“Avullon” tregu sekondar i letrave me vlerë,  bizneset rënie rreth 94% në vlerë transaksionesh

12/05/2020 11:00 PM 0 komente

Kur në letra gjithmonë e më shumë ka një theks të vazhdueshëm për zhvillimin e tregut të kapitalit në vend, praktikisht tremujori i parë i këtij viti tregon për hapa pas. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregojnë se në janar-mars  tregu sekondar i letrave me vlerë ku marrin pjesë ndërmjetësit persona juridikë është “zhdukur” dhe aktivë kanë qenë vetëm individët.

Kështu vlera e transaksioneve nga personat juridikë u tkurr me 93 për qind në 3 mujorin e parë të këtij viti në raport me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në vlerë transaksionet e kategorisë B që kryhen nga ndëmjetësit persona juridikë ishte vetëm 135 milionë lekë kur një vit më parë ishte 2.1 miliardë lekë. Kjo situatë duket se nuk ka lidhje me zhvillimet e COVID-19 pasi së pari në tregun primar ku zhvillohen ankandet e qeverisë aktiviteti i emetimeve ka vijuar normalisht dhe së dyti deri në 10 ditëshin e parë të marsit gjithçka ka qenë normale.

Individët nga ana tjetër kanë qenë pjesëmarrës në tregun sekondar për shitjet nga portofoli i ndërmjetsit financiar me transkaione në vlerën 937 milionë lekë me një rënie të lehtë prej 0.42 pikë përqindje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Raportimi i AMF: Bonot e thesarit dominojnë si instrumenta

“Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë për periudhën janar-mars 2020, u dominua në masën 77.20% në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 22.80% nga transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione). Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 90.61% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë për periudhën janar-mars 2020, flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim”  përkatësisht me 45.16% dhe 40.05% kundrejt volumit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, për periudhën janar-mars 2020 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98.79% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Dy grupet e transaksioneve B dhe C

Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-mars 2020, ka pasur një ulje prej 2 miliardë lekë ose 65.13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Ndërkohë edhe numri i transaksioneve është ulur në masën 6.58%.

Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-mars 2020, ka pasur një rritje prej 29 milionë lekë ose 4.69%, ndërkohë pati një ulje në numrin e transaksioneve në masën 29.20%, krahasuar me periudhën janar-mars 2019.

Vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of