Ballanca: Dëbimet me forcë, po abuzohet me ligjin, duhet dëmshpërblim

23/04/2019 4:17 PM 0 komente

Ngjarjet më të fundit, siç edhe zbatimi i projektit të ndërtimit të segmentit përkatës së Unazës së Re, të Tiranës, në zonën e Shkozës, ndërtimi i segmentit tjetër në vazhdim në zonën e njohur ndryshe si zona e “Astirit”, ngjarjet e ndodhura para pak ditësh te zona e “Bregut të Lumit”, për ndërtimin e Bulevardit të Ri, të Tiranës, apo edhe një sërë rastesh të tjera të shqyrtuara nga ana jonë, të çojnë në përfundimin se nuk zbatohet në mënyrë korrekte legjislacioni ekzistues për shpronësimet për interes publik, tha Erinda Ballanca, Avokate e Popullit në një intervistë për Monitor.

Ajo sqaroi se, nisur nga këto zhvillime lind nevoja e ndryshimit dhe përmirësimit të legjislacionit, lidhur me parashikimin e një dëmshpërblimi të arsyeshëm për të gjithë subjektet posedues të objekteve informale që preken nga zbatimi i projekteve për ndërtimin e veprave publike. Në këtë grupim duhet të futen ndërtimet informale për të cilat ka filluar procesi i legalizimit, apo edhe ndërtime të tjera informale, të cilat vërtetohet se janë ekzistuese në kohë, para miratimit dhe zbatimit të projekteve për ndërtimin e veprave publike. Dëmshpërblimi i arsyeshëm duhet të konceptohet në kuadër të një procesi shpronësimi specifik në këto raste.

Ky konkluzion kërkon sjelljen në koherencë të parashikimeve, si dhe ndërmarrjen e nismës legjislative për ndryshime në Ligjin nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, i ndryshuar dhe për amendime sqaruese, në Ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, tha Ballanca.

 

Flet Erinda Ballanca, Avokate e Popullit

A siguron legjislacioni shqiptar mbrojtje ligjore në lidhje me të drejtat e strehimit si e drejtë themelore?

Lidhur me pyetjen e parë do të doja të sqaroja fillimisht se, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e trajton të drejtën për strehim si një nga objektivat socialë të shtetit, i cili brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, synon që ta plotësojë atë, në kuadër të nevojave të shtetasve për strehim.

Ndërkohë, e drejta për strehim është sanksionuar si e drejtë themelore e njeriut, në një sërë aktesh ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi, siç edhe në rastin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Këtë panoramë afirmuese, si një e drejtë shumë e rëndësishme në grupimin e madh të të drejtave të njeriut, e plotëson edhe praktika e konsoliduar dhe jurisprudenca e pasur e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe praktika e Komitetit të të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së.

Legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë është plotësuar me kohën, me akte të reja normative rregullatore në këtë fushë, ku së fundmi do të përmendja hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”. Gjatë procesit dhe miratimit të këtij ligji, institucioni i Avokatit të Popullit, ka luajtur rol shumë aktiv duke paraqitur një sërë vërejtjesh dhe sugjerimesh që në një pjesë të mirë të tyre janë pasqyruar në përmbajtjen e dispozitave të këtij ligj.

Megjithatë, pavarësisht kësaj baze ligjore ekzistuese, kemi evidentuar si problematika ende të pazgjidhura lidhur me realizimin efektiv të së drejtës për strehimin:

– Mungesën e zgjidhjes për personat e pastrehë, të cilët janë të varfër dhe nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet e pjesës së pasubvencionuar nga pushteti vendor, ose kreditë e buta;

– Strehimin e personave të Komuniteteve Rome, të cilët në disa raste janë zhvendosur me forcë nga qendrat e vendbanimit të tyre;

– Pamundësinë e përfitimit të të varfërve nga programi për banesa me kosto të ulët dhe papërballueshmëria nga ana e tyre e këtij programi, për shkak të procedurave bankare tepër të gjata dhe të kushtueshme, të aplikueshme për këtë qëllim.

Po kështu kemi konstatuar se, edhe rregullimi që ka gjetur situata e “Dëbimit me forcë”, vetëm në një dispozitë të Ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, nuk mund të konsiderohet si një rregullim i plotë dhe shterues, i masave dhe hapave ligjorë që duhet të ndiqen në këto raste, në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare që rregullojnë këtë aspekt.

Avokati Popullit, në kuadër të zgjidhjes të problematikave të strehimit iu ka rekomanduar organeve shtetërore hartimin e një kuadri të plotë ligjor, të përafruar me standardet ndërkombëtare, që i përgjigjet realizimit efektiv të kërkesave të individëve dhe familjeve të tyre për strehim, duke garantuar sigurimin e një vendstrehimi për çdo kategori individësh, familje në nevojë, apo në vështirësi ekonomike.

Gjithashtu, vlerësohet se hartimi i legjislacionit duhet të shoqërohet me rritjen e buxhetit në këtë fushë, si dhe me mbështetjen që duhet të japë qeverisja qendrore ndaj organeve të qeverisjes vendore me projekte sociale të strehimit.
Në konkluzion mund të them se, legjislacioni në fuqi për garantimin e së drejtës për strehim ka pasur përmirësime kohë pas kohe, por ka ende nevojë për plotësimin e tij me akte të reja normative regullatore, që e përafrojnë atë me “Aquis Communitaire” dhe standardet respektive ndërkombëtare.

Sfida më e madhe nga këndvështrimi i institucionit të Avokatit të Popullit, mbetet aftësia për të përmbushur objektivat sociale, të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, veçanërisht ato objektiva që lidhen me strehimin social, mungesa e së cilës përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe cenon të drejtën për të jetuar me dinjitet. Sjell në vëmendje faktin se, edhe axhenda e miratuar në Samitin e Kombeve të Bashkuara në muajin shtator 2015, “Për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2015 – 2030”, i kushton rëndësi objektivit që lidhet me strehimin e përshtatshëm, të sigurt dhe të përballueshëm për të gjithë.

A keni një analizë për ngjarjet e fundit a po bëhen shpronësimet dhe shpërnguljet në përputhje me ligjet e brendshme?

Lidhur me problematikën që ju parashtroni, institucioni i Avokatit të Popullit është në ndjekje dhe analizim të kujdesshëm të saj. Sa i takon procesit ligjor të shpronësimeve në Shqipëri mund të them se tashmë, ne kemi analizuar elemente të caktuara të rëndësishme të këtij procesi, nisur nga situata faktike të ndodhura dhe të shqyrtuara nga ana e Avokatit të Popullit, dhe kemi dhënë qëndrimin tonë institucional lidhur me këto çështje.

Tashmë ne kemi konsoliduar qëndrimin se, mënyra e garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë të shtetasve që shpronësohen, duhet të zhvillohet përmes një procedure të rregullt ligjore shpronësimi, duke pasur parasysh likuidimin e plotë për vlerën e shpronësimit të subjektit, si dhe përcaktimin e një afati përmbyllës të këtij procesi, brenda një kohe sa më të shkurtër dhe të arsyeshme, si pjesë e një procesi të rregullt administrativ. Pagesa e dëmshpërblimit mund t’u nënshtrohet shtyrjeve ose mënyrës së pagimit me këste, por në asnjë rast, personat nuk duhet dhe nuk mund të humbasin të drejtën e gëzimit të sendit, pa marrë plotësisht pagesën e dëmshpërblimit.

Vlen të përmendim faktin se nga praktika të marra në shqyrtim, nga ana e Avokatit të Popullit, me objekt shpronësimin për interesa publikë, kemi konstatuar se përpara fillimit të procedurave të shpronësimit dhe kompensimit të subjekteve, fillohet me punimet publike, duke përbërë dhe duke evidentuar në këtë mënyrë, cenim të të drejtave të pronësisë së pronarëve.

Nga ana tjetër, qëndrimi ynë i shprehur në një nga raportet më të fundit të veçanta, të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, thekson se: Del nevoja e ndryshimit dhe përmirësimit të legjislacionit, lidhur me parashikimin e një dëmshpërblimi të arsyeshëm për të gjithë subjektet posedues të objekteve informale që preken nga zbatimi i projekteve për ndërtimin e veprave publike.

Në këtë grupim duhet të futen ndërtimet informale, për të cilat ka filluar procesi i legalizimit, apo edhe ndërtime të tjera informale, të cilat vërtetohet se janë ekzistuese në kohë, para miratimit dhe zbatimit të projekteve për ndërtimin e veprave publike. Dëmshpërblimi i arsyeshëm duhet të konceptohet në kuadër të një procesi shpronësimi specifik në këto raste.

Ky konkluzion kërkon sjelljen në koherencë të parashikimeve, si dhe ndërmarrjen e nismës legjislative për ndryshime në Ligjin nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, i ndryshuar dhe për amendime sqaruese, në Ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.

Ngjarjet më të fundit, siç edhe zbatimi i projektit të ndërtimit të segmentit përkatës së Unazës së Re, në Tiranë, në zonën e Shkozës, ndërtimi i segmentit tjetër në vazhdim në zonën e njohur ndryshe si zona e “Astirit”, ngjarjet e ndodhura para pak ditësh tek zona e “Bregut të Lumit”, për ndërtimin e Bulevardit të Ri, të Tiranës, apo edhe një sërë rastesh të tjera të shqyrtuara nga ana jonë, të çojnë në konkluzionin se nuk zbatohet në mënyrë korrekte legjislacioni ekzistues për shpronësimet për interes publik.

Ne kemi dalë me një raport të veçantë drejtuar Kuvendit, për problematikat e vërejtura gjatë ndërtimit të segmentit përkatës së Unazës së Re, të Tiranës, në zonën e Shkozës dhe jemi në proces për një raport tjetër të veçantë për problematikat dhe gjetjet e bëra, për ndërtimin e segmentit tjetër në vazhdim, në zonën e njohur ndryshe si zona e “Astirit”. Kemi filluar një hetim të gjerë, hetimin administrativ, lidhur me ngjarjet e ndodhura para pak ditësh te zona e Bregut të Lumit, për ndërtimin e Bulevardit të Ri të Tiranës.

Në të gjitha rastet e shqyrtuara nga ana jonë ka rezultuar se zhvendosjet apo dëbimet me forcë të komuniteteve të ndryshme nga vendbanimet e tyre, deri para hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, nuk janë kryer në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të dëbimeve të detyrueshme dhe nuk ka respektuar detyrimet e parashikuara në akte të rëndësishëm të OKB-së, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ngjarjet më të fundit te Bregu i Lumit nxjerrin edhe një herë në dritë këto konstatime tonat, në kushtet kur situata e “Dëbimit me forcë”, në Ligjin nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, nuk ka gjetur rregullimin e plotë dhe kur ndihet nevoja e miratimit të një ligji specifik për dëbimin me forcë.

 

Si duhet të bëhen shpronësimet

Mënyra e garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë të shtetasve që shpronësohen, duhet të zhvillohet përmes një procedure të rregullt ligjore shpronësimi, duke pasur parasysh likuidimin e plotë për vlerën e shpronësimit të subjektit, si dhe përcaktimin e një afati përmbyllës të këtij procesi, brenda një kohe sa më të shkurtër dhe të arsyeshme, si pjesë e një procesi të rregullt administrativ

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of