtare(MasterCard, apo Visa etj.,) që do të mundësonin më shumë përdorim dhe pranim të pagesave pasi kostot do të ishin më të ulta edhe për bankat rrjedhimisht edhe për klientët.
-Të krijojnë lehtësira për lëvizshmërinë e klientëve duke ulur kostot “bllokuese” (kostot të cilat e detyrojnë klientin të qëndrojë pranë një banke si komisione për mbyllje llogarie, kosto administrative për klientin si kohë, rimbushje formularësh, përgatitje dokumentacioni, përdorimi i teknologjive të reja për tu afruar më shumë lehtësi tek klientët) si dhe të rrisin transparencën duke i bërë më të kuptueshme këto kosto për klientin, përfshirë edhe skedën e amortizimit të kredisë, e cila duhet të jetë në gjuhën shqipe në të gjitha bankat dhe për të gjitha rastet.
-Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për njoftimin e këtij vendimi Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave, bankave të nivelit të dytë, si dhe palëve të interesuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.