Banka Qendrore do të shpenzojë 5 miliardë paund në ditë, për plot 13 ditë, pasi bëri paralajmërime në lidhje me “rrezikun material për stabilitetin financiar të Mbretërisë së Bashkuar”
Banka e Anglisë ndërmori disa lëvizje urgjente të mërkurën për të shmangur një katastrofë në sektorin e pensioneve në Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar një program për blerjen e bonove në vlerë totale prej 65 miliardë paund, me synimin për të frenuar një krizë në tregjet e borxhit të qeverisë.
Banka qendrore paralajmëroi për një “rrezik material për stabilitetin financiar të Mbretërisë së Bashkuar” nga trazirat në tregun e bonove qeveritare, i cili u nxit akoma më tepër nga reduktimet e taksave dhe nga plani i huamarrjes, të bëra publike nga kancelari Kwasi Kwarteng javën e kaluar.
Banka e Anglisë pezulloi një program për shitjen e bonove, si pjesë e përpjekjeve për të vënë nën kontroll inflacionin në rritje, dhe në vend të kësaj u zotua se do të blinte obligacione me afat maturimi të gjatë, me një normë maksimale deri në 5 miliardë paund në ditë, për 13 ditët e ardhshme të punës.
Ekonomistët paralajmëruan se injektimi i miliarda paundëve të sapokrijuara në ekonomi mund të nxisë rritjen e inflacionit. “Kjo lëvizje do të shkaktojë inflacion, në rrethanat kur ai është tashmë i lartë,” tha Daniel Mahoney, ekonomist për Mbretërinë e Bashkuar në Handelsbanken.
Tregjet e obligacioneve të qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar patën një rikuperim të ndjeshëm pas këtij njoftimi. Paundi u rrit me 1.4 për qind në të njëjtën ditë, duke arritur në vlerën 1.0877 dollarë kundrejt dollarit.
Banka theksoi se nuk kishte si synim që të ulte kostot e huamarrjes afatgjatë të qeverisë. Në vend të kësaj, ajo po përpiqet të blejë kohë për të parandaluar një rreth vicioz, në të cilin fondet e pensioneve duhet të shesin menjëherë bonot qeveritare për të përmbushur kërkesat për para nga kreditorët e tyre.
Ky proces kishte bërë që fondet e pensioneve të ishin pranë një rreziku falimentimi, sepse shitjet masive nga këto fonde ulën akoma më tepër çmimin e bonove që mbahen nga ato në formën e aseteve, duke e bërë kështu të nevojshme që të kishin nevojë për akoma më shumë para.
“Gjatë mëngjesit, isha i shqetësuar se ky do të ishte fillimi i fundit,” tha një bankier me eksperiencë në Londër duke shtuar se, në një çast të mërkurën në mëngjes, nuk kishte më blerës për bonot e emetuara para shumë kohësh në Mbretërinë e Bashkuar. “Nuk ishte një moment si ai i Lehman. Por ishte një situatë tepër e ngjashme.”
Grupet e prekura në mënyrë më të drejtpërdrejtë ishin skemat e pensioneve, të cilat janë balancuar me asete të tjera për të siguruar mundësinë që të ofrojnë pagesa në të ardhmen, me ato që njihen si “strategjitë e investimeve të orientuara nga detyrimet”, të cilat janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të shpejta në yield-et e bonove qeveritare.
“Me sa duket, disa lojtarë në treg nuk kishin më kolateral dhe filluan të shisnin bonot qeveritare,” tha Peter Harrison, shefi ekzekutiv i Schroders, kompani e cila ka 55 miliardë dollarë në biznesin global të investimeve të orientuara nga detyrimet. “Ne ishim të pozicionuar në mënyrë më konservatore dhe kishim mjaftueshëm kolateral për të përmbushur të gjitha kërkesat tona margjinale.”
Por, një ekzekutiv i lartë në një nga kompanitë e mëdha të menaxhimit të aseteve tha se kishte kontaktuar Bankën e Anglisë të martën, duke i paralajmëruar se duhej “të ndërhynin në treg, përndryshe do të kishte një kolaps”. Megjithatë, bankës iu desh kohë dhe vendosi të ndërhyjë të mërkurën.
Në një takim me kancelarin ditën e mërkurën, bankierët i kishin kërkuar Kwarteng që të mos priste për deklaratën e planifikuar më 23 nëntor për të ndërmarrë veprime që do të qetësonin tregjet, nëpërmjet një plani të ri për të ulur borxhin.
Një person në këtë takim, ku përfshiheshin Citi, Bank of America, UBS, JPMorgan, Deutsche Bank dhe Standard Chartered, tha se kjo datë ishte shumë e largët. Aleatët e Kwarteng këmbëngulën se ai duhej t’i përmbahej planit të tij fillestar.
Pas ndërhyrjes së Bankës të Anglisë, lideri laburist Sir Keir Starmer bëri thirrje që parlamenti të tërhiqej dhe që Kwarteng të braktiste planet e tij.
Kwarteng u përpoq të qetësonte tregjet, duke u kërkuar departamenteve qeveritare që të identifikonin kursimet e efikasitetit dhe duke u kujtuar atyre se do të duhej të funksionojnë brenda limiteve tepër të kufizuara të shpenzimeve, të cilat janë vendosur deri për në vitin 2025.
Banka e Anglisë e ndërmori këtë masë emergjente pasi paketa fiskale e Kwarteng javën e kaluar bëri që vlera e paundit të binte, duke shkaktuar një rënie historike në çmimet e bonove qeveritare.
Pas atij njoftimit, yield-et e bonove 30-vjeçare, të cilat të mërkurën kishin arritur nivelin më të lartë të 20 viteve të fundit duke kaluar shifrën 5 për qind, ranë me 1 pikë përqindje duke shkuar në 4 për qind – rënia më e madhe ditore e regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave nga Tradeweb. Yield-et bien kur rriten çmimet. Yield-et e bonove dhjetëvjeçare ranë në 4.1 për qind, nga 4.59 për qind.
Për këto pasoja, Thesari ia vuri fajin “luhatshmërisë së konsiderueshme” në “tregjet financiare globale”./ Financial Times