Intervista me
Tatiana Skalon, Specialiste e Financimit të Rreziqeve nga Fatkeqësitë Natyrore, Banka Botërore
dhe
Daniel Kull, Kryespecialist i Menaxhimit të Rreziqeve nga Fatkeqësitë Natyrore, Banka Botërore
Shqipëria është vendi më i rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore në Europë. Jo më larg se nëntori i vitit 2019 përjetoi një tërmet të fuqishëm me 6.4 ballë që la pas dëme të jashtëzakonshme, teksa përmbytjet janë edhe më të freskëta janarin e këtij viti. Përpara kësaj situate, pikëpyetjet që parashtrohen kanë të bëjnë me zvogëlimin e rrezikut, përgatitjen paraprake për të përballuar raste të kësaj natyre por, mbi të gjitha, gjetjen e burimeve financiare të nevojshme.
Një diagnozë e financimit për përballimin e dëmeve nga katastrofat e Bankës Botërore jep, ndër të tjera, sugjerime mbi modelet që mund të ndiqen për këtë aspekt. Tatiana Skalon, Specialiste për Financimin e Rrezikut ndaj Katastrofave dhe Daniel Kull, Specialist i Lartë i Menaxhimit të Rrezikut nga Katastrofat, shpjeguan më në detaj në një intervistë për “Monitor” mundësitë që ka Shqipëria në kushtet ku ndodhet.
Modelet e sigurimit të detyrueshëm të shtëpive në disa vende në botë apo lëshimi i bondeve të katastrofave që është një praktikë e njohur në tregjet e kapitalit shihen si mundësi që mund të zhvillohen në strategjinë që po harton qeveria për qëllimin e financimit të rrezikut.
Banka Botërore publikoi një diagnozë të financimit për përballimin e dëmit nga katastrofat. Sa e kërcënuar është Shqipëria nga fatkeqësitë natyrore të tilla si tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 apo edhe përmbytjet e fundit?
Sipas një modeli rreziku për katastrofat të AIR Worldwide (një kompani me reputacion ndërkombëtar në modelimin e rrezikut) tërmete të tilla si ai në nëntor 2019 kanë një periudhë kthimi një herë në 50 vjet (ndaj ka një shans prej 2% që tërmete të kësaj natyre të ndodhin çdo vit).
Mesa kemi dijeni, ende nuk ka një vlerësim zyrtar të dëmeve që ndodhën nga përmbytjet e këtij viti në Veri të vendit, por përmbytjet paraqesin një rrezik të vazhdueshëm për Shqipërinë. Sipas të njëjtit model, rreziku ka 2% shans që çdo vit humbjet nga përmbytjet të kalojnë 181 milionë dollarë.
Ndikimet e katastrofave natyrore janë të drejtpërdrejta në situatën ekonomike të qytetarëve. Sa janë dëmet mesatare të përllogaritura dhe si mund t’i paraprijë qeveria këtij aspekti për t’ju përgjigjur në kohë nevojës?
Vlerësimi i rrezikut nga katastrofat në raport bazohet në të dhëna mbi ekspozimin për shembull: vendndodhja e aseteve (të tilla si shtëpitë private), cenueshmëria e këtyre aseteve dhe afërsia e tyre me zonat e rrezikut (të tilla si lumenjtë që mund të krijojnë përmbytje në mënyrë potenciale).
Si i tillë, ai vetëm merr në konsideratë dëmet e pritshme në asete por nuk përfshin humbjet e pritshme që vijnë si pasojë e një fatkeqësie (humbjet e të mirave materiale të jetesës së përditshme).
Qeveria e Shqipërisë është duke punuar për të adresuar një numër sfidash që lidhen me këtë aspekt. Për shembull, zhvillimin e një Strategjie për Financimin e Rrezikut nga Katastrofat, për të parë risqet dhe sfidat kryesore si dhe të identifikojë prioritetet për t’i adresuar ato. Duke pasur parasysh ndikimin e madh të fatkeqësive në asetet private, qëndrueshmëria e shtëpive do të jetë me siguri mes këtyre prioriteteve.
Raporti tregon se përpjekjet për rimëkëmbje mbështeten në shumicën e rasteve në rialokimet nga buxheti, huamarrja dhe ndihma nga donatorët që nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Për të zgjeruar instrumentet e financimit në këtë drejtim, qeveria po sheh mundësi për një mekanizëm që të rrisë penetrimin e sigurimit të shtëpive private ndaj katastrofave.
Modele me programe të tilla ekzistojnë në shumë vende me një menaxhim të maturuar të rrezikut të katastrofave të tilla si Franca, Spanja dhe Turqia. Ka shumë përfitime nga rritja e nivelit të sigurimeve ndaj fatkeqësive për familjet. Për shembull, kjo mundëson përdorimin e kapitalit të sektorit privat që shpesh lejon të mbulohen kostot më të larta të katastrofave krahasuar me ndihmën qeveritare, duke bërë transferime transparente të fondeve dhe të bazuara rast pas rasti te njerëzit e prekur nga fatkeqësia, duke rritur të kuptuarit e rrezikut nga popullata dhe përfitimi nga ekonomia e shkallës (sigurimi i sa më shumë njerëzve mund të ndihmojë në bërjen e produktit më të përballueshëm për të gjithë).
Banka Botërore po jep ndihmën e saj në përgatitjen e një vlerësimi për përshtatshmërinë e sistemit të mbrojtjes sociale në Shqipëri ndaj fatkeqësive dhe krizave. Ky vlerësim do të ndihmojë për të eksploruar sesi mund të bëhet forcimi i mbështetjes financiare për të mbështetur më të prekurit pas katastrofave apo sesi të parandalohet që njerëzit të bien në varfëri.
Ka një ndërgjegjësim të ulët në vend sa i takon sigurimit të pronës në tërësi që është një sigurim vullnetar. Vetëm pak kohë më parë u fol për një sigurim të detyrueshëm dhe të dedikuar vetëm për tërmetin, ku krijimi i një agjencie do të behet me menaxhimin e fondit. Si e vlerësoni këtë model të propozuar?
Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar i 2014-s, që u zhvillua nga Banka Botërore dhe Fondi Ndërkombëtar Financiar, rekomandoi ngritjen e një programi kombëtar për sigurimin e shtëpive ndaj tërmetit, për të zbutur efektet financiare të tërmeteve të mëdhenj në buxhetin e qeverisë, sektorin financiar vendas dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi.
Për të garantuar vlera të larta të mbulimit të sigurimit dhe besueshmëri të qëndrueshme midis pronarëve të shtëpive, programi duhet të mbështetet nga kritere të shëndosha teknike dhe menaxhim të kujdesshëm, duke përfshirë ekspertizë specifike dhe përvojë në menaxhimin kombëtar të rrezikut ndaj katastrofës. Është e dobishme të ndërtohet në bazë të përvojës dhe mësimeve të marra nga vendet e tjera të cilat tashmë kanë zhvilluar programe të ngjashme.
Siç përmendet, ka disa modele të sigurimit ndaj katastrofave nëpër botë që janë të natyrave vullnetare ose të detyrueshme. Për shembull, modeli i Turqisë “Turkish Catastrophe Insurance Pool” (TCIP) u ngrit rreth 20 vjet më parë për të administruar sigurimin e detyrueshëm ndaj katastrofave. Në 2019-n mbulonte më shumë se 50% të shtëpive në Turqi duke u ofruar prime të përballueshme sigurimi dhe kthime të konsiderueshme.
Në Francë, sigurimi ndaj katastrofave është pjesë e detyrueshme e sigurimit të pronës dhe thuajse çdo francez që zotëron një pronë është i siguruar. Në të gjithë botën programet e sigurimit ndaj katastrofave diferencohen nga natyra e tyre e detyrueshme apo vullnetare, tipi i pronësisë (nëse është shtetërore apo zbatohet nga sektori privat i sigurimeve), lloji i produktit dhe mbulimi që ato ofrojnë si dhe shumë aspekte të tjera.
Banka përmend rëndësinë e krijimit të një plani kontingjence për fazën gjatë dhe pas COVID-19, si dhe rëndësinë e kuptimit të rrezikut dhe ndarjes së tij mes disa palëve? Si mund të arrihet kjo dhe çfarë elementesh duhet të mbahen parasysh?
Planifikimi i parakohshëm i masave dhe instrumenteve për të menaxhuar ndikimin e goditjeve të mëdha të tilla si pandemitë, katastrofat, është esencial për përgjigjen efektive dhe në kohë ndaj tyre, si dhe për rindërtimin. Ka shumë elemente në parapërgatitjen e planeve të kësaj natyre përfshirë njoftimin e hershëm, pozicionimi paraprak i pajisjeve dhe kapaciteti i ndërtimit për të siguruar që njerëzit dhe institucionet do të dinë si të reagojnë. Raporti në mënyrë të veçantë prek planifikimin financiar dhe si të sigurohen fonde të disponueshme, atëherë kur ka nevojë. Ka disa parime orientuese për këtë.
Për shembull: (i) shpejtësia ka rëndësi por jo të gjithë burimet janë të nevojshme përnjëherësh; (ii) si paraja arrin tek përfituesi është po aq e rëndësishme sa fakti sesa nga vjen ajo; (iii) nuk ka asnjë instrument të financimit të rrezikut(siç është për shembull fondi rezervë) që do të adresojë të gjithë nevojat për financim; (iv) të dhënat dhe analizimet janë themelore për vendimmarrje që bazohet në informacion.
Banka Botërore, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë po planifikojnë që të vlerësojnë më në detaj detyrimet kontingjente të qeverisë për shkak të katastrofave dhe sesi ato mund të ndikojnë në pozicionin fiskal të qeverisë. Ky vlerësim do të ndihmojë në hartimin e një Strategjie të Financimit të Rrezikut të Katastrofës, duke përfshirë edhe të kuptuarit e asaj se cilat kosto mbulohen më mirë nga pjesa lokale përballë asaj të qeverisë qendrore.
Duke pasur parasysh që qeveritë zakonisht marrin shumicën e kostove të pas –katastrofave është e rëndësishme që të planifikohet sesi këto kosto mund të menaxhohen bazuar në të dhëna të besueshme. Për shembull, duke pasur parasysh që nevojat për fondet e reagimit janë të menjëhershme, por relativisht të vogla në raport me koston totale të katastrofave, kjo mund të menaxhohet më mirë përmes fondeve rezervë dhe kredive të emergjencës. Kostot më të larta të rindërtimit (për shembull asetet publike) mund të konsiderohen për mbulim përmes blerjes së sigurimit në tregun privat të sigurimit.
Raporti i fundit vlerëson se në skenarin më optimist, tërmeti dhe pandemia mund të kenë çuar nivelin e varfërisë me 8 vjet pas. Çfarë politikash apo masash mund të ndërmerren për të mbrojtur pjesën vulnerabël dhe më të prekur?
Fatkeqësitë madhore natyrore shpesh lidhen me humbje njerëzore dhe shkatërrim të aseteve publike dhe private, me një ndikim negativ në jetën e njerëzve dhe mirëqenien e tyre. Shumica e vendeve në botë u kapën të papërgatitura nga pandemia e COVID-19. Qeveria e Shqipërisë bëri përpjekje të lavdërueshme në adresimin e ndikimeve të pandemisë mbi varfërinë përmes programeve që u zbatuan për të mbështetur të varfrit.
Hapa të mëtejshëm duhet të përfshijnë analizimin e asaj se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo dhe synimi për t’i forcuar, për shembull sistemi i mbrojtjes sociale dhe sesa shpejt dhe në mënyrë efektive mund të reagojë në kohë krizash të mëdha, duke zgjeruar si vertikalisht (për të siguruar sa më shumë para) dhe horizontalisht (për të mbuluar familje shtesë në rrezik (që përpjekjet e Shqipërisë mbi uljen e varfërisë dhe zhvillimin ekonomik të mbrohen kundër ndikimeve të pafavorshme të katastrofave.
Sipas raportit jemi vendi me rrezikun më të lartë në Europë, por hapësirat fiskale për të përballuar fatkeqësitë janë të kufizuara. Çfarë elementësh mund të përfshihen në pjesën e përballimit financiar të këtyre rasteve. BB ka përmendur transferimin e rrezikut, si mund të arrihet kjo. Po pjesa e zhvillimit të tregut të kapitaleve, pse merr rëndësi?
Ka shumë elemente në një plan financiar për katastrofat e mëdha, por është e rëndësishme që të mbahet parasysh se nuk ka asnjë burim fondesh që mund të mbulojë të gjithë nevojat. Në parim, praktikë e mirë është që të kombinohen disa burime të ndryshme fondesh për të siguruar përdorimin efektiv sa i takon kostos (me burimet me më të lira përdoren të parat). Për shembull, fondet rezervë mund të jenë një burim efektiv dhe i lirë për likuiditet të shpejtë pasi janë gati të disponueshme dhe mund të përdoren si një përgjigje e shpejtë për mbështetjen e katastrofave (apo si në rastin e COVID-19 si përpjekje për të mbajtur nën kontroll pandeminë).
Gjithsesi, mbajtja e parave mënjanë çdo vit ka kosto oportune dhe kjo duhet të peshohet me kujdes kundrejt mundësive të tjera. Kur fondet rezervë janë dobësuar, një kredi emergjence mund të ndihmojë në mbushjen e hendekut të likuiditetit duke mundësuar financim të shpejtë. Sigurimi mund të përdoret gjithashtu për shumë qëllime të tjera. Për shembull, sigurimi i aseteve publike mund të ndihmojë në mbulimin e rikonstruksionit të shkollave dhe spitaleve. Gjithsesi është ende e panjohur sesa efektive në aspektin e kostos do të ishte një sigurim i tillë në Shqipëri, në raport me mundësitë e tjera.
Rritja e sigurimit të pronës ndaj katastrofave për shtëpitë do të pakësonte kostot e rindërtimit për qytetarët dhe buxhetin. Mes mundësive janë edhe instrumentet e tregjeve të kapitalit. Së fundmi, bondet e katastrofave (apo Cat bonds) që fillimisht u përdorën nga kompanitë e sigurimit dhe risigurimit po lëshohen vazhdimisht nga qeveritë për të siguruar financim të disponueshëm pas katastrofave të mëdha.
Sa më sipër, plani financiar i qeverisë ndoshta do të përfshinte: (i) zhvillimin e një renditjeje të rreziqeve që kombinon instrumentet e mësipërme me rialokimin e zakonshëm të buxhetit, huamarrjen dhe ndihmën e donatorëve; (ii) përcaktimi i fushave prioritare për financim; (iii) planifikim i kujdesshëm i shpërndarjes së fondeve te përfituesit (p.sh. sigurimi i fondeve rezervë të mund të arrihen shpejt dhe në mënyrë efektive, ose paraplanifikimi i fondeve për shkallëzimin e programit të mbrojtjes sociale); dhe (iv) palët e interesuara të përgjegjshme. Në një njëjtën kohë, ky plan duhet të bazohet në të dhëna të besueshme për rrezikun që shoqërohet edhe nga një kuptueshmëri e fortë dhe informuese se ku rreziku mund të ulet apo të shmanget (për shembull evitimi i ndërtimit të aseteve në zona që preken përmbytjet rregullisht).
Bazuar në të dhënat e rrezikut dhe humbjet potenciale mund të vendoset nëse do të mbahet apo kontrollohet rreziku (përmes fondeve rezervë, rialokimeve në buxhet apo huamarrjes) apo ta transferosh atë (përmes sigurimeve apo tregjeve të kapitalit), cili është kombinimi efektiv në aspektin e kostos i këtyre burimeve dhe kush duhet të paguajë.
Raporti fokusohet në financimin e rrezikut, por a mund të themi dy fjalë edhe për parapërgatitjen apo reduktimin e rrezikut dhe si mundet që qeveria të ulë kostot e fatkeqësive natyrore në të ardhmen?
Financimi i rrezikut ndaj katastrofave plotëson, por nuk zëvendëson reduktimin e rrezikut dhe parapërgatitjen. Banka Botërore së fundmi mbylli një vlerësim mbi Parapërgatitjen dhe Reagimin në Emergjencë të Shqipërisë që tregoi se sistemet e informacionit, objektet, pajisjet dhe personeli janë të gjithë në nevojë për zhvillim të mëtejshëm.
Shqipëria mund të reagojë çdo ditë ndaj nevojave, por sistemit i mungon operimi themelor për një përgjigje efektive dhe të koordinuar mes institucioneve kur ndodhin fatkeqësi të një shkalle të lartë. Vlerësohet se për të adresuar nevojat që paraqet reagimi i shpejtë në rast katastrofash nevojiten rreth 100 milionë dollarë në investime parapërgatitore.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka bërë progres të mirë në dekadën e fundit sa i takon forcimit të kuadrit ligjor dhe financiar, për shembull, duke adoptuar një ligj të ri “Për mbrojtjen civile” miratuar në korrik 2019. Gjithsesi ka nevojë të bëhet më shumë për të zbatuar ndryshimet ligjore, brenda politikave institucionale, procedurave dhe praktikave operative.
Po kështu, më shumë edhe në forcimin e politikave, sistemeve, pajisjeve dhe kapaciteteve në nivel kombëtar, forcimi në nivelin e bashkive do të jetë gjithashtu shumë i rëndësishëm për parapërgatitje të suksesshme ndaj fatkeqësive natyrore dhe reduktimit të rrezikut në afatgjatë. Ligji për Mbrojtjen Civile u ngarkon bashkive një sërë përgjegjësish sa i takon reduktimit të rrezikut, gjithsesi shumica e bashkive kanë mungesë të kapacitetit dhe burimeve (teknike, njerëzore dhe financiare) për të plotësuar këto përgjegjësi. /Nertila Maho