Askush nuk do që ta humbë ndeshjen emocionuese Bajern Mynih-Real Madrid, ndeshja e parë, e vlefshme për fazën çerekfinale të Champions League. Këtë e tregojnë kërkesat për bileta në klubin bavarez, i cili është detyruar të marrë një vendim drastik. Më 24 mars do të përzgjidhen 80 mijë bileta për në Allianz Arena, 2800 prej të cilave për tifozët e Realit, nga më shumë se 200 mijë kërkesa. Ky është cilësuar “shorti i vitit” nga e përditshmja spanjolle Marca.
Ta konsiderosh shumë të vogël një stadium avangardë si Allianz Arena në Mynih bën për të qeshur, por është kështu. Kjo është meritë e tifozëve bavarezë, të cilëve u bashkohen edhe shumë të pasionuar nga e gjithë bota, të cilët nuk do të donin të humbnin këtë sfidë me shumë yje, me përballje të tilla: Cristiano Ronaldo nga njëra anë e Lewandowski nga ana tjetër, apo Robben e Ribery kundër Bale e Benzema.
Rreth 200 mijë tifozë janë në radhë virtualisht për një biletë, por vetëm 80 mijë prej tyre do të kenë mundësi të hynë në stadium. Bajern ka vendosur që këtë zgjedhje ta bëjë në një mënyrë të veçantë – nëpërmjet një shorteu. Një ide krejt e veçantë, e cila do të shmangë radhët e gjata nëpër biletari dhe mijëra njerëz që do të vraponin për të gjetur një biletë. Fati do t’u buzëqeshë më pak se gjysmës së tyre që do të marrin email-in, i cili do të konfirmojë pjesëmarrjen e tyre në stadium.