KORRUPSIONI ishte dikur një fjalë që Banka Botërore nuk e përdorte. Punonjësit e Bankës flisnin për taksa jo-të drejtpërdrejta ose mitmarrje në vend të korrupsionit. Një dekadë më parë, James Wolfenson, Presidenti i BB në atë kohë, theu tabunë me një fjalim mbi kancerin e korrupsionit dhe filloi një fushatë për të përmirësuar qeverisjen në vendet në zhvillim. Pasuesi i tij, Paul Wolfowitz, ka shkuar edhe më tej. Lufta kundër ryshfetit kryeson listën e tij të përparësive. Jo çdokush mendon se Z. Wolfowitz, i cili mori postin në qershor të vitit të kaluar, po e trajton siç duhet problemin. Kohët e fundit ai u përpoq të shtrëngonte fijet e anti-korrupsionit që ishin të lidhura lidhur me huadhënien për Republikën e Kongos. Ky vend ka një elitë famëkeqe përsa i përket korrupsionit; financat e kompanisë së naftës që zotëron shteti nuk janë aspak transparente. Wolfowitz kërkoi që Banka të mbështesë huadhënien mbi rezultatet e tre vjetësh përpjekje kundër korrupsionit, kryesisht kontrolle të rrepta mbi kompaninë e naftës. Bordi i Bankës reagoi me skepticizëm, duke argumentuar se Kongo kualifikohej për huadhënie sipas kritereve ekzistuese, dhe se tani nuk mund të vendosen më kritere të reja. Pas një mbledhjeje të ashpër të Bordit në 24 shkurt, nuk u arrit asnjë kompromis. Kongo do të përfitojë hua vetëm pas disa hetimeve të brendshme vjetore. Wolfowitz tashmë ka anulluar ose pezulluar disa hua të këqija, disa prej tyre për klientë të fuqishëm. Më shumë se 800 milionë USD për kujdesin shëndetësor indian janë në pritje, pas provave për ryshfet në një projekt për shëndetin prenatal. Një hua prej 35 milionë USD për ngritjen e rrugëve në Bangladesh u tërhoq mbrapsht pasi u zbuluan një numër shkeljesh me disa tenderë. Një projekt për përmirësimin e rrjetit të sigurisë shoqërore në Argjentinë duke u dhënë para të thata familjeve të varfra, u pezullua pasi Wolfowitz ishte i shqetësuar se paraja ishte shpenzuar për të blerë votat në zgjedhjet e vitit 2003. Një variant i ri i kësaj huaje do të diskutohet nga bordi i Bankës këtë muaj. Edhe vende të tjera të Afrikës kanë qenë nën shënjestrën e Wolfowitz. Ai ka pezulluar pesë hua për Kenian, edhe pse dy të tjera, përfshirë një për luftën kundër korrupsionit, janë miratuar. Ryshfeti në Kenya ishte një shqetësim edhe në kohën e Wolfensohn, duke e detyruar atë të hezitonte për huadhënien në këtë vend. Në janar, Wolfensohn pezulloi të gjitha huatë për Chad kur Presidenti i tij prishi një marrëveshje me Bankën që synonte të siguronte se të ardhurat nga nafta nuk do të keqpërdoreshin. Wolfowitz ka ngarkuar Departamentin e Integritetit Institucional të Bankës me administrimin e fushatës anti-korrupsion (një departament kontrolli i brendshëm, themeluar nga paraardhësi i tij). Tashmë njësia ka 22 hetues dhe do të zgjerohet me 12 të tjerë. Punonjësit janë udhëzuar të përfshihet më shumë në përgatitjen e projekteve në vend që thjesht të reagojë ndaj shqetësimeve kundrejt ryshfetit. Fushata e Wolfowitz ka hasur në një larmi reagimesh. Askush nuk dyshon se korrupsioni mbetet një barrë e jashtëzakonshme për vendet e varfra, pavarësisht nga përpjekjet e Bankës gjatë dekadës së shkuar. Por shumë specialistë të zhvillimit shqetësohen se qasja e Wolfowitz është sa naive aq edhe arbitrare. Korrupsioni, argumentojnë ata, është një problem kompleks dhe i vazhdueshëm. Metodat për eliminimin e ryshfetit duhet të balancohen me synimet e Bankës për të ndihmuar të varfrit. Është fare e thjeshtë të rrish ulur në Washington dhe të thuash se duhet të jemi të ashpër me korrupsionin, thotë Dennis de Tray, një ish-drejtor i Bankës në Indonezi dhe në Azinë Qendrore. Mënyra e drejtimit të Wolfowitz është një tjetër shqetësim. Ai mbështetet së tepërmi në një grup këshilltarësh të cilët i solli me vete, asnjë prej të cilëve nuk është ekspert i zhvillimit. Nëpunës të bankës ankohen se të sapoardhurit nuk kanë ide se si drejtohet organizata dhe se kjo fushatë e tyre kundër korrupsionit synon më tepër të impresionojnë Kongresin Amerikan sesa të ndihmojë të varfrit në botë. Shumë nëpunës nga veteranët më të vjetër të bankës kanë dhënë dorëheqjen. Që punonjësit e Bankës ankohen për mënyrën e drejtimit të shefit të tyre nuk është për t u habitur. Edhe marrëdhëniet e Wolfensohn me punonjësit në fillimet e tij qenë shumë të vështira. Ai solli një grup akoma më të madh njerëzish nga jashtë dhe u bë i famshëm si mosbesues ndaj punonjësve të Bankës. Njerëzit kryesorë u larguan dhe kjo u pasua nga disa muaj paralizë. Do të ishte keq sikur historia të përsëritet. Wolfowitz bën mirë të përqendrohet në korrupsionin, dhe kjo do të jetë një detyrë e vështirë për t u realizuar. Askush nuk dyshon se nevojitet qeverisje më e mirë për të ndihmuar vendet e varfra të rriten. Për një dekadë, Banka është përpjekur të nxisë qeverisjen, me trajnimet e gjyqtarëve për të përmirësuar procedimin e buxheteve. Por rezultatet përgjithësisht kanë qenë zhgënjyese. Disa tentativa të mëparshme si krijimi i komisioneve anti-korupsion, nuk kanë qenë efikasë. Tek e fundit, ryshfeti nuk është zvogëluar. Nëse lufta kundër korrupsionit do të jetë përparësia e bankës, ajo do të ketë nevojë për mjete më të mprehta intelektuale. Ka disa renditje të treguesve të korrupsionit të cilat bazohen në perceptimet e investitorëve dhe ekspertëve. Ekzistojnë disa matje ndërkombëtare, si për shembull mënyra si shumë firma apo individë duhet të paguajnë ryshfete, por nevojiten më shumë të tilla. Edhe në aspektin politik, pozicioni i Bankës në fushatën kundër korrupsionit është tepër i ngatërruar. Duke qenë një organ teknokratik, Banka distancohet nga gjykimet politike. Por tani ky kufi është shkelur, dhe Wolfowitz kërkon të shkojë akoma më larg. Një shtyp i lirë, për shembull, është një mjet i fuqishëm kundër ryshfetit. A duhet Banka të kërkojë më shumë liri shtypi si kusht për huadhënie? Nëse Wolfowitz e ka vërtet seriozisht luftën kundër korrupsionit, çështje të tilla nuk duhet të anashkalohen “ dhe debatet që do të pasojnë do të jenë të panumërta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.