Presidenca rumune e BE-së do të ndikojë në përmirësimin e perspektivës së bisedimeve të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia dhe Shqipëria, por vetëm pas zgjedhjeve europiane në muajin maj, tha në një intervistë për EURACTIV, ministri i Punëve të Jashtme të vendit.
George Ciamba, ministri i Jashtëm i Rumanisë, vendi i të cilit mori Presidencën e radhës të BE-së më 1 janar të këtij viti, tha se një nga detyrat kryesore të rolit gjashtëmujor të Rumanisë në krye të BE-së, do të jetë përforcimi i mesazhit të unitetit të 27 vendeve të BE-së pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Gjatë gjashtë muajve të Presidencës rumune, mesazhi i unitetit do të mbizotërojë dhe Rumania po merr në konsideratë Samitin e Sibiut (që do të mbahet më 9 maj) për ta vënë atë në zbatim.
“Nëse ne do të jemi në gjendje ta realizojmë atë në Samitin e Sibiut, kjo do të ishte një shenjë e mirë për zgjedhjet e ardhshme europiane. Zgjerimi i BE-së, i cili ka avancuar me ritme të ngadalta që pas bashkimit të Kroacisë në vitin 2013, është një prej prioriteteve tona, sepse nuk duhet të harrojmë një fakt të rëndësishëm, atë që ne jemi fëmijët e zgjerimit të BE-se dhe ia dimë mirë vlerën një procesi të tillë”, tha më tej z. Ciamba.
Për ne, Kroacinë dhe Bullgarinë, kjo është një çështje që duhet të shikohet me të njëjtën përparësi. Ajo është pjesë e programit që përfshin të gjitha vendet që do të mbajnë Presidencën e BE-së, tha z. Ciamba, duke iu referuar mbajtësve të fundit dhe atyre të ardhshëm të Presidencës. Ai lajmëroi se një procesi nuk do të jetë aspak i lehtë.
Ka ende keqkuptime politike në disa prej shteteve anëtare dhe zgjedhjet europiane nuk po ndihmojnë aspak në këtë drejtim.
Megjithatë ekziston një mundësi dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka është e nevojshme që çështja e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të avancojë më tej, duke u kërkuar të gjitha vendeve kandidate që të zbatojnë reformat e tyre.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor ishte në qendër të Presidencës bullgare në gjysmën e parë të vitit 2018, por kësaj çështjeje nuk iu kushtua rëndësi në Presidencën austriake, në gjysmës e dytë të vitit 2018.
Finlanda dhe Kroacia do të mbajnë dy presidencat e ardhshme pas Rumanisë. Z. Ciamba vlerësoi të ashtuquajturën Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar qershorin e kaluar mes Shkupit dhe Athinës, duke lënë pas rreth 30 vjet mosmarrëveshje mbi emrin e fqinjit verior të Greqisë, si një “arritje e rëndësishme dhe që duhet të shërbejë si shembull në të ardhmen”.
Të shumtë janë atë që po flasin këto ditë për Marrëveshjen e Prespës, por të paktë mund të jenë ata që e kanë kuptuar me të vërtetë vlerën e saj.
Nëse ratifikohet edhe në Greqi, ne do të kemi një shembull të qartë të asaj se çfarë është në gjendje të arrijë Europa dhe se sa shumë shpresë mund t’u japë ajo zemrave dhe mendjeve të njerëzve të vendeve që janë gati për t’iu bashkuar BE-së. Kjo është edhe më domethënëse në një kohë kur një prej shteteve anëtare të BE-së po largohet ose është në prag të largimit prej saj.