Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar rregulloren e re, që përcakton shpenzimet që bizneset duhet të paguajnë për ndjekjen e procedurave pranë tij, si sh për njoftimet e përqendrimeve apo përjashtimet nga ndalimi.
Tarifat variojnë nga 15 mijë lekë për tërheqjen e formularit, deri në 2 milionë lekë për rastet e procedurës së thelluar.
Kontrolli i përqendrimeve
Tërheqja ose depozitimi pranë Autoritetit të Konkurrencës i “Formularit të Njoftimit të Përqendrimit” nga ndërmarrjet pjesëmarrëse sipas përcaktimit të nenit 12 të ligjit (që bashkohen, që përftojnë kontroll, për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët si dhe për rastet kur pjesa e ndërmarrjes preket nga transaksioni i kryer) bëhet kundrejt pagesës me vlerë 15 000 (pesëmbëdhjetë mije) lekë.
– Autorizimi “Për realizimin e përkohshëm të përqendrimit” i dhënë nga Komisioni i Konkurrencës, në bazë të kërkesës së ndërmarrjes pjesëmarrëse, sipas përcaktimit “Autorizimi për përqendrimin e përkohshëm”, jepet kundrejt pagesës me vlerë 300.000 (treqind mijë) lekë.
– Autorizimi “Për realizimin e përqendrimit” i dhënë nga Komisioni i Konkurrencës, në përputhje me nenin 56 të ligjit “Procedura Paraprake”, jepet kundrejt pagesës me vlerë 500 000 (pesëqind mijë) lekë
– Autorizimi “Për realizimin e përqendrimit” i dhënë nga Komisioni i Konkurrencës në përputhje me nenin 57 të ligjit “Procedura e thelluar”, jepet kundrejt pagesës me vlerën që llogaritet në shumën prej 0.03% të xhiros se të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku, të vitit paraardhës financiar, por në çdo rast pagesa nuk duhet të tejkaloje vlerën prej 2 milionë lekë.
– Mos-klasifikimi si përqendrim i një transaksioni të caktuar, në rastet kur Komisioni i Konkurrencës shprehet me vendim, bëhet kundrejt pagesës me vlere prej 150 mijë lekë.
Përjashtimi nga ndalimi
Për bizneset që kërkojnë ndjekjen e procedurave në rastet e njoftimit të marrëveshjeve që kërkojnë përjashtim nga ndalimi, tarifat janë:
-Njoftimi nga ndërmarrjet i marrëveshjeve që kërkojnë përjashtimin nga ndalimi, sipas përcaktimit të nenit 5 dhe 49 të ligjit, bëhet kundrejt pagesës me vlerë 15 mijë lekë.
– Vendimi për përjashtimin nga ndalimi, i dhënë nga Komisioni i Konkurrencës, jepet kundrejt pagesës me vlere 500 mijë lekë.
-Vendimi i dhënë nga Komisioni i Konkurrencës, për shtyrjen në kohë të përjashtimeve të marrëveshjeve të përcaktuara jepet kundrejt pagesës me vlerë 300 mijë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.