Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës pritet të jetë 4.2 për qind

09/01/2020 2:57 PM 0 komente

 Banka Botërore në raportin për Prospektet Ekonomike, thotë se ekonomia botërore do të rritet 2.5 për qind këtë vit, vetëm pak më shumë se parashikimi prej 2.4 për qind për vitin 2019. Sipas këtij institucioni rritja ekonomike e Kosovës për sivjet pritet të jetë 4.2 për qind.

 

“Në Ballkanin Perëndimor pati një ngadalësim në investimet publike në Kosovë, të prodhimit në Serbi, dhe rritje e eksportit në Shqipëri dhe Serbia që kontribuoi në një moderim në rritje përafërsisht 3.2 për qind në vitin 2019. Në Kosovë rritja për këtë vit pritet të jetë 4.2 për qind”, thuhet në raport.

Me gjithë përmirësimin e lehtë të paraparë për këtë vit, Banka Botërore thotë se 2020-ta mbetet e cenueshme ndaj pasigurive rreth tregtisë dhe tensioneve gjeopolitike.

“Kjo rritje modeste në ekonominë botërore shënon fundin e ngadalësimit që filloi në vitin 2018. Ne presim përmirësime, por, në përgjithësi, shohim edhe perspektiva më të dobëta të rritjes”, tha Ayhan Kose, ekonomist në Bankën Botërore.

Po ashtu, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti gjatë prezantimit të të arriturave për vitin 2019 kishte thënë se rritja ekonomike për vitin 2020 do të jetë 4.2 për qind, njëjtë sa kishte qenë në vitin paraprakë.

“Rritja ekonomike në vend vlerësohet të jetë 4.2 për qind, e mbështetur kryesisht nga investimet dhe eksportet neto. Sipas vlerësimeve edhe për vitin e ardhshëm rritja do të jetë e njëjtë. Nga të dhënat e inflacionit që i kemi deri në fund të muajit nëntor, shënon 2.8 për qind që është dukshëm më i lartë që ka qenë një vit më herët, realisht ka shënuar rritje 0.9 për qind. Kjo rritje e inflacionit është si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimit”, kishte thënë Mehmeti.

BERZH sheh rritjen ekonomike të moderuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2020.

Rritja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishte e dobët në gjysmën e parë të vitit 2019, me përjashtim të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, sipas raportit të fundit të Prospektit Ekonomik Rajonal të BERZH-it.

Në Evropën Juglindore, raporti pret që ritmi i rritjes të ngadalësohet nga 3.3 për qind këtë vit në 3.0 për qind në vitin 2020, në përputhje me dobësimin e rritjes në eurozonë.

Në raportin e BERZH-it thuhet se rritja relativisht e fortë ekonomike ka vazhduar në vitin 2019 në Kosovë. Pas 3.8 për qind të rritjes së GDP-së në 2018, ekonomia u zgjerua me 4.2 për qind në vitin 2019. Rritja u nxit kryesisht nga investimet dhe konsumi privat, thuhet në raport.

Në vitin 2019 dhe 2020, ekonomia pritet të rritet me 4.0 për qind në vit, me kërkesën e brendshme duke vazhduar të mbetet shtytësi kryesor./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of