Flet Zana Konini, drejtore ekzekutive e Unionit Shqiptar Kursim Kredi
Për drejtoren ekzekutive të Unionit Shqiptar të Kursim Kredisë, krijimi i një banke rurale të specializuar në financimin e aktivitetit bujqësor, konsiderohet rrjedhimisht si një ndër mundësitë më të përshtatshme për të ndryshuar këtë trend.
“Ministri i Financave e hodhi së fundmi këtë propozim në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit, duke u bazuar në përvojën e suksesshme 22-vjeçare, në financimin e zonave rurale nga Unioni Shqiptar Kursim Kredi (asnjë bankë komerciale nuk ka jetëgjatësi më të madhe). Mendojmë se “Unioni dhe Shoqëritë e Kursim Kredisë mund të konsiderohen si mënyra më efikase për të arritur tek fermeri i zakonshëm, i cili nuk është prekur prej vitesh si klient nga sektori bankar”, thotë znj. Konini, e cila rendit disa arsye për të mbështetur argumentimin:
Ekzistencën e një rrjeti të konsoliduar prej 37,000 anëtarësh, me një mbulim prej 1,080 fshatrash dhe me një përvojë 22-vjeçare, mbështetja e Unionit SHKK, si institucion financiar i specializuar në shoqërimin e fermerëve, pritet të mundësojë fuqizimin e kapaciteteve të fermerëve vendas dhe formalizmin e mëtejshëm të ekonomisë rurale.
“Roli i organizimit të komunitetit është një avantazh i rëndësishëm për SHKK-të. Të kuptojmë që sistemi bankar, nëse punon me fermerin e zakonshëm, duhet të konsiderojë një mesatare të ulët kredie (ferma mesatare është 1.2 hektarë), distancën e largët e infrastrukturën për të arritur deri te fermeri, si dhe mungesën e kolateralit dhe titujve të pronësisë. Janë këta faktorë që kanë kushtëzuar praninë shumë të ulët të fermerit të zakonshëm në sistemin bankar. Do të jenë të njëjtat sfida dhe faktorë që do të ndikojnë në marrëdhënien fermer- bankë komerciale edhe në të ardhmen. Duket që vetëm një bankë e mbështetur në një organizim specifik siç është SHKK-ja, mund t’i përgjigjet objektivit të qeverisë për financimin e fermerëve të zakonshëm”, – thotë znj. Konini
Sipas saj, tregu në Shqipëri është i madh dhe i paplotësuar. Ka vend edhe për bankat, nëse do ta kenë objektiv, por edhe për Unionin SHKK. “Targetet janë të ndryshme: bankat prekin aktivitetet më të ‘formalizuara’, Unioni masën e fermerit të zakonshëm. Si volum financimi, bankat kanë epërsi se punojnë me aktivitete më të mëdha, si numër Unioni SHKK. SHKK-të përgatisin fermerin për të shkuar në bankë. Të dyja ndërhyrjet janë të nevojshme. Nga ana tjetër, edhe mbështetja e qeverisë dhe e donatorëve duhet të marrin në konsideratë të gjithë aktorët”, thotë ajo.
Sipas drejtores ekzekutive të Unionit Shqiptar të Kursim Kreditsë, grantet publike apo dhe mbështetja financiare për bujqësinë në kuadër të statusit të vendit kandidat, mund të përthithen më me sukses nëse fermerët shqiptarë shoqërohen nga institucione financiare të provuar për t’iu përshtatur problematikave dhe nevojave specifike të sektorit.
“Një subvencionim i kredisë në një formë ose tjetër (e përshtatur me rregullat e BE-së) është shumë më efikase dhe transparente, se një pjesë e mirë e skemave. Një fermer që merr kredi për të bërë një aktivitet është shumë më i dedikuar në realizimin me sukses të tij”, thotë znj. Konini.
SHKK-të janë struktura financiare në nivel fshati të zotëruara tërësisht nga anëtarët e tyre dhe me një kapital 100% shqiptar. Përtej shtirjes së tyre gjeografike, SHKK-të paraqesin dhe avantazhe të tjera në financimin e fermerëve vendas si për shembull, ulja e kostove operacionale apo roli i komunitetit në procesin e vendimmarrjes së kreditimit, falë një rrjeti prej rreth 800 të zgjedhurish. Ky model bën që Shoqëritë e Kursim Kreditit të zbatojnë procedura të përshtatura ndaj nevojave të fermerëve dhe sipërmarrësve ruralë, por njëkohësisht, konform standardeve dhe rregulloreve të kërkuara nga Banka e Shqipërisë.
“Vetëm gjatë vitit 2013, Unioni SHKK ka financuar mbi 12 milionë euro në ekonominë rurale në vend. Kjo pasi fermeri ka nevojë të shoqërohet dita-ditës, dhe sipas ciklit të tij të prodhimit. Rrjeti i SHKK-ve, bazuar mbi vlerat bashkëpunuese që i karakterizon, është i vetmi që mund të përballojë kostot operacionale në injektimin e këtij volumi financiar kaq të lartë, por me një mesatare prej 2.500 eurosh. Cilësia e aktiveve të Unionit SHKK, me gjithë një lëkundje për shkak të krizës, mbetet e mirë. Treguesit e parë të 2014-s konfirmojnë një rritje dhe konsolidim të institucionit. Me miratimin e ligjit të ASD-së, besohet të rifillojë dhënia e licencave të reja, për të zgjeruar zonën e ndërhyrjes”, thotë znj. Konini.
Sipas saj, krijimi i një banke rurale, përtej interesit të momentit që ka ngjallur sektori bujqësor aktualisht, ka qenë dhe një ndër premtimet kryesore të programit elektoral të Partisë Socialiste për bujqësinë gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar. Një propozim ky që nëse realizohet, duhet të materializohet edhe me mbështetje specifike për institucione si SHKK-të.
Konini: Një subvencionim i kredisë në një formë ose tjetër (e përshtatur me rregullat e BE-së) është shumë më efikase dhe transparente, se një pjesë e mirë e skemave. Një fermer që merr kredi për të bërë një aktivitet është shumë më i dedikuar në realizimin me sukses të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.