Flet drejtoresha e AZHBR, Eranda Selmanaj
Fermerët e serave të prekur në kosto nga rritja e çmimeve të inputeve bujqësore në tregjet e huaja, për shkak të krizës nga pandemia COVID-19 pritet të subvencionohen me pagesa direkte në vlerën e 600,000 lekëve për dy sezone të mbjellash.
Drejtoresha e AZHBR-së, Eranda Selmanaj, në intervistën për “Monitor Brief Insight” tha se subvencionimi nga shteti do të jetë me pagesë fikse për të mbuluar kostot e rritura të prodhimit nga ndryshimi i çmimeve të inputeve bujqësore. Në mbështetje të fermerëve, këtë vit do të zbatohet përsëri edhe skema për shpërndarjen e naftës falas.
Znj. Selmanaj pohoi se në ndihmë të aplikuesve për programin IPARD II, Masa 7, është ngritur seksioni specifik me qëllim shmangien e gabimeve teknike për plotësimin e formularëve standardë të akredituar nga BE që kanë çuar në skualifikimin e menjëhershëm të kandidatëve.
Cilët janë sektorët që do të mbështeten me thirrjen e IPARD II?
Thirrja e IPARD II mbështet Masën 7, për sektorët e turizmit rural dhe të natyrës, si dhe punimet e artizanatit dhe industria e manifakturës. Në fokus janë dy sektorë, ai i turizmit rural dhe natyrës, si dhe sektori i artizanatit dhe manifakturës. Thirrja është e fokusuar në këta dy sektorë bazuar në prioritetet e qeverisë për të mbështetur zhvillimin e tyre, por edhe pasi në vitet e mëparshme, dhënia e granteve ka qenë e hapur për investimet në fermë dhe agropërpunim. Zbatimi i kësaj mase për këta sektorë mbështet gjithashtu edhe domosdoshmërinë e tyre për financim.
Cilat janë dokumentet që duhet të plotësojnë kompanitë e interesuara dhe kur përfundon afati i dorëzimit të tyre?
Kriteret që duhet të plotësojnë aplikuesit janë të publikuara edhe në udhëzuesin për aplikantët në faqen zyrtare të AZHBR dhe faqes së dedikuar për grantet e IPARD. Të interesuarit, fillimisht për të aplikuar, duhet të jenë të pajisur me NIPT aktiv të regjistruar në QKB, të kenë të përshkruar fushën e ushtrimit të aktivitetit të tyre me të cilin do të investojnë nëpërmjet programit IPARD.
Subjektet duhet të jenë të pajisura edhe me certifikatën e pronësisë, ose kontratë qiraje 10-vjeçare të regjistruar në hipotekë mbi truallin ku do të kryhet investimi. Po ashtu, duhet të paraqesin një plan biznesi sipas formatit standard të publikuar në aneksin për aplikantët, ku për investimet deri në 5,000 euro, projekti teknik është shumë i thjeshtë, më tepër është shpjegues dhe aplikuesit nuk i nevojitet kryerja e llogaritjeve financiare.
Për investimet me vlerë mbi 50,000 euro, plani i biznesit duhet të përmbajë në vlera pozitive indikatorët financiarë. Qëndrueshmëria financiare dhe rentabiliteti ekonomik i projektit janë mjaft të rëndësishme.
Për këtë arsye, projekti brenda periudhës 10-vjeçare duhet të gjenerojë të ardhura dhe të mbulojë kostot e investimit. Për plotësimin e dokumentacionit, nevojitet paraqitja e 3 ofertave të pavarura për çdo zë të investimit. Është vetë aplikanti që i merr ofertat në treg dhe përzgjedh një nga ofertuesit me të cilin do të kryejë punimet apo do të blejë pajisjet dhe makineritë për investimin që do të realizohet nëpërmjet programit.
Dokumentet e tjera që duhet të dorëzohet janë vërtetimet për shlyerjen e detyrimeve dhe taksave që merren pranë organeve tatimore. Po ashtu kërkohet edhe plotësimi i dokumenteve specifike të certifikuara nga trupa teknike. P.sh. nëse aplikohet për grante në turizmin rural duhet të konfirmohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, që investimi i paraqitur do të zhvillohet sipas modelit tradicional të zonës apo dhënia e konfirmimit, nëse ky investim mund të zhvillohet në një zonë të mbrojtur.
Aplikuesit e projekteve për zhvillimin e turizmit rural duhet të plotësojnë kushtin për zhvillimin e investimit me limit deri 40 shtretër. Përmbushja e këtij kushti lëshohet nga Ministria e Turizmit, si dhe realizimi i tij duhet të jetë i përfshirë në projektin teknik dhe arkitekturor. Agjencia e Mjedisit duhet të lëshojë deklaratën që projekti për të cilin aplikohet në përfundim të investimit do të plotësojë standardet për shkarkimin e mbetjeve në mjedis.
Pjesa tjetër e dokumentacionit që plotëson aplikuesit do të provojnë qëndrueshmërinë financiare dhe mungesën e detyrimeve të pashlyera të subjektit. Të gjitha dokumentet do të dorëzohen sipas legjislacionit shqiptar dhe nuk ka kosto shtesë administrative. Një pjesë e dokumentacionit përfitohet edhe nëpërmjet portalit e-Albania dhe nuk paraqet vështirësi për gjenerimin e tyre. Thirrja do të mbyllet më datë 25 shkurt 2022.
A po hasin vështirësi subjektet për plotësimin e dokumentacionit, si po rezulton deri tani procesi?
Kjo është thirrja e programeve të IPARD për të cilën kemi marrë aplikime që në orët e para të mëngjesit të datës 10 janar, kur nisi procesi. Procedura përcakton se të gjitha aplikimet dorëzohen të mbyllura në zarf dhe hapen ditën kur drejtoria e përzgjedhjes së projekteve nis shqyrtimin e tyre. Dokumentacioni i dorëzuar vlerësohet teknikisht, për përmbushjen e kritereve të kandidatëve, kusht i kërkuar për t’u plotësuar nga BE.
Më pas vlerësimet e projekteve hidhen në sistem. Procedura është mjaft transparente. Në të kaluarën ka rezultuar që jemi hasur me shumë gabime formale nga kandidatët në plotësimin e dosjeve që në hapin e parë. Kjo ka sjellë që aplikuesi të skualifikohet dhe dosja e tij të mos shqyrtohet më tej. Për këtë arsye, këtë vit në fokus të zbatimit të programit IPARD është ngritur seksioni specifik për orientimin e aplikuesve me qëllim evitimin e gabimeve formale që shpesh ndodhin për plotësimin e formularëve standardë të akredituar nga BE, të cilat janë të detyrueshme të plotësohen.
Sa do të jetë përfitimi monetar për projektet fituese?
Në aplikim për përfitim granti nga thirrja e IPARD 2, Masa 7, pranohen projektet me kosto nga 10,000 euro deri në 400,000 mijë euro. Nëpërmjet programit do të financohet 65% e kostos së projektit ose në vlerë monetare e shprehur granti i përfituar për financimi publik nis nga 6,500 euro deri në 260,000 euro. Kostoja tjetër e mbetur për realizimin e investimit duhet të plotësohet nga aplikantët me buxhetin e tyre.
Cili do të jetë projekti i radhës së AZHBR dhe si do të vijohet të mbështeten fermerët?
Edhe këtë vit do të vijojmë me zbatimin e skemave mbështetëse kombëtare nga buxheti i shtetit. Buxheti në vlerën e 3,2 mld lekëve që do të disbursohet brenda vitit 2022 për fermerët është 3-fish më i lartë se vitet e kaluara.
Së pari, skema kombëtare përfshin pagesat direkte për fermerët nëpërmjet aplikimeve nga e-Albania, sipas parimit për zero dorëzim dokumentacion. Dokumentacioni i nevojshëm për të verifikuar plotësimin e kritereve që gjenerohet online nëpërmjet portalit. Vetëm për fermerët që shpallen fitues iu kërkohet dokumenti origjinal për certifikatën e pronësisë.
Në fokus të skemës kombëtare janë edhe subvencionet që për herë të parë do të mbështesin sektorin e peshkimit dhe mbulimin e kostove të inputeve bujqësore për serat. Ka përfunduar hartimi i vendimit dhe udhëzimit përkatës për përcaktimin e kritereve nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Pas miratimit të tyre do të nisë edhe faza e aplikimeve dhe shpërndarjes të subvencioneve, sipas kritereve që do të përcaktojë vendimi dhe aktet nënligjore. Procedura do të jetë e thjeshtë dhe pagesat ndaj fermerëve do të jenë direkte. Vitin e kaluar u zbatua, për herë të parë, skema e mbështetjes me naftë falas për fermerët që do të vijojnë zbatimin edhe këtë vit, duke përfshirë, për herë të parë, rimbursimin e barrës fiskale edhe për fermerët që kultivojnë ullirin.
Jemi duke punuar për zhvillimin e programit IPARD III, që është vijim i programit IPARD II. Programi është dërguar pranë strukturave të Komisionit Europian dhe presim miratimin e tij. Në raport me IPARD II në këtë program parashikohet të përfshihen 5 masa shtesë dhe me buxhet 50% më të lartë. Totali i fondit me programin IPARD II ishte rreth 94,6 mln euro.
Nga takimet me fermerët në Lushnjë, shumë prej tyre ngrenë shqetësimin e rritjes së kostove. Çfarë parashikon masa në mbështetje të subvencioneve për inputet bujqësore të serave?
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka qenë çdo ditë prezente në terren dhe ka dëgjuar shqetësimet e fermerëve dhe për këtë arsye parashikojmë që për herë të parë, të përfshijmë zbatimin e skemës mbështetëse për serat për të adresuar problemet e tyre, duke i dhënë përparësi rritjes së kultivimit në sera.
Më tepër janë të prekur fermerët e serave nga rritja e çmimeve të inputeve bujqësore në tregjet e huaja. Por probleme janë hasur edhe me shitjen e fidanëve në tregun vendas, që në disa raste tregtohen nga individë që i kultivojnë në kushte shtëpie, të pacertifikuara. Masa mbështetëse e propozuar synon gjurmueshmërinë e të gjithë procesit për të marrë masat e duhura në zgjidhjen e problemeve dhe vazhdimin e kultivimeve në sera.
Konkretisht për prodhimet në sera do të jenë dy masa mbështetëse, një në formën e pagesave direkte, ku fermeri do të aplikojë nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas do të dorëzojnë faturat e inputeve bujqësore, farës, fidanit të bimëve, pesticideve të përdoruara për mbjelljet e dy sezoneve të serave. Pas verifikimit që ne do të kryejmë që në serë është kultivuar kultura e dorëzuar me faturë do të rimbursohet me vlerë fikse për sipërfaqen e mbjellë.
Është propozuar që vlera e kompensimit për një sezon të kultivimit në serë të jetë 300,000 lekë. Fermerët parashikohet të përfitojnë rimbursimin deri në dy sezone të mbjellash me vlerë 600,000 lekë, për të mbuluar të gjitha kostot e inputeve bujqësore. Procedura e aplikimit parashikohet të jetë e thjeshtë. Do të aplikohet nëpërmjet e-Albania me NIPT-in e fermerit.
Masa e dytë do të mbështesë investimet e reja që do të kryhen në sera me qëllim rritjen e sipërfaqeve së tokës së kultivuar në sera. 50% e vlerës së projektit do të mbulohet me grant nga buxheti i shtetit. Procedura e aplikimeve do të jetë e ngjashme me atë të programit IPARD, ku fermerët duhet të paraqesin dokumentacionin, që nga certifikata e pronësisë së tokës dhe lejet e nevojshme, fillon projekti dhe më pas disbursohet kompensimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.