Barrierat e mëdha rregullatore mund të kenë dëmtuar rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri, tha Banka Botërore në një raport të ri të titulluar. Ballkani Perëndimor: Rigjallërimi i Rritjes dhe Prosperitetit.
“Qasja e dobët në shërbimet financiare gjithashtu kufizon akumulimin dhe përdorimin e aseteve financiare nga firmat në Shqipëri dhe ndikon relativisht më shumë firmat që kanë rritjen më të shpejtë të punësimit”, tha Banka Botërore në raportin e saj.
“Pengesat për regjistrimin e firmave dhe taksat e larta të të ardhurave personale shkurajojnë gjithashtu krijimin e vendeve të punës në sektorin formal”.
Midis 30 dhe 60 për qind e totalit të punësimit në Shqipëri është joformale, tha raporti, duke shtuar se informaliteti i lartë ndikon negativisht tek punonjësit, firmat dhe ekonominë në përgjithësi.
Raporti vlerëson se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – mund të përshpejtojnë rritjen ekonomike dhe të arrijnë një konvergjencë më të shpejtë të të ardhurave me BE.
Shqipëria ende ka një përqindje të lartë të bujqësisë në prodhimin e brendshëm bruto dhe një sektor prodhues që po rritet pjesën e saj në ekonomi nga një bazë e ulët.
Sipas raportit, Shqipëria ka nivelin e dytë më të lartë të remitancave si pjesë e të ardhurave të familjes pas Kosovës.
“Normat e varfërisë janë gjithashtu më të larta në zonat rurale. Pjesa e popullsisë që jeton në zonat urbane është rritur vazhdimisht në disa vende, veçanërisht në Shqipëri dhe Mal të Zi gjatë dekadës së fundit, “vuri në dukje raporti.
Shkalla e papunësisë në Ballkanin Perëndimor është gati dy herë më e lartë se në ekonomitë e tjera të vogla në tranzicion që janë tani në BE. Me gjysmën e popullsisë në moshë pune në rajon që kërkojnë punë dhe një e katërta e punëkërkuesve nuk e gjejnë atë, nevoja për të rritur pjesëmarrjen në tregun e punës në rajon mbetet e rëndësishme, vuri në dukje Banka Botërore.
Shqipëria ka normën më të lartë të taksimit mbi pagat e larta dhe të ardhurat e tjera në rajon
Shqipëria ka normën më të lartë të taksimit mbi pagat e larta dhe të ardhurat e tjera në rajon (shënim i Monitor). Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.
Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.
Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.
Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).
Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.