Balluku: Kontrollorët të kthehen në vendin e punës, do të merren masa ligjore

07/04/2021 2:03 PM 0 komente

Paralizimi i fluturimeve në Aeroportin e Rinasit për shkak të problematikës me kontrollorët e kompanisë publike Albcontrol ka bërë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të reagojë me një dalje para mediave të ministres Belinda Balluku.

Ajo theksoi se edhe pse është deklaruar si paaftësi për të punuar në fakt ajo që ka ndodhur është një grevë ilegale që dënohet nga Kodi i Punës dhe nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e punonjësve nuk do të mungojnë as masat ligjore.

“Dje për të bllokuar trafikun ajror dhe për të vënë në presion shtetin shqiptar kontrollorët kanë vendosur të bëjnë një akt që quhet paaftësi për të operuar. Kanë deklaruar që janë të paaftë për të operuar duke dhënë arsye si vështirësi financiare, stres, konflikt në familje, borxh tek të afërmit. Por kjo është një grevë. Në shërbimet e kontrollit të trafikut ajror sipas Kodit të Punës nuk mund të ushtrohet grevë. Kjo është një grevë ilegale. Janë deklaruar të gjithë në të njëjtën kohë, me të njëjtin dokumentacion dhe kanë deklaruar paaftësi dhe kanë futur në kolaps sistemin e navigimit ajror në Shqipëri.

Erdha për të thënë që nuk është lojë pasi që nga ky moment do na duhet të marrim  masa të rëndësishme ligjore që sdo jenë të mira për askend por as për navigimin ajror. Në këtë sektor janë investuar ndër vite shumë në burime njerëzore. Të gjithë kontrollorët janë të trajnuar në akademitë më të mira. Pra veç pagave që dëgjuat kontrollorët punojnë vetëm 205 ditë në vit apo 17 ditë të muaj. Ju bëj thirrje kontrollorëve të përgjegjshëm që të kthehen në vendin e punës” tha Balluku.

Kreu i MIE sqaroi se zanafilla e situatës lidhet me kërkesën e pagave të kontollorëve të cilat kanë pësuar ulje për shkak të situatës së pandemisë por që situate e vështirë e bën të pamundur për momentin kthimin në nivelin fillestar. Balluku u shpreh se pagat janë të një niveli shumë herë më të lartë sesa mesatarja e pagave të Shqipëri dhe se në këtë moment të vështirë kur fluturimet kanë rënë me 57 për qind është e vështirë për kompaninë që nuk merr dhe as nuk jep para në  buxhet të përballojë shpenzime të mëdha.

“Në kushtet e pandemisë që ka nisur nga marsi i 2020 siç e kemi thënë shumë herë, një nga sektorët më të prekur është aviacioni i cili është goditur duke nisur nga navigimi ajror e deri tek kompanitë ajrore për shkak të mbylljeve që kanë ardhur në të gjitha shtetet. Duke u përballur me këtë lloj problematike,  në prill 2020 Këshilli Mbikëqyrës i Albcontrol, kompanisë së vetme të navigimit në Shqipëri ka rishikuar pagat për shkak se Albcontol është kompani që punon me instrumentin e fitimit zero. Që do të thotë se parate që vijnë në Albcontol nuk vijnë nga buxheti i shtetit, vijnë nga kompanitë ajrore, vijnë aq sa i duhen për të përdorur. Pra Albcontol deklaron gjatë vitit, një herë në qershor dhe një herë në nëntor për të  bërë korrektimet pranë Euorcontol i cili është insitucioni europian për navigimin e trafikut ajror. Deklaron sa të ardhura i duhen gjatë vitit për të operuar, qoftë kosto operative (paga e pagesa të tjera të mirëmbajtjes së sistemit dhe gjithçka tjetër) dhe një pjesë tjetër për investime. Duke nisur nga marsi 2020 nuk ka pasur investime në kompani, pasi nuk ka pasur para dhe kostot operative janë ulur pasi  kompanitë ajrore nuk kanë fluturuar. Pra për të qenë e saktë dhe e qartë për të gjithë: paratë që vijnë nga trafiku ajror, vijnë sipas sasisë së operimeve të kryera.  Pra kontrollorët e trafikut ajror në vitin 2019, që ka qenë viti  i fundit i rregullt sa i takon trafikut kanë elaboruar e përpunuar gjatë vitit 216 mijë avionë.  Gjatë vitit 2020 dhe në fillim të këtij viti kanë operuar vetëm 102 mijë avionë.  Trafiku për shkak të pandemisë ka  rënë me rreth 57 për qind në 2020 ndërkohë që edhe në janar-mars trafiku ka qenë minus 57 për qind. Pra operatorët e navigimit kontrollorët, përpunojnë sot që flasim prej 14 muajsh 43 për qind të trafikut normal. Duke pasur  parasysh se shteti nuk ka përfshirje financiare në kompaninë Albcontol, pra nuk merr të ardhura dhe nuk i jep asnjë qindarkë pasi ky është një nga parimet e aderimit në Eurocontol nuk mund ti mbështesë me para nga buxheti.

Kontrollorët e trafikut ajror deri në vitin 2019 kanë pasur paga që arrinin edhe në shifrën 440 mijë lekë. Janë paga që vendosen në marr veshje të plotë me IATA dhe ofruesit e navigimit pra Albcontol. Këto paga që kanë qenë në nivelin 4400 USD sot janë në nivelin 2490 USD. Tani për shkak të kësaj ulje ne kemi pasur në vazhdimi  presion nga kontrollorët që kërkonin kthimin e pagës në gjendjen e mëparshme. Pra shfuqizimin e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës dhe vendosjen e pagës së mëparshme. Kjo kompani e ka detyrim ligjor mos ketë depozita pra mos krijojë fitim. Nëse në fund të vitit kompania del me fitim rishpërndan paratë tek kompanitë. Ka fitim zero dhe për rrjedhojë nuk ka para gjendje për situate si kjo” u shpreh ministrja.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of