Banka Botërore ka miratuar një fond prej 12 miliardë dollarësh për vendet në zhvillim për të financuar blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave të Covid-19, si dhe garantimin e testeve dhe trajtimeve të aprovuara për qytetarët e tyre.
Plani i financimit, është pjesë e një pakete totale prej 160 miliardë dollarëve që Banka ka premtuar t’u sigurojë vendeve në zhvillim deri në qershor të vitit 2021, për t’i ndihmuar ata të luftojnë pandeminë e koronavirusit, shkruan Reuters.
Financimi “synon të mbështesë vaksinimin e deri një miliard njerëzve”.
“Kjo paketë financimi ndihmon në sinjalizimin e industrisë kërkimore dhe farmaceutike se qytetarët në vendet në zhvillim gjithashtu kanë nevojë për akses në vaksinat e sigurta dhe efektive të Covid-19. Ajo gjithashtu do të sigurojë mbështetje financiare dhe teknike në mënyrë që vendet në zhvillim të përgatiten për vendosjen e vaksinave në shkallë të gjerë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratë.