Rritja e marrëdhënieve ekonomike të zonës europiane dhe mesdheut, që sipas Komunitetit Europian do të sjellë brenda vitit 2010, një dyfishim të kërkesës aktuale në lidhje me transportin detar nga shtetet anëtare, vendos një detyrim të fortë për zhvillimin e politikës së sektorit detar
Nga Dorian Mersini
Transporti detar, prej kohësh është cilësuar si një aktivitet përcaktues i zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Në ditët e sotme për efekt të globalizimit dhe të transferimit të kapitaleve dhe mallrave, Bota gjithnjë e më shumë po merr pamjen e një qendre të madhe tregtare pa kufi, në të cilën për shkak të liberalizimit të tregtisë ndërkombëtare dhe të decentralizimit të prodhimit, vazhdon të regjistrohet një rritje e trafikut botëror të mallrave dhe personave e së bashku me to, një rritje e kërkesës së shërbimeve të transportit detar, që si rrjedhojë kërkon zgjedhjet e duhura dhe kurajo nga ana e Qeverive.
I njëjti zhvillim ekonomik i zonës europiane dhe mesdheut, që sipas Komunitetit Europian do të sjellë brenda vitit 2010, një dyfishim të kërkesës aktuale në lidhje me transportin detar nga shtetet anëtare, vendos një detyrim të fortë për zhvillimin e politikës së sektorit detar.
Në këtë aspekt, vendet mesdhetare, duke konsideruar faktin që tashmë jashtë çdo dyshimi, transporti në rrugë detare paraqitet si më konkurruesi në treg, në termat e reduktimit të kostove të energjisë, mbrojtjes mjedisore dhe të volumeve për investimet e kërkuara, janë angazhuar në rishikimin e politikave të tyre për zhvillimin e transportit detar. Në këtë menyrë i jepet mbështetje strategjisë së re të përcaktuar nga Komisioni Europian, për konkurrencën që Komuniteti Europian duhet të përballojë në sektorin detar në nivel ndërkombëtar.
Zgjerimi i Komunitetit Europian me vendet e reja anëtare ka krijuar momentin e një lëvizje të rëndësishme në kontekstin ndërkombëtar politiko-ekonomik, duke hapur në këtë mënyrë perspektiva të reja zhvillimi. Diskutimi i hapur tashmë nga Institucionet Komunitare mbi zgjerimin e mëtejshëm, veçanërisht në drejtim të vendeve të zonës së Mesdheut, siç dëgjohet sot të flitet në Bruksel, nënvizon edhe një herë rolin kyç që do të kenë në një të ardhme të afërt vendet e zonës së Mesdheut ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Në sektorin e infrastrukturës dhe transportit, për të cilin Komisioni Europian në shtator 2001 ka një libër të bardhë, kërkesa e parë që paraqitet është përcaktimi i planeve dhe strategjive të investimit në infrastrukturën që do të garantojë interkonjeksionin ndërmjet partnerëve mesdhetarë me rrjetet transeuropiane. Në fushën e programit rajonal MEDA, po përgatitet interkoneksioni i infrastrukturës dhe harmonizimi normativ në fushën e transporteve, energjisë dhe telekomunikacioneve, të quajtur ndryshe (Rrjete trans-mesdhetare), financimi i të cilave do të realizohet me kreditimin e Institucioneve Ndërkombëtare dhe Bankës Europiane për Investime (BEI).
Trafiku detar paraqet një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendeve të Mesdheut. Pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme të këtyre vendeve realizohet me anë të rrugëve detare dhe në terma volumi, transporti detar është dominues në shkëmbimin e mallrave ndërmjet zonës së Mesdheut dhe Komunitetit Europian (rreth 74% të volumit të përgjithshëm të mallrave ndërmjet këtyre vendeve transportohet me rrugë detare).
Alternativat detare
Zhvillimi i transportit detar të mallrave duhet të jetë i privilegjuar në krijimin e “autostradave të detit”, që lidhin portet kryesore të Mesdheut. Veçanërisht të rëndësishme në zonën e Mesdheut janë, transportet detare me distanca të shkurtra, për shkak të afërsive gjeografike dhe infrastrukturës rrugore të varfër, që ekziston në shumë nga këto vende.
Bashkimi Europian gjykon se “transporti me distanca të shkurtra përmes detit”, si transport detar intermodal, paraqitet si alternativë e nevojshme për zhvillimin e rajonit të Mesdheut. Libri i bardhë i vitit 2001, mbi transportet parashikon që brenda vitit 2010, do të kemi rreth 39% të kërkesës për transportin e brendshëm dhe vetëm transporti hekurudhor e detar mund t´i bëjnë ballë kësaj rritje të kërkesës. Duke pasur parsysh faktin, se në vendet mesdhetare hekurudha përballet me vështirësi nga ana infrastrukturës së saj, e vetmja zgjidhje mbetet transporti detar, i cili mund të ofrojë garanci reale në këtë drejtim, për të përmbushur me sukses rritjen e kërkesës mbi transferimin e mallrave.
Shërbimet e Transportit detar me distanca të shkurtra janë ndër të tjera një element integrues i zinxhirit të transportit multimodal (transport rrugor transport detar dhe transport hekurudhor transport detar). Duhet gjithashtu të zhvillohet një sistem multimodal për transportin ajror detar, i cili mund të plotësohet nga lidhjet me rrjetin rrugor duke kontribuar në zhvillimin e shkëmbimeve ndërmjet vendeve jugore të zonës së Mesdheut. Sipas këtij profili, një funksion i rëndësishëm i përket lidhjeve që duhet të krijohen midis porteve dhe aeroporteve dhe hapësirës së brendshme të tyre.
Në ditët e sotme të gjitha vendet e Bashkimit Europian, kanë krijuar një zyrë për promovimin e transportit detar në distanca të shkurtra, pasi janë të bindur që një zyrë e tillë përfaqësuese e porteve, armatorëve dhe subjekteve të tjera të fushës, garanton zhvillimin e këtij modaliteti. Ky shembull, në një të ardhme të shpejtë, do të ndiqet nga të gjitha vendet mesdhetare duke krijuar në këtë mënyrë një rrjet midis tyre, për të garantuar përfaqësimin dinjitoz të operatorëve të fushës në tregun ndërkombëtar të lëvizjes së mallrave.
Në të vërtetë, “transporti me distanca të shkurtra përmes detit” dhe “autostradat e detit”, nuk duhet të konsiderohen si projekt kundër transportit rrugor, pasi ato e mbështesin atë, duke qenë pjesë e po të njëjtit sistem dhe duke u paraqitur si portat e korridoreve të transportit rrugor.
Një shemull i tillë në vendin tonë, në zbatimin e politikave për zhvillimin e transportit multimodal (transport rrugor transport detar), konsiderohet ndërtimi i rrugës Durrës Kukës dhe investimet paralele që po realizohen në Portin e Durrësit, i cili do të funksionojë si porta kryesore e këtij segmenti rrugor për lidhjen me vendet e Komunitetit Europian me anë të linjave detare.
Shumë korridore europiane mbërrijnë në porte mesdhetare dhe nga këto të fundit mallrat vazhdojnë udhëtimin e tyre nëpërmjet rrugëve detare. Është e sigurt se në të ardhmen transportet detare euromesdhetare do të jenë në zgjerim të vazhdueshëm, si për faktin e rritjes normale të tyre po ashtu dhe me qëllim rekuperimin e trafikut detar, që më parë zhvillohej ndërmjet porteve të Europës veriore. Zona e shkëmbimeve të lira e parashikuar nga partneriteti euro – mesdhetar, do të sjellë një rritje të tregtisë dhe si rrjedhojë të transporteve në zonën e Mesdheut. Një projekt i tillë do të mundësohet dhe me ndihmën e Bashkimit Europian me anë të programeve të financimit e marrëveshjeve dypalëshe.
Libri jeshil mbi “Politikat e Detit”, i publikuar nga Komuniteti Europian ka nisur tashmë një debat për politikat detare komunitare, të cilat me siguri absolute do të ndërgjegjësojnë qytetarët europianë mbi pasurinë e tyre detare, mbi potencialitetin që kjo e fundit ofron në aspektin e një mirëqenieje më të madhe në jetën e tyre, si dhe mbi perspektivat komplekse të aktiviteteve ekonomike të lidhura me detin.
Shqipëria në korridoret mesdhetare
Për këtë qëllim, Qeveria e Shqipërisë duhet të mbështesë objektivat strategjike të përcaktuara për vitin 2009 nga Komisioni Europian për një politikë detare globale, me qëllim zhvillimin në harmoni nga ana ekologjike, të një ekonomie detare të përqendruar veçanërisht në risitë teknologjike dhe logjistike në fushën e detarisë.
E ardhmja e kontinentit të vjetër europian do të përqendrohet në transportimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, me një cilësi superiore, të krahasuara me ato të ofruara nga vendet e tjera. Për të realizuar një gjë të tillë, paraqitet i nevojshëm garantimi i një “transporti detar të sigurtë”, jo vetëm në aspektin e sigurisë teknike të lundrimit “Safety”, por gjithashtu duke pasur parasysh momentin historik që bota perëndimore po përjeton, një rol të rëndësishëm zë siguria detare në konceptin e “Security”, për parandalimin e akteve terroriste dhe piraterisë, që së fundi është bërë lajmi i ditës për udhëtimet detare në zona të caktuara gjeografike.
Mbi bazën e këtyre skenarëve të ardhshëm që paraqiten, është e domosdoshme ndërmarrja e nismave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim zhvillimin e dialogut për transportet detare midis vendeve të Mesdheut dhe midis vendeve ndërkufitare, për garantimin e një sistemi trafiku të sigurtë, ku siguria detare duhet të nënkuptohet në një koncept më të gjerë, duke përfshirë se bashku “Safety” dhe “Security”.
Në lidhje me transportin detar në Shqipëri, vitet e fundit vendi ynë ka arritur standarde cilësie në termat e sigurisë detare, sidomos në konceptin e “Security”. Në këtë drejtim Shqipëria synon të vazhdojë të mbështesë nismat e Organizatës Ndërkombëtare Detare I.M.O, ku bëjmë pjesë tashmë si vend anëtar, që prej vitit 1993, duke përshtatur të gjitha masat e nevojshme që bëjnë të mundur garantimin e sigurisë detare, jo vetëm për anijet që mbajnë flamurin shqiptar, por gjithashtu edhe për lehtësitë portuale të vendit tonë që janë në shërbim të transporteve ndërkombëtare detare. Politika e ndjekur nga Qeveria e Shqipërisë në drejtim të transportit do të mundësojë zhvillimin paralel të vendit tonë me vendet e tjera të Mesdheut për të qenë pjesë e programit rajonal MEDA, qëllimi i të cilit përqendrohet në përshtatjen e strategjive të përbashkëta, midis vendeve të rajonit mesdhetar, të destinuara në reformimin dhe ristrukturimin e strukturave ekonomike dhe sociale në mënyrë të tillë që efektet e pritshme nga zhvillimi ekonomik të përmbushen me sukses.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.