Presidentit të sapozgjedhur, Aleksandar Vuçiç, i pëlqen ta përdorë të kaluarën për të shpjeguar të ardhmen. Në vitin 1947, Josip Broz Tito ishte duke punuar fort për konsolidimin e Jugosllavisë. Ai ndërtoi një hekurudhë që kalonte përmes Bosnjës dhe që lidhte serbët, kroatët dhe boshnjakët myslimanë, të gjithë, si miqtë ashtu edhe armiqtë e pas Luftës së Dytë Botërore. “Tito nuk ishte aspak budalla”, u shpreh Vuçiç për “Reuters”. Ai u shpreh më tej se, njerëzit duhet të punojnë së bashku, të ndërtojnë së bashku, të udhëtojnë së bashku dhe të jetojnë së bashku. Kjo është edhe ajo për të cilën ne kemi nevojë edhe tani, bashkëpunimi dhe lidhja ndërmjet njëri-tjetrit.
Përsëri së bashku
Ndarja e ish-Republikës Jugosllave në shtatë shtete ndodhi 26 vjet më parë. Bashkimi Europian është duke u marrë me një projekt të nisur nga Vuçiç, sipas të cilit, pesë prej këtyre shteteve, plus Shqipërinë, do të bashkohen edhe një herë në një treg të vetëm.
Ajo do të shfuqizojë të gjitha barrierat e mbetura tarifore, do të heqë pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe shërbimeve dhe do të prezantojë rregullat standarde në të gjithë rajonin. BE-ja dëshiron të procedojë sipas një plani të rënë dakord në korrik të vitit të kaluar, duke i mëshuar idesë së riangazhimit me shtetet e dekurajuara të Ballkanit, si pasojë e deklaratave për ndërprerje të zgjerimit të mëtejshëm dhe sidomos në një kohë kur ato janë të ekspozuara ndaj një influence ruse gjithnjë e në rritje.
Frikë e pranishme në rajon
Kosova, për shembull, i druhet rënies sërish nën sundimin serb, shtete të tjera janë të shqetësuara si pasojë e ngadalësimit të procesit të pranimit të tyre në BE, ndërsa të tjera kanë frikë se nuk do të jenë kurrë pjesë e tij.
BE-ja ia ka deleguar zhvillimin e planit, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Kreu i saj, Goran Svilanoviç, tha për “Reuters” se liderët e Ballkanit po tregohen “gjithnjë e më shumë realistë” në lidhje me uljen e urisë së tyre për zgjerim të mëtejshëm të BE-së.
“Ata po e shohin se çfarë është duke ndodhur në BE”. Por ata do të punojnë së bashku në planin e tregut ballkanik, si dhe me BE-në, por vetëm në atë rast kur ata do të shikojnë një ndryshim real në jetën e tyre të përditshme, vazhdoi ai.
Tregu prej 20 milionë banorësh
Për vite me radhë, perspektiva e anëtarësimit në BE ka ndikuar në stabilizimin e marrëdhënieve dhe në nxitjen e reformës në një rajon të trazuar dhe të varfër. Por që në momentin kur Kroacia u bë pjesë e BE-së në 2013, këtë të fundit e kanë karakterizuar probleme të çështjeve të emigracionit, Brexit dhe populizmi i partive të krahut të djathtë.
Një vit më vonë, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, përjashtoi çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së, të paktën deri në vitin 2020.
Mungesa e stabilitetit dhe e demokracisë janë dy prej plagëve më të mëdha të Ballkanit. Sipas një zyrtari të lartë në BE, deklarata e z. Juncker ishte shumë e gabuar. “Shumë gjëra që ishin në rrugën e zhvillimit u ndalën”, vijoi ai. Një tjetër diplomat i BE-së u shpreh për “Reuters” se Brukseli ka bërë një gabim shumë të madh dhe po përpiqet që ta ndreqë atë.
Një treg i përbashkët
Një prej arritjeve është Tregu i Përbashkët i Vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të ndërtohet mbi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA.
Të gjashtë vendet janë anëtare të CEFTA-s, por ky plan që po përpiqet që të nxisë tregtinë brenda rajonit, ka ende disa pengesa.
Mbështetësit e planit thonë se një hapësirë e vetme ekonomike e një tregu me 20 milionë njerëz do të jetë më tërheqëse për investitorët në krahasim me gjashtë shtetet e vogla të ndara secila më vete. Nëse kjo realizohet, investitorët me siguri që do të trokasin në dyert tona, shprehet Vuçiç, Presidenti i sapozgjedhur i Serbisë.
Sipas BE-së, një lëvizje e tillë do të shënonte një hap drejt anëtarësimit. Por, në dokumentin e marsit të prezantuar nga Juncker, në lidhje me pritshmëritë e BE-së pas daljes së Britanisë në 2019, nuk kaloi pa u vënë re se në asnjërën prej pikave nuk përmendej zgjerimi i mëtejshëm i BE-së.
“Krijoni tregun tuaj të përbashkët (sepse ju nuk do të bashkoheni me tonin)” ishte titulli i deklaratës së analistit nga Kosova, Besa Shahini, në website-n “Pristina Insight”. Kosova arriti të dalë jashtë sundimit shtypës të Beogradit gjatë luftës së 1998-‘99.
“Ne nuk duam të shohim një Serbi që të sillet sipas stilit të Rusisë, duke u përpjekur që të dominojë politikisht rajonin”, u shpreh mbi këtë nismë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e shprehu mendimin e tij në rrjetin social Facebook ku shkruante: “Ne si popull, kemi përjetuar situata të ndryshme në të kaluarën dhe nuk duam që ajo e kaluar e hidhur të na kthehet sërish”, përfundoi ai.
Sokol Havolli, një këshilltar i Mustafës, tha për “Reuters” se projekti rrezikon ngadalësimin e integrimit të shteteve të rajonit në BE.
Alternativat e mundshme
I pyetur nëse krijimi i një tregu të përbashkët mund të zëvendësojë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, Vuçiç u shpreh se kjo gjë “nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë” por ai as nuk përjashtoi faktin se kanë filluar të dëgjohen zëra, edhe pse jo nga burime zyrtare në lidhje me një mundësi të tillë.
Zyra e shtypit e Kryeministrit malazez, Dushko Markoviç, tha për “Reuters” se Podgorica është ende në pritje të një propozimi të detajuar, por që do të mbështeste një bashkëpunim më të madh rajonal.
Tirana është skeptike në lidhje me kushtet e autonomisë, u shpreh një politikan nga Shqipëria.
Kristof Bender, zëvendëskryetar i Iniciativës për Stabilitetin Europian, një grup kërkimor me bazë në Bruksel, u shpreh se do të habitej shumë nëse krijimi i një klubi me ekonomitë e vendeve të varfra në rajon do të ndikonte në zvogëlimin e problemeve brenda tij.
Dhe as nuk mund të jetë një “alternativë e besueshme” në kuadër të prosperitetit dhe stabilitetit brenda BE-së. Nëse edhe kjo alternativë avullon, atëherë Ballkanit do t’i duhet që të kërkojë për alternativa të tjera, dhe duke pasur parasysh historinë e kohëve të fundit, kjo është e rrezikshme, u shpreh Bender për “Reuters”.
Hekurudhat e së kaluarës
Në ditët e sotme, hekurudhat që ndërtoi Tito, janë më shumë pasqyrim i së kaluarës sesa i një të ardhme të afërt: teksa trenat kalonin përmes dy rajoneve etnike të Bosnjës, turma të ndryshme njerëzish udhëtonin bashkë me to, si një reflektim i mirë i ndarjes së pushteteve në mënyrë të tillë që t’i jepej fund luftës së 1992-‘95. Një pjesë e asaj linje sot nuk është më në përdorim.
Vuçiç iu drejtua kritikëve që e argumentonin një ide të tillë si një përpjekje për të lënë Ballkanin dhe për të qenë pjesë e BE-së, duke i thënë se të njëjtën gjë do edhe Serbia, por a duhet që ne të presim tre, katër, pesë vjet për t’u bërë pjesë e BE-së, gjë që me shumë gjasa nuk do të ndodhë?