Ballkani Perëndimor në prag të BE-së, pritshmëritë dhe problemet

27/11/2020 10:01 PM 0 komente
Ilhan Kyuchyuk, eurodeputeti i Bullgarisë

“Ne duam të japim një sinjal të qartë se Bashkimi Europian e sheh Republikën e Maqedonisë së Veriut, e sheh rajonin, si pjesë integrale të zhvillimit të tij, jo vetëm gjeografik, por edhe politik dhe ekonomik. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në BE sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kështu u shpreh Ilhan Kyuchyuk, eurodeputeti i Bullgarisë nga grupi Renew Europe i Parlamentit Europian, në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare. Ai ishte organizatori i një konference virtuale me temën “Ballkani Perëndimor përtej vitit 2020: Veprimet dhe zgjidhjet gjatë një pandemie”.

Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për Komisionin Europian që nga fillimi i mandatit, tha në forum komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi. “E ardhmja e rajonit është në Bashkimin Europian – dhe kjo është në interesin e tyre dhe tonin. Në këtë drejtim, paketa e zgjerimit 2020, të cilën ne e miratuam së bashku me Planin Ekonomik dhe të Investimeve, ofron një përmbledhje të hollësishme të reformave prioritare që mbeten në zemër të procesit të pranimit në BE”.

“Komisioni Europian ka një angazhim ndaj Ballkanit Perëndimor me fonde të mëdha – ose si grante, ose si hua”, tha Ilhan Kyuchyuk për BNR, duke kujtuar se shuma që KE ka lënë mënjanë gjatë krizës aktuale është e barabartë me 3.3 miliardë euro. “BE është e vetëdijshme për problemet kryesore me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor, kryesisht lidhur me krizën demografike, emigracionin dhe pamundësinë e të rinjve aktivë për të qëndruar në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Konferenca e organizuar nga Kiuchyuk përkoi me një periudhë tensioni midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Të dyja vendet duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet midis tyre deri në 10 nëntor, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të hapë rrugën për negociata me BE-në.

Dy ditë më parë, zëvendëskryeministri dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, njoftoi në një konferencë në Sofje se Bullgaria nuk kishte ende mundësi për të miratuar kornizën e negociatave me Maqedoninë e Veriut, pasi pala maqedonase kishte shkelur sistematikisht Marrëveshjen e Fqinjësisë, ishin krijuar pengesa për investimet bullgare dhe nuk po ndërmerreshin hapa për të kapërcyer gjuhën diskriminuese.

Sipas Ilhan Kyuchyuk, Brukseli e ka të vështirë të kuptojë retorikën e sotme midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Arritja e madhe e marrëveshjes midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është gjetja e formulimit “të përbashkët”, sepse e kaluara e përbashkët, historia dhe rrënjët e përbashkëta, sipas tij, do të hedhin “një themel shumë të fortë për të ardhmen tonë të përbashkët”.

Politika e zgjerimit forcon praninë e BE-së në skenën botërore, është një investim gjeostrategjik në një Europë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, tha udhëheqësi i MRF-së, Mustafa Karadayi, i cili ishte ndër pjesëmarrësit në konferencën “Ballkani Perëndimor përtej vitit 2020: Veprimet dhe zgjidhjet gjatë një pandemie”.

Sipas tij, modeli etnik bullgar i tolerancës dhe bashkimit, mund të shërbejë si një shembull për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të kapërcyer pengesat historike dhe konfliktet e ndezura etnike dhe për të hapur dyert e vendeve në rrugën e tyre drejt BE-së. Mustafa Karadayi parashikon se plani ekonomik dhe investues për rajonin do të ketë pikërisht këtë qëllim strategjik – të mobilizojë fonde për investime kryesore në fushat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, të cilat do të krijojnë rritje të qëndrueshme dhe vende pune.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of