Eksportet e bakrit po rriten me shpejtësi në vitet e fundit, megjithatë, Shqipëria përllogaritet se shfrytëzon vetëm 2% të rezervave të këtij metali me vlerë.
Kompania e vetme e nxjerrjes së bakrit, “Beralb”, pret marrjen me koncesion të minierave të tjera për të shtuar prodhimin, ndërsa muajt e fundit po përballet me rënien e shpejtë të çmimeve dhe të kërkesës në bursat ndërkombëtare
Nga Laura Çela
Rreth 4 miliardë lekë bakër u eksportuan gjatë vitit 2012 nga Shqipëria. Megjithëse me një rënie të lehtë në raport me një vit më parë, eksportet e bakrit kanë regjistruar një rritje të shpejtë në 3-4 vitet e fundit.
Në shifrat e fundit të INSTAT, mbi tremujorin e parë të këtij viti, bie në sy rritja e eksporteve të metaleve, që kanë arritur në 7.3 miliardë, me një zgjerim prej afro 5%. Në këtë grup një efekt shumë pozitiv ka dhënë edhe bakri.
Drejtuesit e kompanisë së vetme në treg që nxjerr, pasuron dhe eksporton bakër, “Beralb”, thonë se këtë vit, ritmet e eksporteve janë edhe më të shpejta dhe volumet në fund të vitit parashikohen të rriten ndjeshëm.
Nëse në 2011-n, “Beralb” eksportonte rreth 1,500 tonë bakër në muaj, sot ajo dërgon jashtë vendit deri në 3500 tonë bakër në muaj.
“Që në mesin e vitit të kaluar, ne kemi përfunduar një investim të madh në minierën dhe fabrikën e Fushë-Arrëzit, që do të trefishojë kapacitetin tonë të nxjerrjes dhe përpunimit. Në këtë vit ne i ke rritur me shpejtësi eksportet”, thotë Nazmi Kumanova, përfaqësues i kompanisë.
Sipas të dhënave nga “Beralb”, vlera e investimeve të kryera në total në minierën dhe fabrikën e marrë me koncesion ka arritur në 55 milionë dollarë deri më sot. Ndërsa kapaciteti prodhues gjatë këtij viti do të arrijë në 500 mijë tonë në vit nga 240 mijë tonë që ishte një vit më parë.
“Beralb” është ndërkohë në pritje të marrjes me koncesion të katër minierave të tjera të bakrit po në zonën e Fushë-Arrëzit.
“Ne e kemi fituar të drejtën e shfrytëzimit të tyre që vitin e kaluar, por pas një problematike, sipas nesh të kundërligjshme, nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, licenca nuk na u dha. Ne u shpallëm fitues në qershor të 2012-s dhe sipas ligjit, ministri kishte një afat 5-ditor që të jepte vlerësimin përfundimtar. Kjo nuk u bë dhe në muajin tetor ministri i Ekonomisë e anuloi tenderin, duke shpallur fitues një tjetër kompani”, shpjegon z. Kumanova.
Më pas, kompania e apeloi çështjen në Kryeministri dhe tashmë po presin një reagim.
“Pas vizitës që ministri aktual, Florion Mima, pati në fabrikën tonë, na u premtua se kjo çështje do të rishikohet dhe ne tashmë e kemi depozituar ankesën në këtë institucion. Presim reagim në mënyrë që të nisim sa më parë punën në këto katër miniera të tjera”, thotë përfaqësuesi i “Beralb”.
Me shfrytëzimin e këtyre minierave, që qëndrojnë të mbyllura që prej fillimit të viteve ‘90, prodhimi i bakrit në vend parashikohet të rritet ndjeshëm duke i tejkaluar 600 mijë tonë/vit.
Gjatë vizitës së ministrit, u konfirmua edhe hapja e një fabrike të re të pasurimit të bakrit që thuajse dyfishon numrin e punonjësve.
“Ndihem krenar për shifrën që ju dhatë, që nga 530 punëtorë shumë shpejt do të bëhen 1 mijë. Më vjen mirë që keni plane për të hapur një fabrikë tjetër pasurimi”, tha ministri.
Por bien çmimet
Por situata pozitive e prodhimit të bakrit në vend po luhatet nga lajmet negative që vijnë nga bursat. Çmimet e bakrit në tregjet ndërkombëtare kanë rënë me shpejtësi në muajt e fundit, si pasojë e rritjes së ndjeshme së prodhimit të këtij metali.
Bakri tregtohet sot me rreth 1200 dollarë/ton nga 1530 dollarë/ton që ishte pak javë më parë. Të dhënat nga bursat ndërkombëtare konfirmojnë mbiprodhim të këtij metali në tregjet më të mëdha botërore sot, kryesisht Kili, çka ka sjellë edhe uljen e çmimeve. Tashmë vendet më të mëdha prodhuese janë gati në panik për ecurinë e tregut, pasi tek bakri kanë të përqendruar një pjesë të madhe të ekonomisë vendase.
Edhe drejtuesit e “Beralb” përllogarisin humbje në fitimet e tyre si pasojë e tkurrjes së çmimeve.
“Aktualisht po operojmë me fitime deri në 40% më të ulëta, si rezultat i situatës në bursat ndërkombëtare. Në volume kemi ecuri shumë mirë, por çmimet po na penalizojnë fitimet”, thotë z. Kumanova.
Të dhënat nga tregjet ndërkombëtare japin sinjale se kërkesa në Kinë po shënon rritje, pasi rezervat po ‘konsumohen’ me shpejtësi. Megjithatë, frika për një rritje të çmimeve është ende e madhe, pasi mbiprodhimi mund t’i mbajë ato të ulëta për një periudhë të gjatë kohe.
Ku prodhohet
Prodhimit të bakrit është rritur me shpejtësi gjatë viteve të fundit për shkak të investimeve të mëdha. Rreth 300,000 tonë bakër janë prodhuar në vitin 2012, duke u zgjeruar me 70% në terma vjetorë. Kompania turke ka nën koncesion minierat e Munellës, Lak Roshit si dhe fabrikën e pasurimit në Fushë-Arrëz. Sipas të dhënave nga “Beralb”, prodhimi ditor i bakrit në minierën e Munellës ka arritur sot në 700 tonë/ditë.
Në minierën e bakrit të Lak Roshit, prodhimi e përditshëm është 475 tonë/ditë dhe prodhimi i përgjithshëm vjetor është 150,000 tonë/vit.
Në fabrikën e pasurimit në Fushë-Arrëz, kapaciteti aktual i përpunimit të mineralit të bakrit luhatet në 450,000-600,000 tonë në vit. “Beralb” është kompania kryesore në sektorin e bakrit. Ajo është ngritur në vitin 2001, kohë kur mori me koncesion edhe minierën në zonën veriore të vendit.
Prodhimi i përgjithshëm është duke u eksportuar në vendet e huaja. Destinacioni kryesor është Kina. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, eksportet e bakrit përbëjnë 90% të totalit të eksporteve shqiptare në Kinë.
Depozitat e bakrit janë të vendosura në gjashtë rrethe: Korçë, Mirditë, Pukë, Shkodër, Kukës, Has dhe rajone.
Zonat e Mirditës dhe Pukës kanë një potencial të lartë të bakrit për shkak të prodhimit aktual vjetor, por edhe numrit të rezervave minerare. Disa zona me perspektivë për eksplorimin dhe shfrytëzimin e bakrit vlerësohen të jenë ato në thellësi të Munellës, Gurth, Perlat, Karma dhe depozitat në Rehovë.
Fitime të larta
Megjithatë sektori regjistroi rënie të ndjeshme në volume nga kriza ekonomike. Gjatë vitit 2009, eksportet u ulën si pasojë e rënies së çmimeve dhe kërkesës në tregjet ndërkombëtare. Por gjatë viteve të fundit (2010-2012), eksportet e bakrit u rritën në një kohë kur tregu i huaj, sidomos ai kinez që është në rritje të vazhdueshme, u stabilizua.
Megjithatë, sektori ka një numër shumë të ulët dhe është i përqendruar në vetëm një kompani, turken “Beralb”, e cila hyri në treg në vitin 2001. Kompania ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit duke qenë pa konkurrentë, pasi interesi nga biznesi privat në industrinë e mineralit të bakrit dhe të minierave është ende i vogël në krahasim me mineralet e tjera.
“Beralb” ka realizuar një xhiro vjetore prej 32.2 milionë eurosh në vitin 2011, duke u zgjeruar 53% në bazë vjetore. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kompania realizoi fitime të mëdha, me një normë fitimi 40%.
Investimet në minierat e bakrit dhe prodhimit arritën një total prej 40.5 milionë eurosh në fund të vitit 2011 dhe në mbi 50 milionë në 2012-n.
Por vetëm 2% e rezervave
Interesi nga biznesi privat në industrinë e mineralit të bakrit dhe minierave është ende i vogël në krahasim me minerale të tjera, edhe pse rezervat janë llogaritur në rreth 50 milionë tonë.
Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria arrin të shfrytëzojë sot vetëm 2% të totalit të rezervave.
Një nga kufizimet kryesore në zhvillimin e ardhshëm të burimeve të bakrit në Shqipëri është infrastruktura e dobët e energjisë. Problemet e mëdha energjetike, sidomos në zonat ku ndodhen minierat e bakrit, që janë të thella, shkaktohen kryesisht nga një sistem transmetimi i dobët dhe jo i përshtatshëm për një industri të rëndë. Veriu i vendit, ku janë të përqendruara rezervat dhe minierat e bakrit, ende vuan nga ndërprerjet dhe furnizimi me energji, duke penguar aktivitetin minerar.
Investime të mëdha janë të nevojshme për të hyrë në industrinë e bakrit. Investimet që nevojiten në sektor janë më të mëdha se sa në minerale të tjera, sepse ata duhet të drejtohen në dy fusha: për rihapjen e minierave dhe ngritjen e fabrikave për të trajtuar dhe pasuruar e bakrin, kjo sepse ky metal, nëse nuk pasurohet, nuk ka asnjë vlerë në treg. Domosdoshmëria e kapaciteteve të mëdha financiare i ka shtyrë investitorët të përqendrohen kryesisht në krom dhe minerale të tjera, që janë më të thjeshta për t’u nxjerrë dhe kërkojnë më pak trajtim.
Edhe pse Shqipëria ka qenë dinamike në industrinë e bakrit gjatë regjimit komunist, pas viteve ‘90, sektori u braktis dhe prodhimi dhe eksportet u ndërprenë.
Gjatë vitit 1980, prodhimi i Shqipërisë në bakër ishin rreth 3 milionë tonë në vit. Pjesa dërrmuese e rezervave të bakrit shtrihet në zonën veriore, nga ku gjatë periudhës së komunizmit bakri nxirrej, trajtohej dhe rafinohej për t’u përdorur nga uzinat e telave apo për t’u eksportuar jashtë vendit.
BURSAT
Bie çmimi i bakrit, shkak prodhimi i tepërt
Prodhimi i bakrit po rritet me ritmet më të shpejta të dekadës së fundit, duke nxitur investitorët të vënë bast për një “kolaps” të çmimeve. Çmimi i bakrit është thelbësor për rentabilitetin e kompanive të minierave të mëdha, të tilla si “BHP Billiton”, “Anglo American” dhe “Freeport McMoran”, si dhe për ekonominë e Kilit, e cila siguron më shumë se një të tretën e PBB-së së saj nga metali dhe vende të tjera si Mongolia dhe Zambia.
Paaftësia e minierave të bakrit në botë për të rritur prodhimin në përgjigje të kërkesës kineze në rritje ka qenë “çelësi kyç” i “superciklit” të çmimeve të larta dhe fitimeve të majme për industrinë minerare gjatë dekadës së kaluar.
Kjo prirje ka ndryshuar kohët e fundit, teksa investimet e kompanisë në miniera për të përballuar kërkesat kanë nisur të japin fryte. Prodhimi i bakrit në Kili, i cili është përgjegjës për një të tretën e furnizimit botëror, është rritur fuqishëm muajt e fundit, nxitur nga zgjerimi i “Escondida”, miniera më e madhe në botë e bakrit.
“Wood Mackenzie”, një nga agjencitë kryesore të konsulencës, pret që viti 2013 të regjistrojë rritjen më të madhe në prodhimin e minierave botërore të bakrit që nga viti 2004.
Çmimet e bakrit javën e kaluar ranë në nivelin më të ulët në tetë muaj në 7,331 dollarë për ton në Bursën e Londrës. Çmimi i metalit, i përdorur në çdo gjë, duke filluar nga instalimet elektrike e deri tek njësitë e kondicionerëve, është ulur 28 për qind nga shifra më e lartë në vitin 2011. Megjithatë, pothuajse të gjitha minierat e bakrit mbeten fitimprurëse me çmimet aktuale, duke bërë që një pjesë e të interesuarve të argumentojnë se çmimet mund të ulen edhe më shumë.
“Shumica e fondeve po përballen me situatën ku ju përfundimisht keni shumë furnizim dhe kërkesa nuk është dhe aq e madhe”, tha Richard Wilson, kryetar i metaleve në “Wood Mackenzie”.
Rritja në furnizimin e bakrit do të jetë fokusi i javës së Cesco, tubimi më i madh vjetor i industrisë së bakrit në Kili, i cili fillon të hënën.
Ajo ka shkaktuar rritje të thellë në inventarin e bakrit, me rezervat e bakrit në depot e LME pothuajse të trefishuara që nga tetori.
Kjo ka bërë që shumë investitorë të jenë pesimistë: sipas të dhënave në kontratat amerikane nga “Commodity Futures Trading Commission”, pozicionimi i investitorëve është më pesimisti që nga viti 2009.
“Barclays”, një nga bankat tradicionalisht më optimiste në çmimet e mallrave, tha se rritja e ofertës për furnizim shënoi “fundin e një epoke për rritjen e çmimeve të bakrit”.
Megjithatë tregtarët ende besojnë se tregu ka të ngjarë të jetë më shumë pesimist se duhet në terma afatshkurtër teksa konsumatorët kinezë, të cilët sigurojnë 40 për qind të kërkesës botërore të bakrit, janë bërë më optimistë gjatë javëve të fundit.
Stoqet në magazinat rreth Shangait, që janë një matës i nevojës së Kinës për bakër – kanë rënë me rreth 50,000-100,000 ton në javët e fundit, thonë tregtarët.
DETAJET
-300,000 tonë bakër janë prodhuar në vitin 2012, duke u zgjeruar me 70% në terma vjetorë
– vetëm 2% e totalit të rezervave të bakrit, që përllogariten në 50 milionë tonë, shfrytëzohen sot në vend
–50 milionë euro janë investuar në total në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit
-“Beralb” ka realizuar një xhiro vjetore prej 32.2 milionë eurosh në vitin 2011, duke u rritur 53% në bazë vjetore.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kompania realizoi fitime të mëdha, me një normë fitimi 40%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.