Pas një pune të gjatë prej rreth pesë vitesh, muajin e kaluar është lëshuar për qarkullim autostrada Prishtinë-Elez Han “Arbën Xhaferi”. Kjo autostradë që është hapur për qarkullim më 29 maj, ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2018. Vlera totale e këtij projekti llogaritet të jetë mbi 700 milionë euro. Por, punimet në këtë vende ende nuk kanë përfunduar. Bechtel & Enka do të vazhdojë të shtrojë asfalt edhe me tutje.
Pas pesë muajve vonesë, muajin e kaluar është përuruar autostrada “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Ndonëse, planet ishin të hapej me 31 dhjetor të vitit 2018, kjo autostradë nuk u hap deri tani, për shkak të vonesave gjatë punimeve dhe pagesave.
Por, punimet në segmentin R6 të autostradës ende nuk kanë përfunduar dhe kompania Bechtel & Enka ka punë deri nw vitin 2020.
Kjo pasi, Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e Autostradës R6.
Kohëzgjatja e kësaj kontratë është nga 01.06.2019 deri me 01.12.2020. Por, se sa do t’i kushtojnë buxhetit këto projekte, ende nuk dihet.
Në një vendim të Qeverisë, të nënshkruar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, bëhet e ditur se është aprovuar propozimi për ndërtimin e kyçjeve Ferizaj, Viti dhe mbikalimin në Paldenicë.
Me këtë vendim është autorizuar dhe obliguar që Ministria të negociojë me konsorciumin Bechtel Enka për ndërtimin e kyçjeve dhe të mbikalimit. Kjo pasi, qytetarët e këtyre zonave kanë kërkuar kyçje në autostradë e cila lidh me shtetin fqinjë, Maqedoninë.
Në ministrinë e Infrastrukturës kanë treguar se duhet të bëhen përmasat dhe parallogaritjet e projektit.
“Vendimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për kyçjet në Ferizaj e Viti dhe mbikalimin e Paldenicës së Hanit të Elezit, është marrë gjatë javën e kaluar. Rrjedhimisht është ende herët të flitet për çmim konkret se sa do të kushtojnë këto tri projekte, meqë duhet të bëhen përmasat dhe parallogaritjet e projektit”.
Po ashtu edhe gjobat e telashet me punën në autostradën “Arben Xhaferi” nuk kanë përfunduar.
Grupi prej 25 kompanive nga Kosova e Shqipëria të kontraktuar si punëkryese në “Autostradën Arbën Xhaferi”, pretendojnë se janë mashtruar nga kompania Bechtel Enka lidhur me pagesat për ndërtimin e disa prej urave. Ata pretendojnë se kjo kompani u ka mbetur borxh 989 mijë euro.
Fillimisht këto 25 kompani ishin nënkontraktuar nga kompania kroate “Suma Engineering Platform” që kishte qenë e kontraktuar drejtpërdrejt nga Bechtel Enka, e cila është fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës.
Këto kompani muajin e kaluar i janë drejtuar zyrës së Kryeministrit, një kërkesë për zgjidhjen e problemit. Ata kërkojnë reagimin e qeverisë pasi në të kundërtën thonë se një numër i madh i kompanive do të falimentojnë dhe do të mbeten pa punë rreth 300.
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën më Maqedoninë, e quajtur “Arbën Xhaferi”, ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2018.
Realizimi i këtij projekti filloi në vitin 2014. E tërë autostrada është në gjatësi prej 60 kilometra, ndërsa lartësia është 83 metra. Në këtë projekt kanë punuar 383 nënkontraktorë të gjithë nga Kosova dhe numri i punëtorëve ka qenë 9 mijë e 384. Projekti në tërësi ka kushtuar 706 milionë euro. / Fatos Shala për Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.