Në vlerësimin e ecurisë së bankave tregtare u përdorën raportet vjetore ose pasqyrat financiare përmbledhëse të 15 bankave tregtare. Vlerësimi për herë të parë përfshin Bankën Credins dhe Bankën e Kreditit të Shqipërisë, të cilat filluan aktivitetin në vitin 2003. Vlerësimi i bërë nuk ka përfshirë Bankën Popullore, e cila nisi të funksionojë në fillim të vitit 2004.Tre bankat tregtare me ecurinë më të mirë të treguesve gjatë vitit 2003 janë:1. Banka Amerikane e Shqipërisë (BASH); 2. Banka Kombëtare Tregtare (BKT);3. Banka Alpha (BA).Në tre vendet e para renditen të njëjtat banka si edhe një vit më parë. Megjithatë, pozicionet ndërmjet tyre kanë ndryshuar. Në vend të parë renditet Banka Amerikane e Shqipërisë, e cila një vit më parë u klasifikua e dyta. Është përmirësuar në klasifikim Banka Kombëtare Tregtare, me një pozicion. Ndërsa Banka Alpha ka humbur dy pozicione. Është e natyrshme që në elemente të veçantë të kemi klasifikime bankash të ndryshme nga klasifikimi i përgjithshëm. Në renditjen e bankave sipas aspekteve të ndryshme të veprimtarisë së tyre ndikon ndjeshëm edhe profili i secilës bankë. 1. Fuqia e bankësDuke u nisur nga niveli i kapitalit bazë dhe shtimi apo pakësimi i tij, rezulton që ecurinë më të mirë e kanë Banka e Kursimeve, Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Banka Kombëtare Tregtare. Banka e Kursimeve renditet në fakt e para me 1.5 pikë, duke përmirësuar me dy pozicione klasifikimin e saj. Po kështu, Banka Amerikane e Shqipërisë ka përmirësuar klasifikimin e saj me dy pozicione (renditet e dyta nga e katërta që renditej një vit më parë). Banka Kombëtare Tregtare ka humbur dy pozicionet, duke zbritur në vendin e tretë ndërkohë që një vit më parë ishte në vendin e parë. 2. Madhësia e bankësDuke u nisur nga totali i bilancit dhe ritmi i ndryshimit të tij, rezulton që ecurinë më të mirë e kanë Banka Kombëtare Tregtare, Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Banka Alpha. Banka Kombëtare Tregtare e ka përmirësuar ndjeshëm pozicionin e saj, pasi është ngjitur në vendin e parë nga pozicioni i gjashtë që ishte një vit më parë. Ndërsa dy bankat e tjera mbanin vendin e parë dhe të dytë përkatësisht, duke humbur kështu vetëm nga një pozicion. 3. Shëndeti i bankësSipas këtij elementi, rezulton që nivelin më të lartë të kapitalit ndaj aktiveve gjithsej e kanë Banka Dardania (1 pikë, renditet e para), Banka e Kreditit e Shqipërisë (2 pikë, renditet e dyta) dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (3 pikë, renditet e treta). Në vitin 2003 këto banka, sidomos dy të parat, kanë qenë të kufizuara në investime, duke pasur edhe rrezik më të ulët të kredisë. Kjo e forcon pozicionin e kapitalit. Një rezultat i tillë është i pritshëm sidomos për Bankën e Kreditit të Shqipërisë, e cila ka filluar aktivitetin në vitin 2003. Përgjithësisht, bankat në vitin e parë të veprimtarisë zbatojnë politika konservatore në drejtim të zgjerimit të aktivitetit. Akoma më tej, ky është një tregues që demonstron se ndryshe nga tradita Banka Credins, që gjithashtu filloi aktivitetin në vitin 2003, ka ndjekur një politikë më agresive. Duke e krahasuar me një vit më parë, vërehet që Banka Dardania ka ruajtur të njëjtin pozicion. Pengimi i kësaj banke për të dhënë kredi ka bërë që të reduktohet shumë profili i rrezikut të bankës, duke forcuar nga ana tjetër pozicionin e kapitalit. Banka e Bashkuar e Shqipërisë (ish-Banka Arabo-Shqiptare Islamike) ka humbur një pozicion (një vit më parë renditej e dyta). 4. Fitimet e bankësDuke u nisur nga niveli i fitimeve dhe shtimi apo pakësimi i tyre rezulton që më mirë paraqiten Banka Amerikane e Shqipërisë, Banka e Kursimeve (3.5 pikë, renditet e dyta) dhe Banka Kombëtare Tregtare. Banka Kursimeve ka përmirësuar rezultatin financiar si pasojë e kufizimit në investime pa rrezik dhe, nga ana tjetër, si pasojë e reduktimit të ndjeshëm të normave të interesit për depozitat, duke reduktuar kështu koston. Duke e krahasuar me klasifikimin e bërë një vit më parë, vërehet se Banka Amerikane e Shqipërisë ka përmirësuar pozicionin e saj, duke kaluar nga vendi i tretë në të parin; Banka Kombëtare Tregtare ka humbur dy pozicione (duke kaluar nga vendi i parë në të tretin). 5. Efektiviteti i investimit të bankësSipas këtij treguesi, rezulton se më efektive në investime kanë qenë Banka Amerikane e Shqipërisë, Banka Alpha dhe Banka e Kursimeve (3 pikë, renditet e treta). Nga kjo pikëpamje, përmirësim të ndjeshëm ka pasur Banka Amerikane e Shqipërisë, e cila një vit më parë renditej e treta dhe Banka e Kursimeve, e cila një vit më parë renditej në vendin e shtatë. Banka Alpha ka ruajtur të njëjtin pozicion. Ndërkohë, Banka e Bashkuar e Shqipërisë ka dalë nga klasifikimi, megjithëse në vitin 2002 ajo u rendit e para. Një vit më parë, revista Monitor vërente: Duke u bazuar në mënyrën e llogaritjes së këtij treguesi, duhet theksuar që fitimi neto përfshin edhe ndikimin e fitimit apo humbjes së jashtëzakonshme gjatë një viti. Për pasojë, Banka Arabo-Shqiptare Islamike ka një tregues mjaft të mirë, pasi në vitin 2002 ka realizuar fitime të jashtëzakonshme në masë të konsiderueshme. Për këtë arsye, ripozicionimi i bankave sipas këtij treguesi ishte një lëvizje e pritshme dhe e natyrshme, pasi të ardhurat (fitimet) e jashtëzakonshme nuk janë të qëndrueshme.6. Rentabiliteti i bankësSipas këtij treguesi, rezulton se më rentabël në investimin e kapitalit të vet kanë qenë Banka Amerikane e Shqipërisë, Banka e Kursimeve (2 pikë, renditet e para) dhe Banka Alpha. Renditja e bankave sipas këtij treguesi pak a shumë ka ruajtur të njëjtën pamje si në vitin 2002. Banka Alpha ruan të njëjtin pozicion. Ndërkohë Banka Amerikane e Shqipërisë ka përmirësuar renditjen, duke kaluar nga vendi i dytë në të parin; kurse Banka e Kursimeve ka pësuar zhvendosjen e kundërt.7. Efikasiteti i bankësSipas këtij treguesi, rezulton se më shumë efikasitet në kryerjen e shpenzimeve kanë pasur Banka Alpha, Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Banka e Kursimeve (3 pikë, renditet e treta). Edhe për renditjen e bankave sipas këtij treguesi mund të thuhet e njëjta gjë, si edhe në rastin e renditjes sipas treguesit të kthyeshmërisë nga kapitali i vet. Pamja është pak a shumë e njëjtë. Banka Alpha ruan pozicionin e parë. Ndërsa Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Banka e Kursimeve përkatësisht kanë përmirësuar/përkeqësuar renditjen me një pozicion.8. Cilësia e portofolit të huaveNë vitin 2003, dy banka nuk kanë raportuar kredi me probleme, duke u renditur automatikisht në vendin e parë dhe të dytë. Këto janë Banka e Bashkuar e Shqipërisë dhe Banka Credins. E treta renditet Banka Kombëtare Tregtare. Ndërkohë që dy banka e kanë zero portofolin e kredisë. Këto janë Banka e Kreditit e Shqipërisë dhe Banka Dardania. Më së fundi, pozicioni i Bankës së Kursimeve është përcaktuar në bazë të portofolit të huave të bartura nga vitet e mëparshme, pasi prej vitit 1998 Banka e Kursimeve nuk lejohej të jepte kredi. Ky vendim u anulua në prill të vitit 2004. Në lidhje me renditjen e bankave sipas këtij treguesi, duhet theksuar se ekziston njëlloj vështirësie si pasojë e faktit, që jo të gjitha bankat janë të krahasueshme me njëra-tjetrën përsa i përket aktivitetit të kreditimit (tregu i kredidhënies është i përqendruar). Në këtë mënyrë duket sikur ndëshkohen në klasifikim bankat që japin kredi mjaftueshëm dhe kanë qoftë edhe një nivel të ulët të kredive me probleme. Për të shmangur këtë deformim, bankat që nuk kanë dhënë kredi janë klasifikuar të fundit. Kështu, Banka e Kreditit e Shqipërisë nuk ka dhënë hua në vitin 2003, vit në të cilin ajo nisi aktivitetin. Po ashtu edhe Banka Dardania për të cilën është ende në fuqi vendimi i autoritetit mbikëqyrës për të mos lejuar aktivitetin e kreditimit. Nga ana tjetër, Banka e Bashkuar e Shqipërisë është shndërruar në një bankë tregtare dhe për pasojë jep kredi. Viti 2003 është viti i parë i dhënies së kredive nga kjo bankë. Gjithashtu edhe për Bankën Credins, ky është viti i parë i dhënies së kredive. Për këtë arsye është ende shpejt që në këto banka të krijohen hua me probleme. Për këtë arsye, Banka Kombëtare Tregtare ka humbur dy pozicione krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.