Pesë marrëveshje janë firmosur mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, takimi i së cilës u mbajt sot në Tiranë.
Nga pala shqiptare firmosi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Marrëveshjet e firmosura:
1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje të ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje të ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
Kryeministri Rama tha se përfitimet e marrëveshjeve të nënshkruara sot do të shihen që nga janari.
“Mundësinë dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve për të pasur akses të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit. Marrëveshje për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve i jep mundësi qytetarëve që duan të marrin shërbime të caktuara ta bëjnë këtë online, pa lëvizur nga shtëpia. Nga Janari i vitit të ardhshëm do të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive, pas pasur mundësi të sigurojnë 3 herë të njëjtat dokumente, që lidhen me import-eksportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Për herë të parë do të çelet eksporti për kafshët e gjalla, në bazë të besimit mes autoriteteve homologe. Për tregtuesin do të funksionojë si 1. Të gjitha vendet tona janë të super interesuar për tregje të reja. Të gjitha këto janë marrëveshje të cilat nuk janë as më shumë e as më pak se ato të tregut të përbashkët evropian”.
Sipas Presidentit serb Aleksandër Vuçiç marrëveshjet e nënshkruara do të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe të rrisin mirëqenien e tyre.
“Jam shumë i lumtur për marrëveshjet që kemi nënshkruar, ky është përfundimi i një pune prej më shumë se dy vitesh. Ne nuk duhet të shohim të shkuarën, por të shohim në të ardhmen. Ne duam që të shikojmë më shumë turistë nga Tirana dhe Shkupi, që të vijnë në Novisad, por edhe ju të keni më shumë turistë, në bregdetin e bukur që ka Shqipëria. Kjo punë ka të bëjë më shumë me të ardhurat dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Duam që t’ju mirëpresim në Serbi, prandaj janë shumë të rëndësishme marrëveshjet tona. Me anë të marrëveshjeve u kemi dhënë fund shumë procedurave burokratike. Kemi diskutuar për ulje tarifash në autostrada për vendet e Open Balkan. Fond të posaçëm për industrinë e filmit, për ekipet tona të futbollit të basketbollit, turizmin, kemi ulje në restorante në hotele të ndryshme. Në maj apo në qershor do të kemi samitin në Beograd dhe do të kemi gjithashtu një panair verërash”.
“Ne kemi nxjerrë në pah faktin se ‘Ballkani i Hapur’ është një proces autentik për përfitim të të gjitha vendeve të rajonit. Sot përballë qytetarëve tanë, ne paraqesim hapa konkretë. Ne e bëjmë tregun tonë më të madh duke u bërë më të gatshëm për konkurrim të mëtejshëm. Njerëzit tanë të ndjejnë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike. Nismat europianizojnë rajonin dhe sjellin një jetë më të mirë për qytetarët tanë. Standardet evropiane në vendet tona nuk mund të presin”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Rama: Në 6 muajt e ardhshëm në Samitin e Open Balkan do të ftojmë Italinë, Greqinë dhe Hungarinë
Kreu i qeverisë shqiptare tha se në 6 muajt e ardhshëm do të ftojnë Greqinë, Italinë e Hungarinë për të nisur me to nismën e Ballkanit të Hapur.
“Ne kemi vendosur sot të ftojmë në 6 muajt në vijim, sepse na duhet të përgatitemi mirë, ndërkohë që Samitin e ardhshëm na duhet të trajtojmë barrierat tarifore, në samitin vijues duam të kemi, Italinë, Greqinë dhe Hungarinë, sa për ta nisur, së bashku me ne në Samitin e Ballkanit të Hapur. Kemi kuptuar se nuk mjafton për tregtarët, importuesit, prodhuesit që të kenë tregti të lirë plotësisht si ata në BE, por ata kanë nevojë edhe të kenë më pak pengesa kur mbërrijnë në BE. Do të nisim të komunikojmë me vendet e BE dhe të përpiqemi ta bëjmë procesin bashkë, për tregun e përbashkët të rajonit me procesin e hyrjes në tregun e përbashkët europian”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.