Avni Ponari Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA
Sigurimi i pronës në vende të ekspozuara ndaj katastrofave natyrore është zgjidhur pa një model specifik. Secili prej tyre ka adoptuar atë që i është përshtatur më së miri situatës. Ndaj Shqipërisë nuk do t’i duhet që të shpikë një model të ri.
Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA thekson se në kushtet kur jemi të ndërgjegjshëm që vendi ynë është i rrezikuar ndaj tërmeteve dhe katastrofave të tjera natyrore duhet të çohet para një program që garanton mbulim ndaj tyre.
Shqipëria zvarrit prej vitesh një projekt për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës ndaj fatkeqësive natyrore por ky ka mbetur vetëm në letër. Cila do të ishte situata sot në terren nëse sigurimi do të ishte i detyrueshëm (barra që do mbanin kompanitë dhe qeveria)?
Një program i tillë aplikohet sot në të gjithë botën e zhvilluar dhe atë në zhvillim, si një mekanizëm i transferimit të përgjegjësive nga përgjegjësi shtetërore në atë individuale dhe ku kontributet kthehen në kontribute kolektive me qëllim mbulimin e fatkeqësive natyrore nëpërmjet pagesës së primeve të ulëta, duke qenë se, pjesëmarrja në një program të tillë sigurimi është masive dhe e detyrueshme, por edhe përfitimet në rast fatkeqësish reale do të jenë po ashtu të mëdha dhe mbrojtja nga rreziku real është e garantuar.
Në hartën sizmike të Evropës, Shqipëria është shënjuar me të kuqe prej gati 30 vitesh që edhe unë vetë jam në këtë industri. Ky fakt e kthen në diçka të veçantë ekspozimin ndaj rreziqeve të tërmetit, të përmbytjeve apo të rreziqeve të tjera të lidhura direkt me fatkeqësitë natyrore.
Një pjesë e banesave të dëmtuara nga tërmetet e fundit janë të siguruara për efekt kredie por në shumë raste ka një sigurim me prim minimal aq sa i takon pjesës së kolateralit ndërsa pjesa tjetër është lënë me vetëdije e pambuluar. Çfarë mekanizimi nuk ka funksionuar që kemi këtë panoramë ?
Pak kohë më parë një miku im më kërkoi që të bënte një paketë sigurimesh. “Mjaft më me këtë katrahurë! Nuk mund të vazhdojmë të ecim kështu kuturu, të mbetur në mëshirë të fatit,” më thoshte ai, “dua një paketë të plotë sigurimi”.
Edhe unë e vlerësova këtë mendim, duke e marrë dhe peshuar mendim-kërkesën e tij me shumë seriozitet. Kështu që, më pas unë vendosa që të hartoja një paketë të plotë sigurimesh duke përfshirë të gjitha nevojat e konsumatorëve dhe rreziqet e së ardhmes. Pas disa ditësh, e mora në telefon mikun tim dhe e informova në detaje mbi çka kisha bërë, cilat do të ishin përfitimet dhe mundësitë që do t’i krijonte atij një paketë e tillë e plotë sigurimesh. Dhe ai më tha, “Të lutem, hyni në bisedimi me shtetin që ta bëjnë sigurimin të detyrueshëm me ligj, sepse ne shqiptarët vetëm këtë gjuhë njohim. Kështu, edhe unë jam duke ecur në rrugën e fatit tim dhe ‘le të dalë ku të dalë’”. Por në fakt, nuk i doli edhe aq mirë dhe për këtë jam mjaft i keq ardhur.
Çfarë sigurimesh kemi ne sot përveç sigurimit të detyrueshëm të makinës?
Sigurimet e detyrueshme nuk kanë për qëllim rëndimin e xhepave të qytetarëve me pagesa, por për mbrojtjen e tyre nga disa lloje rreziqesh që janë të mëdha, dhe të rënda për t’u përballuar financiarisht apo rreziqe që nuk gjejnë mbrojtje. Nga ana tjetër, duke i bërë sigurimet të detyrueshme për shkak të pjesëmarrës masive edhe primet do të jenë më të ulëta në çmim pasi vet primi përllogaritet mbi baza aktuariale të sakta. Në këtë rast, primi do të ishte i papërfillshëm në shportën financiare për çdo familje shqiptare.
Sigurimet që janë bërë deri më sot për pasurinë, shtëpitë dhe bizneset, janë bërë kryesisht nga presionet e bankave të cilat kërkojnë garancinë financiare të huave të tyre, por edhe në këto raste fatkeqësia është se klientët e bankave kanë të siguruar vetëm pjesën e mbetur të kredisë së tyre, duke mbetur kështu të pambuluar për pjesën tjetër qe kane shlyer kredinë.
Më duhet të them se, edhe këtu fajtore nuk është banka, por vetë individi, i cili kërkon madje duke e quajtur si një detyrim këtë lloj sigurimi që banka kërkon. Sot tregu i sigurimit ka shpenzuar dhe shpenzon miliona euro për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi edukimin financiar, kulturën dhe masat e mbrojtjes financiare përmes sigurimeve. Por e vërteta është se, pak individë i blejnë realisht këto produkte sepse më së shumti ata janë indiferent, dhe me naivitet mendojnë që po ndodhi gjë Bashkia ose shteti do të kujdesen për ne. Edhe në këtë rast jemi në përputhje të plotë me mendësinë e papërgjegjshme “të dalë ku të dalë; apo mos e paçi mfat”
A keni një faturë sesa janë dëmet që keni si kompani nga tërmetet e fundit?
Ngjarjet e ditëve të fundit kanë krijuar një histori të veçantë dhe të pazakontë për Shqipërinë në tërësi dhe është një çështje që kërkon shumë kujdes dhe kjo vlen për të gjitha palët. Në fund të fundit fatura është e rëndësishme, por rezultati për këtë ngjarje është me ngarkesa të mëdha financiare. Këtu duhet të kemi parasysh dy specifika:
E para, “Sa dëme reale kanë ndodhur në Shqipëri” dhe; e dyta, “Sa janë të siguruar nga tërmeti?”
Në rastin e parë, dëmet totale të përllogaritura deri tani janë shumë të mëdha. Kjo kërkon shumë kujdes sepse siç e theksova edhe më sipër, harta sizmiologjike e botës e ka vendosur Shqipërinë me të kuqe, çka tregon se kemi të bëjmë me një rrezik shumë të madh që deri tani e kemi marrë si me të lehtë, kuptohet si popull e si shtet dhe që kemi të bëjmë me një rrezik të përditshëm potencial.
Sa sigurime ka dhe këto që janë, a janë sigurime që burojnë si nevojë individuale apo janë sigurime të detyrueshme nga faktorë të ndryshëm?
Fakti është që ato janë të detyrueshme nga kredidhënësi që në çdo rast është i interesuar të mbrojë punën e tij.
Ne jemi duke jetuar dhe operuar në një ekonomi tregu ku gjithsecili mban dhe është përgjegjës për pasurinë/pronën e tij. Por dëshiroj të ndalem pak këtu.
Çdo shtet ka detyrimet e tij absolute ndaj qytetarëve të tij dhe ky detyrim është thelbësor për mbarëvajtjen e shoqërive. Për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve të tij shteti dhe autoritetet ligj-zbatuese dhe mbikëqyrëse, studiojnë dhe parashikojnë disa forma mbrojtjeje dhe në fund zgjedh atë që është me më shumë përfitim për qytetarët e tij.
Në rastin tonë, ne kemi një hartë që na thotë se jemi të ekspozuar ndaj një rrezikshmërie të lartë nga tërmetet, jo vetëm tani, por në vitet dhe në dekadat që do të vijnë, sepse tashmë vatrat sizmike nën të cilat ne ndodhemi janë aktive. Dhe si për të mos mjaftuar ne jemi gjithashtu seriozisht të rrezikuar edhe nga përmbytjet, që tashmë i shohim disa herë në vit dhe vit pas viti pa asnjë ndryshim real të situatave. Atëherë pyetjet që lindin janë: Si do të mbrohemi? Kush do të na mbrojë? Cilat janë përgjegjësitë tona? Po ato të Shtetit? Dhe çfarë duhet të bëjmë konkretisht: A, B, C etj.?
Pikërisht këtu futen në lojë ekspertët teknikë të cilët përcaktojnë dy apo tre variante që janë më të përshtatshme për kushtet dhe karakteristikat e Shqipërisë, për të propozuar më pas se cila do të jetë zgjidhja më efikase dhe në interes të të gjithë qytetarëve. E ardhmja nuk është edhe aq larg dhe ne nuk e dinë se çfarë na pret dhe për këtë është përgjegjësia e të gjithë aktorëve, që të marrim masat për të parandaluar dëmet dhe garantuar një të ardhme më të sigurt për të gjithë shqiptarët.
Sa e llogarisni ju primin mesatar të tregut në rast se të gjithë ndërtesat do të sigurohen dhe a mendoni se ka vend për të rishikuar primin e riskut pas tërmeteve të fundit?
Edhe këtu duhet të bëjmë shumë kujdes dhe vlerësime të matura. Kemi dy skema: individuale dhe kolektive, që kërkon përgjegjësi kolektive siç u shpjegova edhe më parë, e cila do të ishte në këtë rast e detyrueshme me ligj.
Ne nuk jemi duke “shpikur rrotën”. Kjo rrugë është parashtruar më parë bazuar në praktikat më të mira dhe përvojën e grumbulluar të tregut të sigurimeve në rang global. E ritheksoj edhe një herë se, tregu i sigurimeve i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme intelektuale dhe financiare. Veprimi është në dorën e tjetër kujt. E kemi thënë me mijëra herë tani! Tani duhen vetëm veprime konkrete.
Cili është modeli më i përshtatshëm për një skemë sigurimi për pronën e paluajtshme. Turqia pas tërmetit të vitit 1999 vendosi një mekanizëm që njihet si Turkish Catastrophic Insurance Pool dhe që sot menaxhon 30 milionë pasuri të siguruara. Për Shqipërinë çfarë modeli mendoni si të përshtatshëm: një mekanizëm i përbashkët ku janë pjesëmarrëse të gjithë kompanitë me ndarje sipas pjesës së tregut që ka secila apo menaxhim i lirë?
Pothuajse të gjitha vendet në rajon kanë tashmë në zbatim skema të tilla dhe këto skema janë të njëjta: pjesëmarrje e gjerë dhe përfitime individuale sipas dëmeve përkatëse të gjithsecilit.
Në vitin 1999, Qeveria Turke iu drejtua qytetarëve të saj dhe i tha, “Deri më sot ju kemi mbuluar dëmet, por nga këndej e tutje këto dëme do t’i mbuloni vetë.” Por vetë Qeveria Turke ndërtoi skemën me ekspertët më të mirë dhe rriti rolin e mbikëqyrësve deri sa arriti tek skema gjithëpërfshirëse e mbrojtjes. Deri tani rezervat për fatkeqësitë natyrore i kanë tejkaluar parashikimet. Pasi ato rriten investohen dhe janë gati aty për t’u përdorur një ditë në rast të një goditjeje të së ardhmes. Pra këtu shteti dhe qytetarët i kanë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e tyre.
Përpos faktit që shqiptarët janë ende të pandërgjegjësuar për të siguruar pronën por që situata me tërmetin mund të ndikojë disi në ndërgjegjësim, nëse sigurimi bëhet i detyrueshëm duket se shtrohet para një sfidë për kompanitë. A do sigurohet çdo pronë sepse jemi përpara faktit kur është ndërtuar pa kriter, pa standarde pa leje? Si do filtrohet ky aspekt?
Organizmat financiare ndërkombëtare janë shprehur shpesh mbi këtë çështje, por nuk është përfunduar asgjë konkrete.
Reformat financiare janë të domosdoshme dhe në këtë fushë ka plot energji dhe potenciale të pashfrytëzuara dhe duhet të veprohet. Natyrisht që ky hap i takon Qeverisë dhe se sa dhe si duhet bërë është tërësisht në dorën e saj, por e rëndësishme është që ta realizojmë.
Diçka e tillë do të çlirojë shumë energji tek njerëzit, duke e transferuar atë nga qendra në bazë, tek njerëzit. Do krijojmë njeriun e përgjegjshëm, ku sigurimet ndikojnë direkt në forcimin e personalitetit njerëzor sepse sa më i pavarur të jetë individi nga shteti dhe fondet e tij, aq më e madhe do të jetë liria që ai do të gëzojë.
Nëse do të biem dakord për një skemë funksionale, atëherë gjithsecili në përputhje me kushtet kontraktuale do të veprojë pa pritur asgjë nga qeveria. Ndërsa roli i qeverisë do të shtohet lidhur me administrimin dhe ushtrimin e presionit për dëmshpërblime efektive dhe sa më të shpejta nga shoqëritë e sigurimit tek klientët e tyre. Pra një shtet si rregullator dhe arbitër dhe jo një shtet që rrit ndërvarësinë e individit tek ai.
Më në fund të gjitha këto do të çlirojnë njeriun dhe do të bëjnë atë të pavarur. Ne kemi të gjitha kapacitetet dhe përgatitjen për ta jetësuar këtë. Kjo është puna jonë e përditshme dhe ne e dimë se si bëhen këto punë prej 2 dekadash tashmë që jemi të pranishëm në tregun shqiptar të sigurimeve.
Prandaj reformat e thella financiare nuk kanë filluar sepse ne jemi ende në pritje të ndërrimit të shinave të kësaj sage 30 vjeçare të tranzicionit “alla” shqiptar.
Pak javë më parë qeveria prezantoi një nismë për sigurimin 10 vjeçar të ndërtesave të reja nga ndërtuesit me 0.1 për qind të vlerës së ndërtesës por që garanton rastet e defekteve të ndërtimit ose të tokës dhe jo fatkeqësitë. Si e vlerësoni këtë hap dhe çfarë zgjidh kjo nismë në këndvështrimin tuaj?
Më duhet ta vlerësoj se ishte një hap i mirë, por i pamjaftueshëm. Sipas studimit të kryer mbulohen vetëm 10 për qind, duke lënë jashtë sistemit gjithë të tjerat. Ky vendim ishte një lëvizje, por nuk e zgjidh problemin. Kërkohet që të themi sigurimi i projektit dhe përgjegjësisë së projektuesit, ndërtuesit, dhe investitorit, por edhe sigurimi i çdo projekti të investuar nga buxheti apo jo, dhe hyrja në fazën tjetër të skemës mbrojtëse nga katastrofat natyrore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
A ka ndonje sondazh te kryer nga AMF mbi cilesine e sherbimit te klienteve nga ana e shoqerive te sigurimit dhe me specifikisht per sigurimin e detyrueshem TPL. Prej ketej duhet ne nise debati nese duhen shtuar me tej sigurimet e detyrueshme si pakete per rritjen e kultures siguruese ne shoqerine shqiptare. Duhet theksuar se sigurimet e detyrueshme nuk kane ne baze fitueshmerine e kompanive por nisme ne favor te qytetareve cka nenkupton qe shoqerite te aplikojne vetem nje kosto minimale administrimi psh 10% e tarifes dhe pjesa tjeter te jete fond ne dispozicion te skemes siguruese. Ne kete kuptim,… Read more »