Ballkani Perëndimor / BERZH konfirmon mbështetjen për investime në eliminimin e qymyrit

09/01/2021 10:08 PM 0 komente

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha se ka nisur diskutimet me organizatat ndërkombëtare për të mbështetur Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën në eliminimin e qymyrit.

Organizatat në mbështetje të Nismës së Platformës për Mbështetjen e Rajoneve të Qymyrit në Tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë, përfshirë BERZH, Grupin e Bankës Botërore, Kolegjin e Europës, Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe Komisionin Europian, ranë dakord të bashkojnë përpjekjet për të mbështetur tranzicionin drejt një të ardhmeje me karbon të ulët, në takimin e tyre të parë online, më 10-11 dhjetor, tha BERZH në një deklaratë.

“Ne jemi të kënaqur që po shohim fillimin e procesit të tranzicionit të qymyrit në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë dhe të gatshëm të sigurojmë dialog politik, asistencë teknike dhe mbështetje financiare për qeveritë, për të kaluar nga qymyri në burime të pastra të energjisë”, tha Zsuzsana Hargitai, drejtorja e BERZH për Ballkanin Perëndimor.

“BERZH ka financuar gati 500 MW kapacitet në energjinë solare dhe të erës në rajonin e Ballkanit Perëndimor në tre vitet e fundit”, shtoi ajo.

Iniciativa e Platformës, e krijuar në shtator 2019, do të ndihmojë rajonet e qymyrit të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës, në zhvillimin dhe zbatimin e politikave gjithëpërfshirëse që mundësojnë strategji të gjera për kalimin në sistemet e energjisë me karbon të ulët, duke bashkuar institucione ndërkombëtare dhe partnerë në të dyja fushat, për të ofruar njohuri, për të ndarë mësimet e marra nga rajonet në Bashkimin Europian dhe më gjerë, dhe për të siguruar mbështetje dhe financim të planifikimit.

Qasja e Tranzicionit të Ekonomisë së Gjelbër (GET) 2021-‘25 nga BERZH, synon të rrisë financimin e gjelbër të bankës në më shumë se gjysmën e vëllimit të saj vjetor të biznesit deri në vitin 2020, ndërsa ndihmon vendet ku ajo operon, që të ndërtojnë ekonomi të qëndrueshme me karbon të ulët.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of