Ecuria e projektit të asistencës së Bankës Botërore për AMF për tregun e sigurimeve ishte në fokus të takimit virtual mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete dhe ekipit të misionit të Bankës Botërore për sektorin financiar.
Projekti, i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) ka dy objektiva kryesorë: a) të forcojë kapacitetet e AMF-së për të rregulluar dhe mbikëqyrur tregun e sigurimeve dhe (b) të stimulojë zhvillimin e tregut të sigurimeve përmes rritjes së vetëdijes dhe besimit të konsumatorit.
Ekspertët e Bankës Botërore po asistojnë Autoritetin për hartimin e një metodologjie të treguesve të rrezikut në tregun e sigurimeve, bazuar në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Përmes projektit të asistencës do të hartohet një udhërrëfyes i nivelit të lartë për zbatimin e regjimit evropian të Solvency II në tregun e sigurimeve. Kjo do të sjellë gjithashtu edhe një rishikim të kornizës ligjore dhe rregullatore në lidhje me mbikëqyrjen e grupeve të sigurimeve, si edhe rekomandime të ekspërtëve të Bankës Botërore për fushat kryesore të mbikëqyrjes së grupeve të sigurimeve.
Ekspertët e Bankës Botërore do të asistojnë Autoritetin në përmirësimin e kuadrit rregullator dhe rishikimin e procedurave të marrjes në administrim të përkohshëm dhe likuidimit të shoqërive të sigurimit. Gjithashtu, rritja e besimit të konsumatorit në tregun e sigurimeve, duke përfshirë transparencën dhe llogaridhënien e shoqërive të sigurimit, zhvillimi i një sistemi të monitorimit publik të cilësisë së shërbimit të siguruesve dhe performancës së kërkesë-ankesave janë disa nga objektivat e projektit të asistencës së Bankës Botërore për Autoritetin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.