Banka Botërore e vlerëson mesatarisht dixhitalizimin e bujqësisë shqiptare

22/03/2021 1:00 PM 0 komente

Banka Botërore ndërtoi indeksin e dixhitalizimit të bujqësisë në rreth 180 shtete, duke i dhënë vendit tonë 74.4 pikë një vlerësim mesatar (mbi 75 pikë vlerësim i shkëlqyer, 50-74.9 vlerësim mesatar, 25-49.9 vlerësim nën mesatare dhe 0-24.9 pikë vlerësim i dobët).

Indeksi i dixhitalizimit të bujqësie mori në konsideratë shtrirjen e rrjeteve 2-3 dhe 4 G në zonat ku zhvillohet bujqësia dhe përballueshmërinë e internetit me brez të gjerë. Të dhëna më të detajuara tregojnë se interneti me shpejti 2 dhe 3 G mbulon më shumë se 99.6 për qind të sipërfaqes së vendit ku zhvillohet bujqësia, ndërsa interneti me shpejtësi 4G mbuloi vetëm 35% të sipërfaqes. Mbulimi më internet i zonave ku zhvillohet bujqësia i dha vendit tonë 73.8 pikë.

Në përballueshmërinë e internetit në aspektin e çmimeve dhe disponueshmërisë së një telefoni, vendi ynë u rendit me dobët me vetëm 60.4 pikë, ndërsa vlerësime më të larta u mori mjedisi i përshtatshëm për të zhvilluar bujqësinë. Shqipëria mori pikë të larta për aksesin në tregje (99 pikë), aksesi në energji elektrike (100 pikë), por mori vlerësim më të ulët aftësi bazike të punonjësve (72.6 pikë).

Në Rajon Serbia dhe Mali i Zi morën vlerësime më të larta se Shqipëri, ndërsa Bosnja u vlerësua më dobët.

Banka Botërore vlerëson se bujqësia dhe ushqimi janë thelbësore për arritjen e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe kanë potencialin për të kontribuar në një ekonomi të shëndetshme, njerëz të shëndetshëm dhe në një planet i shëndetshëm.

Teknologjitë dixhitale premtojnë të transformojnë sistemit ushqimor, duke ulur në mënyrë drastike asimetrinë e informacionit dhe kostot e transaksioneve.

Pavarësisht se oferta për ushqim është dyfishuar gjatë 50 viteve të fundit numri i njerëzve të paushqyer është rritur që nga viti 2014. Një në pesë fëmijë nën moshën pesë vjeç është i nënushqyer, duke ndikuar produktivitetin gjatë gjithë jetës së tyre, ndërsa në të gjithë globin mbi 2 miliardë njerëz janë mbi peshë, duke ndikuar në rritjen e sëmundjeve me orgjinë dietike.

Bujqësia kontribuon me 24 për qind të emetimeve të karbonit dhe konsumon 70% të ujit të ëmbël. Efektet negative të bujqësisë në mjedis u llogariten në 12 trilionë dollarë më 2019.

Banka Botërore vlerëson se sistemi ushqimor ka lidhje të ngushtë me rezultatet ekonomike, shëndetësore dhe mjedisore e për rrjedhojë i shërben zhvillimit të qëndrueshëm.

Më shumë se 44 për qind e popullsisë globale jeton në zonat rurale. Bujqësia shpesh zhvillohet në zonat e largëta rurale, dhe disavantazhet e largësisë përfshijnë mungesë informacioni, shërbime dhe akses në tregje. Distancat në shkolla, banka, spitale dhe dyqane janë mesatarisht më të mëdha për familjet rurale sesa ekonomitë familjare në qytete ose komunitete periferike. Kjo largësi pengon rritjen ekonomike në këto zona. Ndërsa nivelet e varfërisë në zonat rurale ranë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, ende 78 për qind e njerëzve të varfër të botës jetojnë në zonat rurale dhe mbështeten te bujqësia për jetesën e tyre.

Për shembull, gjatë Revolucionit të Gjelbër të Azisë, një rritje prej 1 për qind e produktivitetit bujqësor uli varfërinë me rreth 1.9 për qind./ B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of