Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, më konkretisht “Task Forca për Reformat e të Bërit Biznes”, organizuan takimin koordinues me grupet e punës për reformat që ndërlidhen me raportin e bankës për të bërit biznes.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, në fjalën e tij në këtë takim tha se përmirësimi i mjedisit afarist është prioritet i qeverisë, dhe për këtë është ngritur Task Forca për reformat e të bërit biznes, ku janë shënuar disa përparime në mjedisin afarist.
Sipas tij, të gjitha sfidat duhet të adresohen në Task Forcë duke eliminuar barrierat biznesore.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se edhe pse Kosova ka shënuar progres në raportin e të bërit biznes, vendi ynë nuk qëndron mirë në indikatorin për sigurimin e lejeve mjedisore. Për këtë dikaster është përgjegjëse ministria e Planifikimit Hapësinor, për të cilin indikator zëvendësministri i kësaj ministrie, Mendim Rugova, tha se sigurimi i lejeve mjedisore për biznese ka shënuar regres. Ishte ministrja Bajrami që më pas kërkoi nga MMPH që të rrisin volumin e punës në këtë çështje me rëndësi.
Ajo përmendi edhe mungesën e energjisë elektrike si mjaft problematike, e cila është shënuar edhe si gjetje në raportin e të bërit biznes, i publikuar muaj më parë. /Telegrafi/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.